Matni tensionin e gjakut me saktësi, mbajeni atë nën kontroll, jetoni më gjatë!

 

Hipertensioni është një gjendje në të cilën presioni i gjakut në arterie është i rritur. Prandaj, zemra duhet të punojë më shumë që gjaku të mund të qarkullojë nëpër enët e gjakut. Në mbarë botën nga hipertensioni vuajnë rreth 1.13 miliardë njerëz, 1 në 4 burra dhe 1 në 5 gra.[1] Ngarkesa e hipertensionit është joproporcionale në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ku ndodhin dy të tretat e rasteve, kryesisht për shkak të rritjes së faktorëve të rrezikut tek ato popullata në dekadat e fundit. 46% e njerëzve që jetojnë me hipertension nuk janë të vetëdijshëm për gjendjen e tyre, gjë që i vë në rrezik nga një sërë komplikimesh të parandalueshme, dhe vetëm 21% e njerëzve mbajnë nën kontroll tensionin e gjakut. Sipas të dhënave të OBSH-së, në vitin 2018 në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga hipertensioni kanë vdekur 535 persona, ose 2,89% e numrit të përgjithshëm të vdekjeve. [2]  Hipertensioni është shkaku i pestë i vdekjeve në vendin tonë.[3]

Një nga qëllimet globale për sëmundjet jo ngjitëse është reduktimi i prevalencës së hipertensionit për 33% në periudhën 2010-2030, nëpërmjet programeve gjithëpërfshirëse për skrining. Këtë vit, Dita Botërore e Hipertensionit festohet me moton “Matni tensionin e gjakut me saktësi, mbajeni atë nën kontroll, jetoni më gjatë”.

Faktorët e rrezikut për shfaqjen e hipertensionit ndahen në dy grupe:

  • Faktorët tek të cilët nuk mund të ndikohet: mosha, raca, gjinia, historia familjare.
  • Faktorët tek të cilët mund të ndikohet: pasiviteti fizik, mbipesha, konsumimi i alkoolit, duhani, konsumimi i tepruar i kripës, stresi.

Hipertensioni klasifikohet si:

  • Primar, hipertension esencial – me prejardhje të panjohur
  • Sekundar, hipertension joesencial – që lidhet me gjendje të tjera shëndetësore si: sëmundjet e veshkave, sistemin endokrinologjik, enët e gjakut.

 

Hipertensioni arterial përcaktohet me vlera nga ≥ 140/90 mmHg.

Tensioni i rritur i gjakut rrallë shkakton simptoma dhe zakonisht zbulohet rastësisht gjatë një kontrolli. Në të shumtën e rasteve pacientët ankohen për dhimbje koke, marramendje, zhurmë në vesh, dobësim të shikimit, alivani.

Hipertensioni i zgjatur dhe i pakontrolluar rrit rrezikun e një sërë komplikimesh si sëmundjet ishemike të zemrës, goditja në tru, sëmundjet vaskulare periferike dhe embolia pulmonare. Është një nga shkaqet kryesore të vdekjeve të parakohshme që mund të parandalohen.

Si ta mbani nën kontroll tensionin e lartë të gjakut?

  • Bëni aktivitet të rregullt fizik
  • Ushqehuni shëndetshëm
  • Kufizoni konsumimin e kripës, deri më 5 mg
  • Kufizoni konsumimin e alkoolit
  • Lini duhanin
  • Bëni matje të rregullta të tensionit të gjakut
  • Merrni me rregull terapinë e caktuar nga mjeku
  • Vizitoni rregullisht mjekun tuaj

 

Përgatiti:

Përgatiti: Departamenti për promovim shëndetësor dhe mbikëqyrje të sëmundjeve

 

[1] https://www.who.int/health-topics/hypertension#:~:text=Hypertension%2C%20also%20known%20as%20high,pumps%20blood%20into%20the%20vessels.

[2] https://www.worldlifeexpectancy.com/macedonia-hypertension

[3] https://www.healthdata.org/macedonia