Industria e duhanit targeton gjenerata të reja
Fol publikisht #TobaccoExposed
MBROJTJA E TË RINJVE NGA MANIPULIMI I INDUSTRISË SË DUHANIT DHE PARANDALIMI I PËRDORIMIT TË DUHANIT DHE NIKOTINËS
Për dekada me radhë industria e duhanit qëllimisht përdor taktika strategjike, agresive dhe të përpiluara mirë për tërheqjen e të rinjve drejt duhanit dhe produkteve të tij. Dokumente nga industria zbulojnë një hulumtim të detajuar dhe qasje të përllogaritura të dizajnuara për të tërhequr një gjeneratë të re të përdoruesve të duhanit, duke filluar që nga dizajni i produkteve e deri tek fushatat për reklamim të dedikuara për zëvendësimin e miliona njerëzve të cilët vdesin për çdo vit nga sëmundje të cilat janë si rezultat i përdorimit të duhanit – të rinjtë.
Si përgjigje ndaj taktikave sistematike, agresive dhe të qëndrueshme të industrisë së duhanit dhe industrive të ngjashme për tërheqjen e gjeneratave të reja të përdoruesve të duhanit, Dita botërore pa duhan 2020 do mundësojë një kontra-marketing dhe do i inkurajojë të rinjtë të inkuadrohen në luftën kundër “Duhanit të madh”.
Fushata globale për Ditën botërore pa duhan 2020 do shërbejë për:
- Zbulimin e miteve dhe ekspozimin e taktikave për manipulim të përdorura nga industria e duhanit dhe industritë e ngjashme, sidomos taktikat e marketingut drejtuar të rinjve, ato për lançimin e produkteve të reja dhe të pazakonta, shijeve të reja dhe për karakteristikat tjera joshëse;
- Aftësimin e të rinjve me njohuri për qëllimet dhe taktikat e industrisë së duhanit dhe industrive të ngjashme që i përdorin për t’i joshur gjeneratat e tanishme dhe ato të ardhshme të përdorin duhan dhe produkte të duhanit; dhe
- Inkuadrimin e influenserëve (nga kultura pop, nga mediet sociale, në shtëpi apo në shkolla) për t’i mbrojtur të rinjtë dhe me angazhimin e tyre tu japin drejtim ndryshimeve në luftën kundër “Duhanit të madh”.
Si manipulon me të rinjtë industria e duhanit dhe industritë e ngjashme?
- Përdorimi i shijeve të cilat i tërheqin të rinjtë në produktet e duhanit, si shija e qershisë, çamçakizat dhe bonbonet, i inkurajojnë të rinjtë që t’i nënvlerësojnë rreziqet ndaj shëndetit dhe të fillojnë t‘i përdorin këto produkte
- Dizajni elegant dhe joshës i produkteve që mund të jenë të lehta për tu mbajtur dhe që duken si diçka tjetër (p.sh. produkte me formë të USB-së ose bonboneje)
- Promovimi i produkteve si “dëm më i vogël” ose si të “pastruara” të cilat janë një alternativë e cigareve konvencionale në mungesë të një sqarimi shkencor që do i mbështeste këto deklarata
- Sponsorizimi i personave të famshëm/me ndikim dhe eventeve sportive për promovimin e produkteve të duhanit dhe nikotinës (p.sh. persona të famshëm në Instagram)
- Marketing kryesor në pikat e shitjes të cilat vizitohen nga fëmijë, përfshirë këtu edhe pozicionimin e produkteve në afërsi të ëmbëlsirave, patatinave ose pijeve të gazuara, si dhe sigurimin e përqindjes për shitësit me qëllim që ato të mundësojnë ekspozim të produkteve në afërsi të vendeve të cilat i vizitojnë të rinjtë (bashkë me materialet për marketing)
- Shitje me copë e cigareve dhe produkteve të tjera të duhanit në afërsi të shkollave, që ju mundëson fëmijëve një qasje të lirë dhe të lehtë sa i përket produkteve të duhanit dhe nikotinës
- Reklamim indirekt i produkteve të duhanit nëpër filma, emisione televizive dhe përmes internetit
- Automate për shitjen e duhanit në vende që frekuentohen nga të rinjtë, të maskuara me reklama joshëse
- Procedura gjyqësore për ndryshimi e të gjitha llojeve të rregulloreve për kontrollimin e duhanit, përfshirë këtu etiketat me paralajmërime, vendosjen e rregulloreve me të cilat kufizohet qasja dhe marketing për fëmijët në pikat e shitjes (më konkretisht dispozitave për shitje dhe reklamim të produkteve të duhanit në afërsi të shkollave).
Thirrje për aksion
Bota nuk mund të lejojë që edhe një gjeneratë e të rinjve të bie në kurthin e industrisë së duhanit, e cila bën sikur promovon të drejtën lirisë së zgjedhjes personale, ndërkohë që siguron fitime të përhershme – pa dallim që për çdo vit me miliona njerëz paguajnë me jetën e tyre.
OBSH u bën thirrje influenserëve – të kulturës pop, të mediave sociale, në shtëpi dhe në shkolla – që vijnë dhe krijojnë një lidhje me të rinjtë, që t’ua tregojnë atyre taktikat manipulative të industrisë së duhanit që dëshiron të krijojë një gjeneratë të re të përdoruesve të duhanit. Duhet t’i inkurajojmë të rinjtë që t’i kundërvihen “Duhanit të madh” duke mos i besuar gënjeshtrat dhe duke mos i përdorur produktet e industrisë së duhanit.