1

 

Теma: Investoni që t’i japim fund tuberkulozit

Dita Botërore e Tuberkulozit shënohet çdo vit më 24 Mars me qëllim ndërgjegjësimin e popullatës për një nga vrasësit më vdekjeprurës infektivë në botë – tuberkulozin, i shkakton pasoja të rënda ndaj shëndetit, pasoja sociale dhe ekonomike për njerëzit në mbarë botën. 24 marsi e shënon ditën kur mjeku Robert Koch në vitin 1882 shpalli se kishte zbuluar bakterin që shkakton TB-në, duke hapur rrugën drejt diagnostikimit dhe trajtimit të kësaj sëmundjeje. Çdo ditë, nga tuberkulozi vdesin më shumë se 4.100 njerëz dhe diagnostikohen rreth 30.000 njerëz të tjerë – edhe pse kjo sëmundje mund të parandalohet dhe trajtohet. Tuberkulozi është shkaku kryesor i vdekjes tek njerëzit me HIV dhe një kontribuues kryesor për rezistencën antimikrobike. Dita Botërore e Tuberkulozit është një mundësi për t’u fokusuar tek njerëzit e prekur nga kjo sëmundje dhe për të bërë thirrje për veprim të shpejtë për t’u dhënë fund vuajtjeve dhe vdekjeve nga TB, sidomos gjatë krizës së vazhdueshme me KOVID-19.

Sa  i përket gjendjes me tuberkulozin në RMV vihet re një rënie e numrit të përgjithshëm të rasteve aktive, por përsëri raste të reja diagnostikohen për çdo vit.  Megjithatë, rënia e vazhdueshme e numrit të rasteve do të thotë se fushatat shëndetësore kundër tuberkulozit kanë bërë efektin e tyre. Në vitin 2021 në RMV numri i përgjithshëm i rasteve aktive me TB (rastet e trajtuara nga vitit 2021, raste të reja, recidive dhe ato të regjistruara në mesin e emigrantëve) është 309, nga të cilët 262 janë në sistemin respirator, me prevalencë 15 raste në 100.000 banorë, ndërsa rastet e sapozbuluara janë 130 me incidencë 6.38 raste në 100.000 banorë. Pra, pavarësisht numrit jo aq të lartë të rasteve me këtë sëmundje në vendin tonë, ajo përsëri nuk duhet harruar dhe edukimi dhe vaksinimi i vazhdueshëm për këtë sëmundje duhet të realizohet pa ndërprerje.

Për të shënuar Ditën Botërore të Tuberkulozit më 24 mars Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) organizon një Talk Show special virtual. Kjo do ta vendosë TB-në në qendër të vëmendjes përmes temës – Investoni për t’i dhënë fund tuberkulozit, dhe do të përcjellë mesazhin për nevojën për investime në burimet që do mundësojnë përforcimin e luftës kundër TB-së dhe realizimin e obligimeve për çrrënjosjen e TB të ndërmarra nga liderët botërorë.  Kjo është veçanërisht kritike në kontekstin e pandemisë KOVID-19, e cila ka rrezikuar përparimin e luftës për çrrënjosjen e tuberkulozit dhe sigurimin e aksesit të barabartë në shërbimet preventive dhe në trajtim në përputhje me përpjekjet e OBSH-së për të arritur mbulim shëndetësor universal. Ngjarja do të zhvillohet në formatin e një Talk Show me folës që do të marrin pjesë përmes video-lidhjes në platformën interaktive të internetit të OBSH – në forumin Fund TB-së. Folës kryesorë do të jenë ministra, udhëheqës dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë, drejtues të agjencive, të mbijetuar nga TB-ja, shoqëria civile dhe partnerë. Emisioni do të transmetohet drejtpërdrejt, me pyetje dhe përgjigje interaktive online nga publiku.

Emisionin mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:

 

E enjte, 24 mars 2022, 12:30H – 15:00H CET

https://who.zoom.us/j/91034239152

Fjalëkalimi: 21TB$wH5

Përgatiti: Departamenti për promovim shëndetësor dhe mbikëqyrje të sëmundjeve