Dita Ndërkombëtare e Infermiereve dhe Teknikëve është 12 maji dhe festohet çdo vit në kujtim të ditëlindjes së Florence Nightingale. Ajo ka lindur në Firence të Italisë më 12 maj të vitit 1820. Gjithë jetën ka luftuar për të avancuar profesionin e saj dhe të drejtat e grave. Florence Nightingale konsiderohet si një pioniere e infermierisë moderne në botë, ka kontribuar në promovimin e prezantimit grafik të të dhënave statistikore, ka iniciuar edukimin profesional për infermieret dhe ka implementuar metoda për kujdes ndaj pacientit dhe organizimin e spitaleve, të cilat janë të pranuara në shumë vende të botës.

Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Infermierisë, 5 maji shënon Ditën Ndërkombëtare të Mamive dhe 12 maji Ditën Ndërkombëtare të Infermiereve dhe Teknikëve. Pothuajse 50% e punonjësve shëndetësorë janë infermiere dhe mami.

Java e Infermierisë dhe sot Dita Ndërkombëtare e Infermiereve nga këta punonjës mjekësorë po shënohet në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe të jashtëzakonshme, të shkaktuara nga pandemia Covid-19, që edhe sot ende nuk është vlerësuar dhe kategorizuar siç duhet. Virusi i ri theksoi si kurrë më parë rolin dhe sakrificën e tyre të madhe. Infermieret luajnë një rol kyç në promovimin e shëndetit, parandalimin e sëmundjeve dhe ofrimin e kujdesit parësor shëndetësor. Ato ofrojnë kujdes gjatë rasteve emergjente dhe do të jenë vendimtare për arritjen e kujdesit shëndetësor universal.

Pavarësisht rolit kritik që ata luajnë në kujdesin shëndetësor, në mbarë botën ka një mungesë infermieresh që pritet të rritet me rritjen e popullsisë. Çdo vend ka nevojë për një fuqi punëtore kompetente, të motivuar, të alokuar mirë, për mbulimin shëndetësor universal dhe infermieret janë çelësi për realizimin e këtyre përpjekjeve.

Infermieret dhe mamitë përbëjnë pothuajse 50% të fuqisë punëtore shëndetësore në botë. Megjithatë, ata përbëjnë gjithashtu 50% të mungesës globale të punonjësve shëndetësor. Bota ka nevojë për 9 milionë infermiere dhe mami më shumë nëse dëshiron të arrijë mbulimin shëndetësor universal deri në vitin 2030. Në shumë vende, infermieret dhe mamitë përbëjnë pjesën më të madhe të fuqisë punëtore shëndetësore klinike. Arritja e qëllimit për kujdes shëndetësor për të gjithë do të kërkojë përpjekje të mëdha për reduktimin e mungesës për punonjës shëndetësor në mbarë botën.

OBSH njeh rolin jetik që luajnë infermieret në ofrimin e kujdesit shëndetësor parësor në mbarë botën – përfshirë këtu hulumtimin, parandalimin e sëmundjeve, trajtimin e lëndimeve, kujdesin paliativ.

Këshilli Ndërkombëtar i Infermiereve (ICN) e publikoi temën e re për Ditën Ndërkombëtare të Infermiereve (IND) për vitin 2022: Infermierët: Një zë për lidership – Investoni në infermierinë dhe respektoni të drejtat për të siguruar shëndetin global, duke u fokusuar në nevojën për të mbrojtur, mbështetur dhe investuar në profesionin mjekësor për të përforcuar kështu sistemet shëndetësore në mbarë botën.

Infermierja ka një profesion të përgjegjshëm dhe angazhohet për zhvillim të vazhdueshëm profesional dhe edukim të vazhdueshëm mjekësor.

Me avancimin e mjekësisë si shkencë, si dhe me revolucionin modern teknologjik, është rritur efikasiteti i mjekësisë. Zhvillimi i pajisjeve të reja mjekësore përfshin edhe një numër më të madh të personelit të ndryshëm mjekësor që punon dhe menaxhon me ato pajisje. Si pasojë e ndarjes më të detajuar të punës së mjekëve (specializimi dhe subspecializimi) lind nevoja për edukimin e infermiereve ndërdisiplinore në kuadër të ekipeve për trajtimin dhe kujdesin e sëmundjeve në një fushë specifike.Të gjithë faktorët e mësipërm kanë si rezultat një pavarësi të caktuar të personelit të lartë mjekësor në procesin e kujdesit shëndetësor. Sot, të gjitha fushat e specializuara në mjekësi dhe kujdes shëndetësor kanë nevojë për infermiere të trajnuara dhe të specializuara posaçërisht për atë fushë, si dhe staf të lartë mjekësor të kualifikuar. Në Shtetet e Bashkuara dhe në shumë vende të tjera evropiane ka studime master dhe doktoraturë në infermieri. Shpresoj që së shpejti studime të tilla të fillojnë në vendin tonë. Me ndryshimet dhe ndjekjen e këtyre studimeve për infermieret, rritet dhe përmirësohet cilësia e kujdesit shëndetësor dhe trajtimit të pacientëve.

OBSH ka të bërë rekomandime të rëndësishme, përfshirë këtu edhe investime në edukimin e infermiereve dhe mamive, angazhimin e më shumë infermiereve të specializuara, përforcimin e aftësive udhëheqëse të infermiereve dhe mamive, përforcimin dhe njohjen e rolit të infermiereve në sistemin shëndetësor dhe mbështjetjen e punonjësve shëndetësor dhe zbatimin dhe promovimin e shëndetit dhe parandalimin e sëmundjeve, që janë qenësore për zhvillimin e veprimtarisë mjekësore në të ardhmen.

ICN, publikoi një kompilacion me studime të rasteve të ndryshme të dorëzuara nga infermieret në mbarë botën që ta paraqesë shtrirjen e jashtëzakonshme të punës inovative që  e bëjnë infermieret për çdo ditë.  Këto studime që u postuan në ueb-faqen e ICN gjatë gjithë vitit e reflektojnë punën e infermiereve dhe kujdesin për personat e prekur nga COVID-19 gjatë pandemisë, si dhe spektrin e gjerë të infermiereve që gjatë pandemisë vazhduan të kujdesen për të sëmurët që vuajnë nga sëmundje të tjera. Nga lindja e deri në vdekje, nga sëmundjet infektive e deri tee ato joinfektive, shëndeti mendor deri te sëmundjet kronike, në spitale, komunitete dhe familje, infermieret mundësojnë kujdes për të gjithë.

COVID-19 i nxorri në pah mangësitë që janë si pasojë e investimeve të pamjaftueshme  në sistemet shëndetësore në mbarë botën.Tema e IND për vitin 2022 e demonstron nevojën për investime në infermieri, për ndërtimin e një fuqie punëtore elastike, me kualifikim të lartë dhe për të mbrojtur  të drejtat e infermiereve me qëllim që sistemet shëndetësore të transformohen në atë mënyrë që të plotësojnë nevojat e individëve dhe komuniteteve tani dhe në të ardhmen.

РС Maqedonia duhet t’i ndjekë këto gjendje dhe të mundësojë një numër sa më të madh të infermiereve të arsimuara dhe të specializuara që do të angazhohen në sistemin shëndetësor për të mundësuar një mbulim shëndetësor për popullatën në vend.

Ne e shprehim respektin e madh që kemi për infermieret për angazhimin e tyre  dhe kujdesin ndaj gjithë popullatës në kushte pandemie.

 

https://mk.wikipedia.org/wiki/%D0%A4%D0%BB%D0%BE%D1%80%D0%B5%D0%BD%D1%81_%D0%9D%D0%B0%D1%98%D1%82%D0%B8%D0%BD%D0%B3%D0%B5%D0%BB

https://www.who.int/

https://www.icn.ch/news/investing-nursing-and-respecting-nurses-rights-key-themes-international-nurses-day-2022?fbclid=IwAR00-X9-FqrMUALD0h7VPIe81Ny3sDSGiiVf76uXdbLh6yqOvaS8beI3wSQ

 

Përgatiti:

DEPARTAMENTI I PROMOVIMIT TË SHËNDETIT DHE I NDJEKJES SË SËMUNDJEVE