Katastrofat dhe krizat në botë ndodhin shumë shpesh dhe nuk mund të parashikohen. Ato mund të shkaktojnë vuajtje të mëdha tek njerëzit, të shuajnë jetë dhe të shkaktojnë pasoja të mëdha në ekonomi. Në kushte krize rriten nevojat e përgjithshme, ndërsa institucionet janë të pafuqishme për tu përballur me pasojat e krizës.

Nocionet themelore

Sipas OBSH, refugjat është dikush i cili ka frikë nga përndjekja në baza racore, fetare, nacionale, përkatësie të ndonjë grupi të caktuar social ose mendimi politik. Refugjat është person jashtë vendit të tij dhe është në pozitë që nuk mundet, ose nuk dëshiron të gëzojë mbrojtje nga ai vend.[1]

Refugjatët janë individë të njohur sipas Konventës për statusin e refugjatëve të vitit 1951; Protokollit të saj të vitit 1967; Konventës së OBA-së (Organizatës së Bashkimit Afrikan) të vitit 1969 për aspektet e caktuara të problemeve me refugjatët në Afrikë; persona të njohur në pajtim me Statutin e UNHCR-së; Individë të cilëve u është caktuar një formë komplementare e mbrojtjes; ose ato të cilët gëzojnë mbrojtje të përkohshme.

Azilkërkues janë personat të cilët kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare dhe kërkesat e të cilëve për status refugjati nuk janë përcaktuar.

Persona të shpërngulur brenda shtetit (PSHB) janë persona ose grupe personash të cilët kanë qenë të detyruar t’i braktisin shtëpitë e tyre ose vendbanimet e përhershme, veçanërisht si rezultat i, ose me qëllim që të shmanget efekti i konfliktit të armatosur, situatat e dhunës së përgjithshme, shkeljet e të drejtave të njeriut, katastrofat natyrore ose të shkaktuara nga njeriu, dhe që nuk e kanë kaluar kufirin ndërkombëtar.

Refugjatë të kthyer janë ish refugjatë të cilët janë kthyer në vendin e lindjes, në mënyrë spontane ose në mënyrë të organizuar, por që ende nuk janë integruar plotësisht. [2]

Persona pa shtetësi definohen sipas të drejtës ndërkombëtare si persona që nuk konsiderohen si shtetas nga asnjë shtet në bazë të legjislacionit të tyre në fuqi.

Parë nga këndvështrimi historik, në mbarë botën, përqindja më e madhe e emigrantëve janë PSHB (58,7%), pastaj vijnë refugjatët (26,2%), personat pa nënshtetësi (6,4%), personat e kthyer (3,5%) , azilkërkuesit (3,3%) dhe të tjerë (1,9%). Një rritje e madhe vihet re tek emigrantët nga 20 milionë në vitin 2005 në më shumë se 30 milionë në vitin 2006, ndërsa në vitin 2014 ky numër arrin në më shumë se 50 milionë.

Sipas të dhënave nga UNHCR, në periudhën janar-nëntor të vitit 2015 nëpër Evropë, përmes detit, kanë kaluar 886.262 emigrantë. Në të njëjtën periudhë janë regjistruar 3515 persona të vdekur/të zhdukur. Numri më i madh i emigrantëve 738.465 kalojnë nëpër Republikën e Maqedonisë, 144.100 kanë hyrë në Itali dhe 3.592 në Spanjë.

51% kanë qenë nga Siria, 20% nga Afganistani, 6% nga Iraku, 4% nga Eritrea, 2% nga Pakistani, 2% nga Nigeria, 2% nga Somalia, 1% nga Sudani, 1% nga Gambia dhe 1% nga Mali. 61% e emigrantëve janë meshkuj, 23% fëmijë dhe 15% gra.

Numri më i madh i emigrantëve është regjistruar në tetor 2015 (220.535), ndërsa në nëntor 139940.  Në tetor të vitit 2014 ka pasur 23.050 refugjatë.

 unchr

Burimi: UNHCR

Kriza me refugjatët në Republikën e Maqedonisë, viti 2015

Në periudhën nga 1 qershori deri kah mesi i nëntorit të vitit 2015 rreth  515 000 refugjatë dhe emigrantë kanë kaluar nëpër Republikën e Maqedonisë. Sipas statistikave të Ministrisë së punëve të brendshme, numri i emigrantëve dhe refugjatëve që kanë deklaruar se kanë në plan të bëjnë kërkesë për azil ka arrirë në 230 248 përfshirë edhe 58 217 (25%) fëmijë, nga të cilët 11 711 (6%) të pashoqëruar nga 19 qershori deri më 10 nëntor të vitit 2015. Nga ato, 146 121 (63%) janë nga Siria, 48 716(21%) nga Afganistani, 17 969 (8%) nga Iraku, 4 822 (3%) nga Pakistani, ndërsa të tjerët vijnë nga vende të tjera si: Palestina, Irani, Somalia, Kongo dhe Bangladeshi. Nga janari deri në tetor, janë bërë 1 739 kërkesa për azil[3].

 Përgjigje ndaj krizës

20151112_134457Qeveria e Republikës së Maqedonisë themeloi një ekip për menaxhimin me krizën që duhet tu përgjigjet nevojave të emigrantëve dhe refugjatëve.  U zhvillua një plan aksionar për përgjigje ndaj situatës. Sfida për të siguruar strehim përkatës, mbrojtje shëndetësore dhe ndihmë humanitare për një fluks kaq të madh është shumë e madhe, jo vetëm për autoritet lokale dhe shtetërore, por edhe për organizatat ndërkombëtare dhe organizatat e tjera sociale.

Janë ndërtuar dy qendra tranzitore në Gjevgjeli dhe në Tabanoc – Kumanovë, në të cilat emigrantëve u ofrohet ushqim, ujë, preparate për higjienë dhe ndihmë mjekësore. Të gjitha shërbimet janë falas, dhe mundësohen nga organizata shtetërore dhe ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe OJQ-të.

Kujdesi shëndetësor në qendrat transitore mundësohet nga Ministria e shëndetësisë përmes shtëpive të shëndetit dhe spitaleve të përgjithshëm, si dhe Kryqit të kuq dhe ofrohet 24 orë në ditë. Në rast nevoje, pacientët transportohen deri tek spitali më i afërt.

Instituti i shëndetit publik në mënyrë aktive është i përfshirë në përpilimin e Planit aksionar, punën e trupit koordinues nga fusha e shëndetësisë dhe mbikëqyrjen aktive të gjendjes. Gjithashtu, ISHP është i përfshirë në mbledhjen e të dhënave nga Qendrat e shëndetit publik për shfaqjen e sëmundjeve infektive, cilësisë së ujit të pijshëm dhe aktivitetet për DDD.

20151206_101831

Qendrat e shëndetit publik në Gjevgjeli, Kumanovë dhe Shkup sigurojnë mbikëqyrje shëndetësore, kontroll higjienik dhe epidemiologjik, përfshirë këtu dezinfektim të qendrave transitore dhe mjeteve të transportit (trena, autobusë, taksi), kontroll të rregullt të ujit të pijshëm dhe regjistrimin e sëmundjeve infektive.

Agjencia shtetërore e ushqimit dhe veterinarisë jep leje dhe kontrollon shpërndarjen e ushqimit.

Komuna kujdeset për pastrimin e qendrave transitore.

Numri i ndërhyrjeve mjekësore ka qenë mjaft i lartë në tetor të vitit 2015, ndërsa numri i intervenimeve vazhdoi të rritet edhe në periudhën në vazhdim.

12188308_10207550343426919_420065684_n

Morbiditeti

Problemet shëndetësore të refugjatëve dhe emigrantëve janë të njëjta si ato që i ka edhe pjesa tjetër e popullatës. Gjatë verës (gusht dhe shtator) pjesa më e madhe e ndërhyrjeve kishin të bëjnë me sëmundje të lëkurës (djegie/fshikëza, reaksione alergjike, pickim nga insektet), dhimbje, lëndime nga armë, sëmundje respiratore dhe gastrointestinale dhe sëmundje kronike (diabeti, ndërsa më rrallë edhe sëmundje kardiovaskulare). Në tetor numri i sëmundjeve respiratore shënoi një rritje, por sëmundjet gastrointestinale vazhduan të jenë të shpeshta.  Numri më i madh i pacientëve nuk duan të shtrohen në spital sepse duan të largohen nga vendi sa më parë.

Analiza e morbiditetit të raportuar nga ekipet e Kryqit të kuq është bërë mbi bazë të raporteve ditore të ekipeve të Kryqit të kuq në QT në Gjevgjeli.  Sëmundjet më të shpeshta janë sëmundjet respiratore, gastrointestinale dhe sëmundjet loko-motorike, si dhe sëmundjet e lëkurës. Gratë emigrante shpesh përballen me sfida specifike që kanë të bëjnë me shëndetin e nënës, foshnjave dhe fëmijëve, shëndetin seksual dhe reproduktiv, si dhe dhunën.

Problemet shëndetësore të refugjatëve dhe emigrantëve janë të njëjta si ato të pjesës tjetër të popullatës. Me ardhjen e sezonit dimëror, ndjeshmëria e refugjatëve dhe emigrantëve rritet. Qëndrimi në strehimore në temperatura nën 16°C mund të shkaktojë hipotermi, ngrirje dhe gjendje të tjera shëndetësore. Veprimet më të rëndësishme që duhen ndërmarrë për zvogëlimin e ekspozimit ndaj të ftohtit:

  • Sigurimi i strehimoreve me ngrohje, ushqimeve të ngrohta dhe veshjeve përkatëse;
  • Kujdes i veçantë për popullatën vulnerable;
  • Sigurimi i vaksinave kundër gripit, dhe
  • Zbulimi dhe shërimi i sëmundjeve si pasojë e të ftohtit.[4]

Në kornizën e politikave shëndetësore „Shëndeti 2020‟, OBSH/Evropë, përmes Përfaqësisë së OBSH-së në Republikën e Maqedonisë, mundëson ndihmë profesionale dhe teknike, bën vlerësimin dhe jep mbështetje për kapacitetet e vendit për t’ju përgjigjur nevojave shëndetësore të refugjatëve dhe emigrantëve.

Me rritjen e numrit të refugjatëve dhe emigrantëve që kalojnë nëpër vendin tonë, OBSH/Evropë dhe Ministria e shëndetësisë përforcuan veprimin e tyre për tu përballur sa më mirë me situatën, përmes:

  • Misioneve profesionale ditore në qendrat për të vlerësuar situatën dhe për të përcaktuar gjendjet shëndetësore më të rëndësishme;
  • Punëtorive për menaxhimin me aspektet shëndetësore publike të emigrimit dedikuar për profesionistët shëndetësorë dhe joshëndetësorë të cilët punojnë me këto grupe të popullatës, dhe
  • Sigurimit të barnave, me kërkesë të Ministrisë së shëndetësisë.

Në dhjetor të vitit 2015 OBSH/Evropë në bashkëpunim me Ministrinë e shëndetësisë realizoi një vlerësim të kapaciteteve shëndetësore publike për përgjigje ndaj krizës që kishte për qëllim detektimin e mangësive dhe mundësive, por edhe dhënien e rekomandimeve për veprim në të ardhmen.

Është e rëndësishme që kapacitete të ndërtohen vazhdimisht dhe të rritet niveli i njohurive që lidhje me shëndetin dhe migracionin.

[1] http://www.who.int/topics/refugees/en/

[2] http://popstats.unhcr.org/en/overview

[3] Raporti operativ i rregullt , 04-10 nëntor 2015, UNHCR

[4] Deklaratë e dr. Suzana Jakab, drejtore rajonale e OBSH për Evropë, http://www.euro.who.int/en/media-centre/sections/statements/2015/statement-the-challenges-of-migration-require-migrant-sensitive-health-systems-for-today-and-for-the-future