11 Tetori 2017 është Dita botërore e luftës kundër obezitetit. Federata Botërore e luftës kundër obezitetit këtë vit ka për qëllim të rrisë investimet nga autoritetet, profesionistët e shëndetit publik dhe ofruesit e shërbimeve shëndetësore në luftën me obezitetin. Kjo nënkupton investime për parandalim, zbulim të hershëm të obezitetit dhe trajtim të pasojave nga ai. Të ushqyerit e pashëndetshëm dhe aktiviteti i dobët fizik janë faktorët më të rëndësishëm të cilët ndikojnë në epideminë e mbipeshës dhe obezitetit në mbarë botën. Këto probleme janë gjithnjë e më shumë të pranishme edhe në Republikën e Maqedonisë. Të dhënat nga Instituti i shëndetit publik tregojnë se 62,7% e meshkujve dhe  48,4% e femrave në moshë mbi 18 vjeç kanë mbipeshë trupore, ndërsa obezë janë 19,6 % e meshkujve dhe 17,2% e femrave. Sipas të dhënave krahasuese të fituara nga zbatimi i Nismës së OBSH-së për mbikëqyrjen e obezitetit tek fëmijët në Evropë (COSI) në Maqedoni për vitin 2010 dhe 2016, vihet re se krahasuar me vitin 2010 në vitin 2016 ka një rritje të prevalencës së mbipeshës trupore dhe obezitetit, dhe atë tek djemtë nga 37,9 në 39,4%, ndërsa tek vajzat nga 31,5 në 32,9%. Prevalenca e obeziteti tek djemtë është rritur nga 19,5 në 20,5%, ndërsa tek vajzat nga 13,1 në 15,2%.

Parandalimi i obezitetit, si një nga faktorët më të rëndësishëm për paraqitjen e sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit tipi 2 dhe sëmundjeve malinje, është një proces kompleks i cili nuk duhet të jetë përgjegjësi vetëm e autoriteteve shëndetësore ose personave të cilët përballen me këtë problem. Përballja me këtë problem kërkon një veprim gjithëpërfshirës të më shumë sektorëve në shoqëri, gjegjësisht një qasje të “të gjithë autoriteteve” dhe “të gjithë shoqërisë”.

Në pjesën e parandalimit të obezitetit është e domosdoshme që të zbatohen investime për:

  • Edukim për mbështetje në krijimin e një mjedisi të shëndetshëm;
  • Sigurimin e një qasje të lehtë në ushqim të shëndetshëm përmes përmirësimit tëmjedisit lokal e që ka të bëjë me ushqimin;
  • Përmirësimin e infrastrukturës lokale e cila do sigurojë mundësi për një transport aktiv dhe realizim të aktiviteteve fizike për kënaqësi;
  • Intervenime në treg që do kenë për qëllim ofrimin e mbështetjes për përzgjedhje të ushqimit të shëndetshëm;
  • Promovimin e shëndetit gjatë gjithë jetës me qëllim mbrojtjen e shëndetit të gjeneratave të tanishme dhe atyre të ardhshme.

Në pjesën  e përballjes me obezitetin, është e domosdoshme që të zbatohen investime për:

  • Përgatitjen dhe zbatimin e udhëzuesve nacional për identifikimin dhe kujdesin e personave me mbipeshë trupore dhe obezë, sidomos atyre në mesin e grupeve më të ndjeshme;
  • Këshillime falas për mbipeshën në kuadër të mbrojtjes shëndetësore primare;
  • Kuadër shëndetësor të trajnuar për këshillim të pacientëve dhe evitim të stigmatizimit që ka të bëjë me peshën trupore;
  • Shërbime në grup, si dhe individuale për personat që kanë problem me peshën trupore;
  • Mbështetje në nivel të familjes, shkollës ose vendit të punës;

Personat që kanë mbipeshë trupore, ose që janë obezë jetojnë me një invaliditet specifik dhe kanë një cilësi më të ulët të jetës. Ata janë më të rrezikuar nga paraqitja e sëmundjeve të cilat mund të shkaktojnë vdekje të parakohëshme.

Instituti i shëndetit publik u bën thirrje autoriteteve shëndetësore në nivel qendror që t’ia kushtojnë vëmendjen e nevojshme këtij faktori të rrezikut gjithnjë e më të theksuar edhe në vendin tonë. Instituti u bën thirrje institucionave aktuale dhe atyre të ardhshme në nivel lokal që të bëjnë një angazhim shtesë për sigurimin e një mjedisi jetësor i cili do  promovojë shëndetin dhe do i mbrojë qytetarët nga paraqitja e parakohëshme e sëmundjeve joinfektive.