
Të nderuar,
Mirë se erdhët në konferencën tonë për shtyp qëllimi i të cilës është të prezantohen të dhënat statistikore për kancerin e qafës së mitrës në Republikën e Maqedonisë dhe në botë dhe të prezantohen të dhënat për skriningun e realizuar me PAP test që nga fillimi i zbatimit të Programit për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje në Republikën e Maqedonisë e deri më sot.
Duke e informuar publikun e me mbështetje të mjeteve për informim të gjerë, kemi për qëllim të ngremë vetëdijen tek gratë për kontrollet e rregullta preventive dhe për zbulimin e hershëm të simptomave të para të kancerit të qafës së mitrës, me çka do të zvogëlohet morbiditeti dhe vdekshmëria nga ky lloj i sëmundjeve malinje.
Shoqata Amerikane për kancerin e publikoi listën e faktorëve të rrezikut të paraqitjes së kancerit të qafës së mitrës:
- infeksioni me Human Papilloma virus (HPV), për shkak të numrit të madh të partnerëve seksual ose mospërdorimit të prezervativëve
- infeksioni me HIV
- infeksioni me klamidia
- pirja e duhanit
stresi dhe çrregullimet që burojnë nga stresi
- mënyra e të ushqyerit
- kontracepsioni hormonal
- shtatzënitë e shpeshta
- anamneza familjare me raste të kancerit të qafës së mitrës.
Në rrafsh botëror, kanceri i qafës së mitrës merr pjesë me 3,2% në numrin e përgjithshëm të rasteve të reja të kancerit, si dhe në numrin e përgjithshëm të vdekjeve nga kanceri.
Në Republikën e Maqedonisë tek gratë lokalizimi më i shpeshtë i kancerit (rastet e reja) është tek gjinjtë, pastaj tek qafa e mitrës, zorrë të trashë, mushkëri dhe lukth.
PAP testi falas për herë të parë filloi të zbatohet në vitin 2007. Pilot skriningu për zbulimin kancerit të qafës së mitrës u realizua në 4 komuna në periudhën nga viti 2009 deri në vitin 2011. Nga viti 2012 filloi skriningu i organizuar i kancerit të qafës së mitrës tek gratë në moshë nga 24-60 vjet. Qeveria e Republikës së Maqedonisë miratoi Programin për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje që filloi më 01.04.2012.
Duke filluar nga viti 2012 e deri më sot vihet re një tendencë pozitive në numrin e grave të përfshira me skriningun. Efekti i zbatimit të këtij programi shihet në faktin që çdo vit zbulohen raste të reja të kancerit tek gratë të cilat nuk kanë pasur kurrfarë simptomash. Për shembull, në periudhën nga muaji janar deri në muajin shtator të vitit 2018 janë zbuluar 8 raste të kancerit të qafës së mitrës.
Me skriningun, me ndihmën e PAP testit zbulohen abnormalitetet qelizore. Nga gjithsej 31630 PAP teste të kryera në periudhën nga muaji janar deri në muajin shtator të vitit 2018, abnormalitete qelizore janë zbuluar tek 2946, që paraqet 9,3%. Më të shpeshta janë CIN 1 dhe HPV.
Në vitin 2017 është shënuar numër më i ulët i personave që kanë vdekur kanceri i qafës së mitrës krahasuar me 10 vitet e fundit me gjithsej 30 persona të vdekur.
Me ndihmën e skriningut të organizuar pritet që të vazhdojë tendenca e zvogëlimit të incidencës dhe mortalitetit nga kanceri i qafës së mitrës në Republikën e Maqedonisë, që është edhe qëllimi kryesor i këtij Programi.
Prandaj, u bëjmë apel:
– të rinjve të kujdesen për shëndetin e tyre, sidomos shëndetin seksual duke mos i ndërruar shpesh partnerët seksual, duke praktikuar marrëdhënie seksuale të sigurta me prezervativ, fillim më të vonshëm të jetës seksuale, etj.
– grave dhe sidomos grave që u përkasin grupeve vulnerable të vizitojnë me rregull gjinekologun e tyre, të bëjnë PAP testin që si pjesë e programit për parandalim për disa grupmosha të caktuara është falas. Këtë vit kjo përfshin gratë në moshë nga 24-35 vjet, si dhe gratë në moshë nga 36-60 vjet që nuk kanë bëtë PAP test gjatë vitit 2017.
Ju falënderoj për vëmendjen.
Prof. dr. Elena Qosevska, udhëheqëse e Sektorit për promovim, analizë dhe mbikëqyrje të sëmundjeve joinfektive pranë Institutit të shëndetit publik të Republikës së Maqedonisë.