“Hapa para për shëndetin e kockave”
Çdo e treta grua dhe çdo i pesti burrë në botë në moshë 50 vjet e sipër përjeton një fakturë osteoporotike.
Osteoporoza bën që kockat e njeriut të bëhen të dobëta dhe të brishta, kështu që mund të thyhen lehtë madje edhe gjatë një rrëzimi ose goditjeje të lehtë, gjatë teshitjes ose gjatë ndonjë lëvizjeje të papritur. Frakturat e shkaktuara nga osteoporoza mund të jenë të rrezikshme për jetën dhe shkak kryesor i dhimbjeve dhe invaliditetit afatgjatë. Këtë vit Dita Botërore e Osteoporozës shënohet nën moton “Hapa para për shëndetin e kockave”.
Frakturat osteoporotike kanë një ndikim shkatërrues tek miliona njerëz në mbarë botën dhe si rezultat kanë shpenzime të mëdha socio-ekonomike për shoqërinë dhe sistemet e kujdesit shëndetësor. Megjithatë, pavarësisht arritjeve efektive mjekësore për reduktimin e frakturave, vetëm një numër i vogël i burrave dhe grave pranojnë trajtim.
Vetëm 20% e pacientëve me fraktura osteoporotike janë diagnostikuar ose trajtuar për osteoporozën, sëmundjen themelore. Në vitin 2010, vetëm në Evropë, të patrajtuar kanë mbetur rreth 12.3 milionë njerëz që konsiderohen më të rrezikuar nga frakturat osteoporotike. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut numri i grave që vuajnë nga osteoporoza është rreth 120.000. Këto shifra tregojnë për rëndësinë e diagnostikimit dhe trajtimit në kohë.
A mund të parandalohet osteoporoza dhe frakturat? Po, nëse veprojmë në kohë!
Kini kujdes tek këto faktorë të rrezikut për zhvillimin e osteoporozës:
- Rënia në peshë
- Historia familjare e frakturave të këllqeve
- Përdorimi i barnave – kortikosteroide dhe terapi antikancerogjene
- Menopauza para moshës 45 vjeçare
- Sëmundje të caktuara – Artriti reumatoid dhe diabeti
Si trajtohet osteoporoza?
Për ta diagnostikuar osteoporozën dhe për ta vlerësuar rrezikun nga frakturat dhe për të parë nëse keni nevojë për trajtim, mjeku juaj me siguri do ju rekomandojë të bëni osteodenzitometri (skanim për të vërtetuar dendësinë e kockave).
Rekomadimet për trajtim shpesh bazohen në vlerësimin e rrezikut nga frakturat e kockave në 10 vitet e ardhshme bazuar në të dhënat e fituara nga deksa (aparati për matjen e dendësisë së kockave). Nëse rreziku juaj nuk është i lartë, trajtimi mund të mos përfshijë barna dhe mund të fokusohet në modifikimin e faktorëve të rrezikut për humbjen e masës kockore dhe në rekomandime për të pasur kujdes dhe për të evituar rrëzimet.
5 hapa për kocka të shëndetshme dhe pa fraktura në të ardhmen
- Aktiviteti fizik i rregullt – Më të mira janë ushtrimet me mbajtjen e peshave, që mundësojnë përforcimin e muskujve dhe ruajtjen e baraspeshës. Ushtroni nga 30-40 minuta, 3 deri në 4 herë në javë.
- Ushqimi – Kalciumi, vitamina D dhe proteinat janë më të rëndësishmet për shëndetin e kockave. Ekspozimi i sigurt ndaj diellit do ju ndihmojë të merrni sasi të mjaftueshme të vitaminës D.
- Stili e jetës – Mirëmbani peshë trupore të shëndetshme, shmangni pirjen e tepërt të duhanit dhe alkoolit.
- Faktorët e rrezikut – Njoftoni mjekun tuaj nëse keni histori paraprake të frakturave të kockave, histori familjare të osteoporozës ose nëse pranoni barna të cilat ndikojnë në shëndetin e kockave.
- Testimi dhe trajtimi – Nëse jeni shumë të rrezikuar nga frakturat e kockave, ka shumë mundësi që të keni nevojë për barna dhe për ndryshim të stilit të jetesës që të mbroheni nga ato.
Departamenti për promovim shëndetësor dhe ndjekje të sëmundjeve
Instituti i Shëndetit Publik i RMV-së