Shëndeti mendor përfshin mirëqenien emocionale, psikologjike dhe sociale. Shëndeti mendor ndikon në mënyrën se si mendojmë, ndjejmë dhe se si veprojmë. Gjithashtu, nga shëndeti mendor varet se si përballemi me stresin, si sillemi me të tjerët, dhe si i bëjmë zgjedhjet. Shëndeti mendor është i rëndësishëm në çdo fazë të jetës, gjatë fëmijërisë, adoleshencës, si dhe gjatë moshës së pjekurisë.
Ekzistojnë çrregullime mendore të ndryshme, me manifestim të ndryshëm. Zakonisht ato karakterizohen me kombinim të mendimeve, perceptimeve, emocioneve sjelljeve dhe raporteve jonormale me të tjerët.
Çrregullimet mendore përfshijnë: depresionin, çrregullimet afektive bipolare, demencionin skizofreninë dhe psikoza të tjera, zhvillimin e vonuar intelektual, si edhe autizmin.
Ekzistojnë strategji efikase për parandalimin e çrregullimeve mendore siç është depresioni.
Ekzistojnë trajtime efikase për çrregullimet mendore dhe mënyra për ta zbutur vuajtjen e shkaktuar nga ato.
Çelësi gjendet tek qasja në shërbime shëndetësore dhe sociale të cilat mund të sigurojnë trajtim dhe mbështetje sociale.
Ngarkesa nga çrregullimet mendore vazhdon të rritet dhe ka një ndikim të rëndësishëm ndaj shëndetit duke shkaktuar pasoja të mëdha sociale dhe ekonomike si dhe pasoja ndaj të drejtave të njeriut në të gjitha vendet në botë.
Kush është i ekspozuar ndaj rrezikut nga çrregullimet mendore?
Determinantat e shëndetit mendor dhe çrregullimeve mendore nuk përfshijnë vetëm karakteristika individuale siç është aftësia për të menaxhuar me mendimet, emocionet, sjelljet personale dhe bashkëveprimin me të tjerët, por edhe faktorë social, kulturor, ekonomik, politik dhe ekologjik, siç janë politikat nacionale, mbrojtja sociale, standardet e jetesës, kushtet në punë dhe mbështetja nga komuniteti.
Edhe stresi, gjenetika, të ushqyerit, infeksionet perinatale dhe ekspozimi ndaj rreziqeve nga mjedisi jetësor kontribuojnë për paraqitjen e çrregullimeve mendore.
Shëndeti dhe mbështetja
Sistemet shëndetësore ende nuk kanë dhënë një përgjigje adekuate për ngarkesën që vjen si pasojë e çrregullimeve mendore. Si pasojë e kësaj hendeku mes nevojës për trajtim dhe sigurimit të tij mbetet i thellë në mbarë botën. Në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare nga 76% deri më 85% e personave me çrregullime mendore nuk pranojnë trajtim për gjendjen e tyre. Në vendet me të ardhura të larta, nga 35% deri më 50% e personave me çrregullime mendore ndodhen në të njëjtën situatë.
Problem tjetër është edhe cilësia e dobët e kujdesit që u ofrohet një pjese të madhe të atyre të cilët pranojnë trajtim.
Krahas mbështetjes nga sistemi shëndetësor, personat me sëmundje mendore kanë nevojë edhe për mbështetje sociale dhe kujdes. Shpesh herë kanë nevojë gjatë qasjes në programe arsimore të cilat u përshtaten nevojave të tyre, si dhe për gjetje të një vendi pune dhe një vendbanimi, gjë që do ju mundësojë të jetojnë dhe të jenë aktiv në bashkësitë ku jetojnë.
Republika e Maqedonisë në vitin 2016 disponon me 1377 shtretër spitalorë për trajtimin e sëmundjeve mendore dhe neurologjike të shpërndara në repartet psikiatrike dhe neuropsikiatrike në spitalet e përgjithshëm dhe ato klinik, spitalet speciale psikiatrike ( Spitali psikiatrik “Skopje”, Spitali neuropsikiatrik “Negorci” dhe Spitali për sëmundje mendore “Demir Hisar”) dhe Klinika universitare e psikiatrisë. Po atë vit janë regjistruar 7772 persona të sëmurë të trajtuar nga sëmundje mendore dhe neurologjike që kanë realizuar gjithsej 383910 ditë spitalore.
Nga çrregullime mendore organike, përfshirë këtu edhe çrregullimet mendore simptomatike janë trajtuar 249 të sëmurë, nga të cilët 118 janë meshkuj dhe 131 janë femra. Nga skizofrenia dhe çrregullime shizotipike janë trajtuar 974 meshkuj dhe 607 femra, gjegjësisht 1581 të sëmurë. Nga çrregullime të gjendjes shpirtërore (afekt) – depresioni janë trajtuar 1163 të sëmurë, gjegjësisht 368 meshkuj dhe 795 femra. Numri i personave të trajtuar nga çrregullimet neurotike si pasojë e stresit dhe çrregullimeve somatoforme është 887, nga të cilët 262 janë meshkuj, ndërsa 625 femra, nga çrregullimet e personalitetit tek të rriturit janë trajtuar gjithsej 71 meshkuj dhe 45 ferma, ose gjithsej 116 të sëmurë.
Rekomandime
Plani aksionar për shëndetin mendor 2013-2020, i miratuar nga OBSH në vitin 2013 njeh rolin qenësor të shëndetit mendor në realizimin e shëndetit për të gjithë njerëzit. Plani përfshin katër qëllime kryesore:
- një menaxhim më efikas me shëndetin mendor
- sigurimi i shërbimeve gjithëpërfshirëse dhe të integruara për shëndetin mendor dhe kujdes social në komunitet
- zbatimi i strategjive për promovim dhe parandalim, dhe
- sisteme informative të përforcuara, evidenca dhe hulumtime
OBSH është e fokusuar në ndërtimin e kapaciteteve – institucione shëndetësore jo të specializuara në një qasje të integruar që promovon shëndetin mendor në të gjitha nivelet e mbrojtjes.
Përgatiti: Sektori për promovim, analizë dhe mbikëqyrje të sëmundjeve joinfektive