
Thelbi i fushatës
“Shëndeti është e drejtë e njeriut. Askush nuk duhet të sëmuret ose të vdesë vetëm sepse nuk mund të ketë qasje në shërbimet për të cilat ka nevojë.” – Dr Tedros Adhanom GhebreyesusOrganizata Botërore e shëndetësisë bazohet në parimin se të gjithë njerëzit duhet të kenë mundësi ta realizojnë të drejtën e tyre për një nivel sa më të lartë të mundshëm të shëndetit. Kushtetuta e OBSH-së hyri në fuqi më 7 prill të vitit 1948.
Prandaj “#HealthForAll” paraqet vizionin kryesor të OBSH-së tashmë për më shumë se shtatë dekada. Njëkohësisht paraqet edhe inkurajim për organizatën në mbarë botën për të mbështetur vendet drejt arritjes së një Mbulimi shëndetësor universal (MSHU).
Përvoja edhe një herë dëshmoi se Mbulimi shëndetësor universal arrihet kur ka një vullnet politik të fortë.
Kështu, edhe në këtë 70 vjetor, OBSH-ja u bën thirrje liderëve botëror që t’i plotësojnë premtimet që i dhanë në vitin 2015 kur u pajtuan me qëllimet për një zhvillim të qëndrueshëm dhe tu kushtohen hapave konkrete për përmirësimin e shëndetit të të gjithë njerëzve. Kjo nënkupton që secilit dhe kudo t’i sigurohen shërbimet shëndetësore për të cilat ka nevojë pa u përballur me vështirësi financiare.
Kjo organizatë do e ruajë fokusin tek mbulimi shëndetësor universal nëpërmjet një sërë aktivitetesh që do të realizohen në vitin 2018, duke filluar nga Dita Botërore e shëndetësisë më datë 7 prill, me bisedime lokale dhe globale për mënyrat e arritjes të një Shëndeti për të gjithë.
Pse është i rëndësishëm Mbulimi shëndetësor universal?
Vendet që investojnë në Mbulim shëndetësor universal bëjnë një investim të mirë në kapitalin e tyre njerëzor. Në dekadat e fundit, Mbulimi shëndetësor universal paraqitet një strategji kyçe për arritjen e përparimit drejt qëllimeve shëndetësore dhe qëllimeve më të gjera zhvillimore. Qasja në kujdes cilësor esencial dhe mbrojtje financiare jo vetëm që e përmirëson shëndetin e njerëzve dhe jetëgjatësinë e pritur, por njëkohësisht i mbron vendet edhe nga epidemitë, e zvogëlon varfërinë dhe rrezikun nga uria, krijon vende pune, nxit zhvillimin ekonomik dhe e rrit barazinë gjinore.
Çfarë mund të bëjë Dita Botërore e shëndetit?
Disa nga vendet tashmë kanë arritur një përparim mjaft të madh drejt arritjes së një Mbulimi shëndetësor universal. Por, gjysma e popullatës botërore ende nuk mund t’i shfrytëzojë shërbimet shëndetësore për të cilat ka nevojë. Nëse vendet duan ta arrijnë qëllimin e qëllimeve zhvillimore të qëndrueshme, deri në vitin 2023 dobi nga Mbulimi shëndetësor universal duhet të kenë një miliardë njerëz.
Dita Botërore e shëndetit do shkëlqejë me qendër të vëmendjes tek nevoja për MSHU – dhe dobia që mund ta kemi nga ai. OBSH-ja dhe partnerët e saj do ndajnë shembuj të hapave të cilat duhet të ndërmerren përmes një sërë eventesh dhe bisedimesh që do të mbahen në disa nivele.
Gjatë vitit 2018 kemi për qëllim që t’i frymëzojmë, motivojmë dhe udhëheqim palët e interesuara për MSHU që t’i dedikohen MSHU:
- Frymëzimi- duke e theksuar fuqinë që kanë krijuesit e politikave për ta transformuar shëndetin e kombit të tyre, dhe duke e formësuar sfidën si emocionuese dhe ambicioze, si dhe duke u bërë thirrje të bëhen pjesë e ndryshimit.
- Motivimi – duke dhënë shembuj për vendet që tashmë po përparojnë drejt MSHU dhe duke i inkurajuar të tjerët për ta gjetur mënyrën e tyre.
- Udhëheqja – duke siguruar mjete për dialog të strukturuar politik për mënyrat e avancimit të MSHU në vend ose duke i mbështetur përpjekjet e atilla në vendet e tjera (për shembull, zgjerimi i mbulimit me shërbime, përmirësimi i cilësisë së shërbimeve, zvogëlimi i pagesave nga xhepi i qytetarit, etj.).
Tema, Slogani, Hashtag
- Tema e Ditës Botërore të shëndetit është: Mbulim shëndetësor universal: për të gjithë, gjithkund.
- Slogani është “Shëndet për të gjithë”.
- Hashtag-ët primarë të cilët i përdorim #HealthForAll dhe #WorldHealthDay
Posterët
Si fillim të fushatës ne krijuam disa posterë – në 6 gjuhët zyrtare të OBSH-së: në gjuhën arabe, kineze, angleze, franceze, ruse dhe spanjolle. Secili nga ato paraqet njerëz ose komunitete të cilët shfrytëzojnë dhe/ose mundësojnë shërbime shëndetësore.
Mund t’i gjeni në: www.who.int/healthforall
Porositë kryesore për Ditën Botërore të shëndetit 2018
- Mbulimi shëndetësor i përgjithshëm ka për qëllim të sigurojë që të gjithë njerëzit të mund të pranojnë shërbime shëndetësore cilësore, kudo dhe kurdo që të kenë nevojë, pa pasur vështirësi financiare.
- Shëndeti është e drejtë e njeriut. Askush nuk duhet të zgjedhë mes shëndetit të mirë dhe nevojave të tjera jetësore.
- Mbulimi shëndetësor universal është qenësor për shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve dhe kombeve.
- Mbulimi shëndetësor universal është diçka që mund të realizohet. Disa vende kanë arritur shumë në këtë drejtim. Sfida e tyre është të ruhet kjo arritje dhe të realizohen pritshmëritë e njerëzve.
- Të gjitha vendet do kenë një qasje të ndryshme ndaj Mbulimit shëndetësor universal: nuk ekziston një mënyrë e vetme e cila do ishte e përshtatshme për të gjithë. Por, secili vend mund të bëjë diçka për ta përmirësuar shëndetin përgjithshëm.
- Për t’i bërë shërbimet shëndetësore me të vërtetë universale duhen bërë ndryshime të dizajnimit të sistemeve shëndetësore në lidhje me sëmundjet dhe institucionet ndaj shërbimeve shëndetësore të dizajnuara në lidhje me dhe për njerëzit.
- Të gjithë – individë, komunitete, qytete, punonjës shëndetësor, organizata të shoqërisë civile, medie, qeveri – mund të luajnë rolin e tyre në rrugëtimin drejt një Mbulimi shëndetësor universal, duke marrë pjesë në bisedimet për Mbulimin shëndetësor universal.
Një numër i madh i njerëzve për momentin nuk kanë mbulim shëndetësor
Fjala “Universal” tek Mbulimi shëndetësor universal do të thotë “për të gjithë”, pa diskriminim, duke mos lënë pas dore askënd. Të gjithë, gjithkund, kanë të drejtë të shfrytëzojnë shërbimet shëndetësore për të cilat kanë nevojë, pa u dëmtuar financiarisht gjatë këtij procesi.
Në vazhdim do gjeni disa fakte dhe shifra për gjendjen me Mbulimin shëndetësor universal sot:
- Së paku gjysma e popullatës në botë për momentin nuk ka shërbime shëndetësore themelore.
- Pothuajse 100 milionë njerëz jetojnë në varfëri të skajshme, të detyruar të jetojnë me vetëm 1.90 ose më pak dollarë në ditë, sepse duhet që shërbimet shëndetësore t’i paguajnë nga xhepi i tyre.
- Më shumë se 800 milionë njerëz (pothuajse 12% e popullatës botërore) shpenzojnë së paku 10% nga buxheti familjar për shpenzime shëndetësore për veten e tyre, për fëmijën e sëmurë ose për ndonjë anëtar tjetër të familjes. Ata kanë “shpenzime katastrofale”.
- Këto shpenzime për mbrojtje shëndetësore paraqesin një problem global. Në vendet më të pasura në Evropë, Amerikë latine dhe pjesë të Azisë, të cilat kanë arritur një nivel të lartë të qasjes në shërbime shëndetësore, ka shënuar rritje numri i personave që shpenzojnë së paku 10% nga buxheti i tyre familjar për shpenzime shëndetësore.
Çfarë është Mbulim shëndetësor universal
- Mbulimi shëndetësor universal do të thotë që të gjithë njerëzit dhe komunitetet i pranojnë të gjitha shërbimet shëndetësore për të cilat kanë nevojë pa u përballur me vështirësi financiare.
- Mbulimi shëndetësor universal i mundëson secilit qasje në shërbime të cilat kanë të bëjnë me shkaqet kryesore të sëmundjes dhe vdekjes dhe garanton se cilësia e atyre shërbimeve është mjaftueshëm e mirë për ta përmirësuar shëndetin personave të cilët i pranojnë ato.
Çfarë nuk është Mbulim shëndetësor universal
- Mbulimi i përgjithshëm shëndetësor nuk nënkupton mbulim pa pagesë të të gjitha ndërhyrjeve të mundshme shëndetësore, pa dallim të shpenzimeve, sepse asnjë vend nuk mund të ketë një sigurim të qëndrueshëm dhe pa pagesë të të gjitha shërbimeve.
- Mbulimi shëndetësor universal nuk ka për qëllim të mundësojë vetëm një pako minimale të shërbimeve shëndetësore, por edhe sigurimin e një zgjerimi progresiv të mbulimit me shërbime shëndetësore dhe mbrojtje financiare, sepse në këtë mënyrë do mundësohet qasje në më shumë burime (mjete).
- Mbulimi shëndetësor universal nuk shërben vetëm për trajtimin e individëve, por përfshin edhe shërbime për grupe të popullatës, siç janë fushatat për shëndetin publik – për shembull: shtimi i fluorit në ujin e pijshëm, ose aktivitetet për kontrollimin e shumimit të mushkonjave të cilat bartin viruse që mund të shkaktojnë sëmundje.
- Mbulimi shëndetësor universal nuk paraqet vetëm mbrojtje shëndetësore dhe financim të sistemit shëndetësor në një vend. Ai i përfshin të gjithë komponentët e sistemit shëndetësor: sistemet dhe dhënësit e shërbimeve shëndetësore të cilët i sigurojnë shërbimet shëndetësore për njerëzit, institucionet shëndetësore dhe rrjetet e komunikimit, teknologjitë shëndetësore, sistemet informative, mekanizmat për sigurimin cilësisë, menaxhimin dhe legjislacionin.
Si mund të inkuadroheni edhe ju në Ditën Botërore të shëndetit 2018
Të gjithë mund të inkuadrohen duke: stimuluar bisedime dhe duke kontribuuar për një dialog të strukturuar për politikat të cilat e ndihmojnë vendin për të arritur një qëndrueshmëri të Mbulimit shëndetësor universal.
Më saktësisht,
- Individët angazhohen për të kërkuar shërbime shëndetësore të mira dhe mbrojtje financiare.
- Qytetarët diskutojnë dhe formojnë qëndrime kolektive të cilat pastaj ia përcjellin pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv.
- Partitë politike i krijojnë programet e tyre për t’i plotësuar nevojat e mbështetësve të tyre.
- Komisionet shëndetësore parlamentare dhe grupet shëndetësore ndërmjetësojnë mes krijuesve të politikave dhe atyre që i zbatojnë ato.
- Qeveria zbaton ndryshime në politikë për ta përmirësuar kështu shëndetin dhe nxit rritje ekonomike dhe zhvillim social.
- Shoqatat profesionale mbrojnë mirëqenien e fuqisë punëtore.
- Organizatat qytetare punojnë në terren për ta përfaqësuar kështu zërin dhe brengat e grupeve të ndryshme të popullatës.
- Mediet rrisin vetëdijshmërinë për shëndetësinë universale, si dhe transparencën dhe përgjegjësinë gjatë krijimit të politikave.
Edhe ju mund të udhëhiqni cilin do nga grupet të cilit i përkisni.
Disa ide se ç’mund të bëni
Qeveria
- Inkuadrohuni në bisedime të strukturuara me spektër të gjerë të palëve të prekura në komunitet dhe që janë e një rëndësie qenësore për sigurimin e një Mbulimi shëndetësor universal.
- Analizoni kërkesat, mendimet dhe pritshmëritë e popullatës sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me MSHU për të përmirësuar reflektimet e politikës. Këshillimet me popullatën mund të realizohen përmes dialogut sy më sy, anketave ose me referendum.
- Bashkëpunoni me organizata që kanë fushë veprimi Mbulimin shëndetësor universal me qëllim që t’i hulumtoni zgjidhjet e mundshme për Mbulim shëndetësor universal.
Individët, shoqëria civile dhe punonjësit shëndetësor
- Njoftoni krijuesit e politikave në rrafsh lokal, politikanët, ministrat dhe përfaqësuesit e tjerë të popullit për nevojat, mendimet dhe pritshmëritë tuaja.
- Ngrini zërin, personalisht por edhe përmes rrjeteve sociale, që të siguroheni se nevojat tuaja shëndetësore në komunitete merren në konsideratë dhe përfaqësojnë prioritet në rrafsh lokal.
- Ftoni organizatat e shoqërisë civile të ndihmojnë për ngritjen e vetëdijes për nevojat e komunitetit tuaj tek krijuesit e politikave.
- Ndani me mediet historitë (dëshmitë) tuaja si pacientë dhe si komunitet.
- Nëpërmjet medieve dhe rrjeteve sociale organizoni aktivitete si forume për diskutim, diskutime politike, koncerte, marshime dhe intervista përmes të cilave individëve do ju mundësoni të komunikojnë me përfaqësuesit e tyre në temë MSHU.
Mediet
- Theksoni nismat dhe ndërhyrjet të cilat ndihmojnë në përmirësimin e qasjes në shërbime cilësore dhe mbrojtje financiare të individëve dhe komuniteteve.
- Tregoni se çfarë ndodh kur njerëzit nuk mund t’i shfrytëzojnë shërbimet për të cilat kanë nevojë.
- Theksoni si përgjegjës krijuesit e politikave dhe politikanët si p.sh. përmes filmave dokumentar për premtimet që i kanë bërë në lidhje me MSHU dhe përparësitë, dobësitë dhe sfidat e reja për zgjidhjen e tyre (p.sh. rritjen e numrit të sëmundjeve jo infektive, mplakjen e popullatës, etj.).
- Krijoni platforma për dialog mes shfrytëzuesve, komuniteteve, përfaqësuesve të tyre dhe krijuesve të politikave si p.sh. emisione televizive, intervista dhe diskutimeve në radio.
Shpërndani informacion dhe merrni pjesë në diskutim përmes medieve sociale
Fushatat tona do kenë urë komunikimi kanalet tona në mediet sociale:
https://twitter.com/who (@WHO)
https://www.youtube.com/c/who https://www.instagram.com/who/@worldhealthorganization