Tema: BASHKËPUNIMI I QENDRAVE ZHVILLIMORE SHËNDETËSORE RAJONALE DHE NDËRTIMI I MUNDËSIVE TË REJA PËR MIRËMBAJTJEN DHE PËRFORCIMIN E  BASHKËPUNIMIT RAJONAL NË SHËNDETIN PUBLIK NË EVROPËN JUG-LINDORE NË SFERËN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE PUBLIKE

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Republika e Maqedonisë u bë anëtare e Rrjetit shëndetësor të Evropës Jug-lindore në vitin 2001 kur edhe u nënshkrua Marrëveshja në Dubrovnik, bashkë me Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Rumaninë dhe Republikën Federative të Jugosllavisë, ndërsa në vitin 2006 si shtete të veçanta këtij rrjeti iu bashkëngjitën edhe Serbia dhe Mali i Zi. Partnerët e rrjetit ndihmuan që të formohen qendrat zhvillimore shëndetësore rajonale, me ç’rast në vitin 2010 në Republikën e Maqedonisë u formua Qendra rajonale për përforcimin e shërbimeve shëndetësore publike me seli pranë Institutit të shëndetit publik të Republikës së Maqedonisë në Shkup.

Funksionet themelore të kësaj qendre përfshijnë:

  • Promovim të politikave dhe prioriteteve në sfera të ndryshme të shëndetit publik
  • Grumbullim dhe shpërndarje të informacioneve, përmes zhvillimit të burimeve rajonale
  • Pjesëmarrje në hulumtime kolaborative nën udhëheqjen e Rrjetit shëndetësor, përfshirë këtu planifikim, zbatim, mbikëqyrje, vlerësim dhe promovim të hulumtimeve
  • Harmonizim të standardeve, udhëzimeve dhe trajnimeve në fusha specifike të shëndetit publik
  • Zhvillim, mbikëqyrje dhe vlerësim të politikave, strategjive dhe praktikave të mira rajonale
  • Mbështetje të rrjetëzimit
  • Bashkëpunim me organizata qeveritare dhe joqeveritare rajonale dhe ndërkombëtare.

Deri më tani kjo qendër ka realizuar hulumtime për vetëvlerësim të gjendjes me shërbimet shëndetësore publike në EJL, që nënkuptonte përdorimin e një mjeti special të OBSH-së për vetëvlerësim.

Bashkëpunimi mes qendrave rajonale për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore publike në 9 vendet anëtare të Rrjetit shëndetësor do vazhdojë edhe më tej me një dinamikë më intensive, sidomos në nivel rajonal.

Pse? Sepse vendet e rajonit kanë probleme të përbashkëta për zgjidhjen e të cilave duhet të kahëzohen aktivitetet e ardhshme, para së gjithash duke ndërtuar mundësi të reja për bashkëpunim në shëndetësinë publike.

Qëllimi i kësaj është që të përforcohet qasja Shëndet për të gjithë në të gjitha politikat e EJL, që nënkupton një qasje gjithëpërfshirëse për shëndetin e cila do mundësojë rritje ekonomike dhe do e përshpejtojë procesin e integrimit të një pjesë të vendeve të EJL dhe Bashkimit Evropian.

Qendra zhvillimore shëndetësore rajonale për shërbime shëndetësore publike në Republikën e Maqedonisë në periudhën në vazhdim do e përforcojë bashkëpunimin me personat nacionalë për kontakt të 8 vendeve të tjera, si dhe vendet anëtare partnere dhe mbështetëse të Rrjetit shëndetësor duke i zbatuar masat dhe aktivitetet e Planit aksionar të Rrjetit shëndetësor për periudhën 2018-2019 me qëllim zbatimin e marrëveshjes të nënshkruar në Kishenjev, Republika e Moldavisë.  Në këtë frymë do të ndërmerren aksione për një ndikim më të madh tek qeveritë e vendeve anëtare të rrjetit shëndetësor në shëndetësi dhe në fushat jashtë saj, duke e promovuar dhe duke e mbrojtur shëndetin e qytetarëve.

Qendra zhvillimore shëndetësore rajonale për shërbime shëndetësore publike në Republikën e Maqedonisë  bashkë me vendet anëtare të rrjetit shëndetësor në EJL dhe në pajtim me marrëveshjen në Kishenjev do veprojë për zbatimin e fushatës së OBSH-së për mbulim shëndetësor universal duke:

  • Rritur mundësitë për mbrojtje nga rreziqet që i kanosen shëndetit të njeriut
  • Siguruar qasje në shërbime shëndetësore dhe preventive të një cilësie të lartë
  • Siguruar barna dhe vaksina të sigurta, cilësore, efektive dhe të domosdoshme për të gjithë
  • Mundësuar trajnime dhe mbështetje për zhvillimin e burimeve shëndetësore
  • Përmirësuar vazhdimisht shërbimet dhe kapacitetet shëndetësore publike përmes krijimit të platformës për zgjidhjen e problemeve tejkufitare në shëndetësinë publike.

Qasjet për të gjithë shoqërinë, të gjithë qeverinë dhe shëndetin në të gjitha politikat do mundësojnë realizim më afatgjatë të Strategjisë Evropiane Shëndeti 2020 dhe Agjendës 2030 të Kombeve të Bashkuara për arritjen e Qëllimeve zhvillimore të qëndrueshme.

Në këto procese natyrisht që është e mirëseardhur mbështetja nga partnerët e Rrjetit shëndetësor të EJL pikërisht për ta promovuar rrjetin dhe rolin që ka në përforcimin e shërbimeve shëndetësore publike në rajon, përmes këmbimit të përvojave dhe informacioneve, zbatimit të hulumtimeve në rajon dhe ndërtimit të kapaciteteve, burime të ardhshme të domosdoshme për praktika të mira dhe Shëndet për të gjithë  përmes një mbulimi shëndetësor universal për të gjithë dhe gjithkund!

Ju faleminderit.