ME RASTIN E 8 MARSIT – DITËS NDËRKOMBËTARE TË GRUAS

KËSHILLA NGA INSTITUTI I SHËNDETIT PUBLIK NGA INSTITUTI I SHËNDETIT PUBLIK PËR TË GJITHA GRATË!

 

10 VETEKZAMINIME QË DUHET T’I BËJË ÇDO GRUA ÇDO MËNGJES!

 

Zonja të nderuara,

Një nga mrekullitë e shumta të trupit tuaj është se ai ka në vete senzorë, ndërsa ekspertët thonë se mjafton të ndani vetëm disa minuta nga koha juaj për t’i hedhur një shikim trupit tuaj para pasqyrës e do mund të vini re sinjalet paralajmëruese të cilat ua dërgon ai.

Prandaj, urdhëroni, shikoni! Është koha të bëni një analizë.

 Thonjtë

  1. Nëse vini re vijëzime

Nishanet në trup nuk janë paralajmërimet e vetme për kancerin në lëkurë. Kjo sëmundje mund të shfaqet edhe poshtë thonjve tuaj. Vijat e verdha, ngjyrë kafe ose të zeza poshtë thonjve tuaj janë shenjë e dëmtimit të qelizave, mundësisht nga melanoma, forma më e rrezikshme e kancerit të lëkurës, thotë dr. Ariel Ostad, dermatolog nga Nju Jorku. Por, me zbulim dhe trajtim të hershëm mund të shërohen edhe deri më 95% të rasteve, prandaj këshillohuni me dermatologun tuaj.

  1. Nëse vini re vija të bardha

Ndodh që të gjithë në një periudhë të caktuar të kemi pika të bardha te thonjtë (në të shumtën e rasteve këto janë si pasojë e lëndimeve të thonjve), por nëse vini re vija të gjata horizontale të bardha në sipërfaqen e thonjve, e në ndërkohë ndjeni edhe lodhje, ky mund të jetë një lajm i keq për veshkat tuaja.

Këto vija mund të jenë sinjal se veshkat nuk janë në gjendje të filtrojnë proteinat nga urina. Kjo do të thotë se trupi i humbet proteinat më shpejt nga ç’i merr ato dhe mund të vijë deri te ndërprerja e funksionit të veshkave. Vizitojeni mjekun tuaj dhe bëni një analizë të urinës.

Nënsqetulla

  1. Nëse vini re pjesë të ashpra e me ngjyrë të errët në lëkurë

Këto pjesë më të ashpra e me ngjyrë më të errët në lëkurë mund të jenë tregues për diabet. Sasia e tepërt e insulinës në gjak mund të ndikojë që disa qeliza të caktuara në lëkurë të shumohen tepër shpejt, gjë që ndikon në rritjen e indeve dhe sasisë së melaninës.

Kjo e bën lëkurën më të errët dhe më të trashë. Zakonisht mund të ndodhë nën sqetull, në qafë, ose  në ije. Për të vërtetuar nëse vuani nga kjo sëmundje mjaft e shpeshtë mjafton të bëni një analizë për nivelin e sheqerit në gjak.

  1. Nëse vini re lytha të vogla e të bardha

Këto janë depozite të vogla të kolesterolit. Për fat të keq, paraqitja e tyre është tregues se niveli i kolesterolit është shumë i lartë, gjë që paraqet një rrezik të madh nga sëmundjet e zemrës.

Vizitoni mjekun tuaj për të bërë një analizë të nivelit të kolesterolit në gjak dhe kërkoni t’ju japë këshilla për atë se çfarë ndryshimesh të bëni në mënyrën e të jetuarit ose t’ju caktojë barna të cilat mund ta ulin nivelin e kolesterolit në gjak.

Lëkura e kokës

  1. Nëse keni rënie të tepruar të flokëve

Rënia e tepër e flokëve mund të jetë tregues për çrregullim të funksionit të gjëndrës tiroide. Kur gjëndra tiroide (gjëndër e cila ndodhet në fyt) punon më pak ose më shumë se zakonisht, mund të vijë deri te çrregullimi i hormoneve mashkullore dhe atyre femërore në trupin tuaj. Si rezultat mund të vijë deri te rënia e flokëve. Mjeku juaj mund të masë sasinë e hormoneve të tiroides, dhe nëse ka ndonjë çrregullim t’ju përshkruajë terapinë e duhur.

  1. Nëse vini re shumë zbokth

Stresi ndikon që trupi juaj të tajisë sasi më të mëdha të hormonit kortizol. Ky hormon jo vetëm që dobëson imunitetin (që do të thotë se do ftoheni më shpesh), por ndryshon edhe metabolizmin tuaj (që do të thotë se mund të shtoni në peshë), si dhe than edhe lëkurën e kokës tuaj.

Mund t’ju ndihmojë një shampo i thjeshtë kundër zbokthit, por nëse doni ta çrrënjosni problemin, mundohuni të bëni më shumë gjumë, të merrni frymë më thellë, të liroheni nga stresi dhe të merrni përsipër më pak angazhime.

 Stomaku

  1. Nëse vini re qime të zeza e të dendura

Qimet e dendura dhe të zeza nën dhe rreth kërthizës tuaj mund të jenë shenjë e vezorëve policistik, thotë dr. Pamela Barens, gjinekologe nga Teksasi. Shkaktohen nga prodhimi i tepruar i androgjeneve. Kjo gjendje nënkupton edhe cikle menstruale të parregullta dhe me gjakderdhje të bollshme, rritje të peshës trupore, paraqitjen e akneve, qimeve të zeza e të ashpra në lëkurën e stomakut, fytyrës, gjinjve dhe kurrizit. Vezorët policistik mund të paraqesin rrezik për probleme më të rënda si steriliteti dhe sëmundjet e zemrës. Nëse i keni këto simptoma këshillohuni me gjinekologun tuaj i cili mund t’ju japë barna që do rikthejnë balansin tuaj hormonal.

Gjuha

  1. Nëse vini re një shtresë të bardhë, të verdhë apo ngjyrë portokalli

Nëse gjuha juaj duket sikur dikush e ka lyer me ngjyra të ndryshme, ky është sinjal për refleks të acideve të lukthit. Zakonisht, ezofagu nuk lejon që acidet dhe ushqimi nga lukthi të kthehen në gojë. Por, kur ky balans çrregullohet, përmbajtja e lukthit kthehet në gojë, ku e ngjyros gjuhën dhe shkakton aromë të keqe që vjen nga goja. Kjo gjendje trajtohet me antacide të cilat mund ti blini pa recetë nga mjeku, ose thjesht duke evituar ushqime të tharta ose me shumë mëlmesa. Nëse këto masa nuk kanë sukses, atëherë këshillohuni me mjekun tuaj, se mos ndoshta keni nevojë për barna që do e zvogëlojnë sasinë e acideve në lukthin tuaj.

Sytë

  1. Nëse vini re rrathë të errët poshtë syve që qëndrojnë për një kohë të gjatë

Nëse nuk keni një kohë të gjatë pa bërë gjumë të mjaftueshëm, atëherë rrathët e errët poshtë syve mund të jenë tregues për alergji. Ja si sqarohet kjo gjë: disa alergjenë sulmojnë trupin tuaj, i cili reagon duke tajitur histaminë. Kjo kemikalie shkakton fryrje të enëve të gjakut me gjak dhe me lëngje të tjera, kështu që rrathët e errët shfaqen në pjesët ku lëkura është më e hollë. Një alegro – test i thjeshtë mund t’ju tregojë se cili alergjen i shkakton simptomat tuaja.

10. Nëse vini renë sy një gungë me ngjyrë të verdhë

Jo, nuk jeni rasti i vetëm me akne optike. Një masë në formë gunge në pjesën e bardhë të syrit mund të jetë edhe simptomë i gjendjes të parrezikshme të quajtur pinguecula.“Nuk është asgjë më shumë se sa një rritje e tepërt e kolagjenit si pasojë e dëmtimeve nga dielli, era ose pluhuri”, thotë dr. Trejsi Goldstin, oftamologe nga Nju Jorku. Ruajeni lagështinë e syve me ndihmën e pikave dhe mbani syze kundër rrezeve UVA dhe UVB.

Marrë nga: http://shine.yahoo.com/healthy-living/10-self-checks-women-every-morning

Përktheu dhe përshtati: Sektori për promovim, analizë dhe mbikëqyrje të sëmundjeve joinfektive

Instituti i shëndetit publik i Republikës së Maqedonisë