Gjendja aktuale: Sipas të dhënave nga Qendra nacionale për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve (KEELPNO) në Greqi, deri kah mesi i muajit gusht të vitit 2016 janë regjistruar gjithsej 65 raste të malaries, krahasuar me 85 të raportuar gjatë vitit 2015.

Numri më i madh (gjithsej 61) e rasteve të regjistruara të malaries nga ana e autoriteteve lokale janë klasifikuar si të importuara, që do të thotë se sëmundjen e kanë marrë jashtë Greqisë, ndërsa 4 janë klasifikuar si raste autoktone, të fituara në nivel lokal, pas futjes së sëmundje në vend.

Dy rastet e fundit të regjistruara janë në rajonin e Selanikut, ndërsa 2 të tjerat janë raportuar në rajonin e Greqisë perëndimore.

Nga 61 rastet e importuara të malaries, në 11 raste bëhet fjalë për udhëtarë të cilët janë kthyer nga vende ku ka sëmundje të malaries (vende endemike), ndërsa 50 janë raste mes migrantëve të cilët kanë ardhur në Greqi me valën e emigrantëve, kryesisht persona nga nënkontinenti Indian, ose nga ndonjë shtet Afrikan, i prekur nga malaria.

Histori e shkurtër:  Pas pothuajse 4 dekadash pas shpalljes të eradikimit të kësaj sëmundjeje në Greqi, dhe regjistrimit vetëm të rasteve të importuara, rastet e para të sëmundjes të fituar në nivel lokal në Greqi janë regjistruar në vitin 2009, dhe që atëkohë për çdo vit regjistrohen raste sporadike. Numri më i madh i rasteve të fituara në nivel lokal në Greqi në këtë periudhë janë raportuar në vitin 2011 – gjithsej 42, në 5 rajone të ndryshme të vendit. Vitin e kaluar në Greqi u regjistruan gjithsej 85 raste të malaries , nga të cilat 79 u klasifikuan si të importuara, ndërsa 6 të fituara në nivel lokal, me lidhje epidemiologjike me raste të importuara.

Dhurimi i gjakut:  Kur në rajone të caktuara vërtetohet përhapje lokale e malaries, atëherë rekomandohet që autoritetet shëndetësore të ndalojnë/ anulojnë për një kohë të caktuar dhurimin e gjakut në atë rajon, gjatë sezonit aktual dhe gjatë sezonit të ardhshëm të aktivitetit të mushkonjave.

Për këtë arsye, Qendra për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve në Greqi (KEELPNO) dhe Qendra nacionale për dhurimin  gjakut, anuluan përkohësisht dhurimin e gjakut në 12 rajone në Greqi (8 rajone të prekura nga viti i kaluar dhe 4 rajone të reja, të shpallura si të prekura nga malaria në vitin 2016).

Rajonet e prekura në Greqi shtrihen nga Peloponezi e deri në Selanik: Farkadona, Trikala, Palama, Tempe, Ahaj dhe Teba (Greqia qendrore), Evrotas dhe Andravida-Kyllini (Peloponey); Halkida (Evbeja); Maratona (Аtika); dhe Lagada dhe Pylaia (Selanik).

Vlerësimi: Në këtë moment, rreziku nga malaria për udhëtarët në Greqi është i ulët.

 

Gjendja në Evropë

Numri më i madh i vendeve në Evropë raportojnë për raste të importuara të malaries, me ç’rast numri i rasteve të importuara varet nga numri i personave të cilët udhëtojnë në vendet/rajonet endemike, ku malaria është e pranishme vazhdimisht.

Për shembull, në Angli janë regjistruar 1.400 raste të malaries në vitin 2015, të gjitha raste të importuara.

Në Maqedoni në 10 vitet e fundit janë regjistruar 2-5 raste në vit, jo për çdo vit, si dhe shumë rrallë me përfundim fatal (2 raste të vdekjes në periudhën 2005-2015). Në vitin 2016 deri më 24.08.2016, janë regjistruar 5 raste të importuara të malaries dhe një rast i vdekjes.

Vlerësim: Në cilin do vend në Evropë, madje edhe në Maqedoni. Mund të vijë deri tek paraqitja e rasteve të importuara të malaries tek udhëtarët që kthehen nga vendet endemike. Rreziku nga përhapja lokale e sëmundjes është shumë i vogël.

Rekomandime:

Vazhdon të jetë në fuqi rekomandimi për zbatim të masave preventive standarde për mbrojtje nga pickimi i mushkonjave, si dhe për pjesën më të madhe të sëmundjeve të cilat përcillen përmes vektorëve (materiale edukativo – informative për mbrojtje nga pickimi i mushkonjave që mund ta gjeni në faqen e internetit të ISHP  – www.iph.mk).

Udhëtarët në vendet/rajonet në të cilat malaria është sëmundje endemike (në pajtim me listën e publikuar nga OBSH – Udhëtimet ndërkombëtare dhe shëndeti (ITH)) është e nevojshme të pranojnë kemioprofilaksë antimalarike para, gjatë dhe pas kthimit nga këto rajone. Kemioprofilaksa merret në Qendrën përkatëse të shëndetit publik.

Fakte për malarien
Malaria është një sëmundje infektive e rrezikshme për jetën e njeriut të cilën e shkakton një parazit i ashtuquajtur Plasmodium, i cili përcillet tek njerëzit përmes pickimit nga mushkonjat e infektuara.

Ekzistojnë më shumë lloje të plasmodium nga të cilët P. falciparum është një nga parazitët më vdekjeprurës dhe është më i përhapur në Afrikë, ku edhe është i përqendruar edhe numri më i madh i të sëmurëve dhe rasteve të vdekjes.

Infeksioni me parazitë të malaries mund të manifestohet me simptoma të ndryshme që mund të jenë të buta, por edhe shumë të rënda dhe sëmundja mund të ketë si përfundim vdekjen e të sëmurit. Simptomat e para të malaries: temperaturë e lartë trupore, dhimbje koke, edhe dhe të vjella, që zakonisht manifestohen nga 10 deri më 15 ditë pas pickimit nga mushkonja e infektuar. Pa trajtim në kohë, malaria e shkaktuar nga  P. falciparum mund të kalojë në sëmundje të rëndë dhe të përfundojë me vdekje.

Malaria është sëmundje e cila mund të parandalohet dhe mund të shërohet.

Sipas vlerësimit të OBSH, rreth 214 milionë raste të malaries në botë janë regjistruar në vitin 2015. Po këtë vit, në mbarë botën malaria ka shkaktuar rreth 438.000 vdekje, nga të cilat 90% në Afrikë.  Edhe pse kjo shifër është e lartë, në periudhën 2000-2015 vihet re një rënie e shkallës së mortalitetit për 60% në nivel global, dhe prej 66% në nivel të kontinentit afrikan.

OBSH rekomandon një strategji gjithëpërfshirëse  për parandalim, kontroll dhe eliminim të malaries.

Ndërhyrjet themelore përfshijnë: përdorimin e rrjetave të lyera me insekticidë kundër mushkonjave dhe spërkatje me insekticid në mjedise të mbyllura, testim diagnostikues dhe trajtim i rasteve të vërtetuara me barna efektive kundër malaries.

Në vitet e fundit zbatimi i këtyre masave kontribuoi në zvogëlimin e dukshëm të përhapjes së malaries në botë. Megjithatë, përhapja e malaries vazhdon të jetë e pranishme në shumë vende të botës, dhe shkakton me qindra mijëra vdekje për çdo vit.

Burimi:

http://ecdc.europa.eu/en/press/news/_layouts/forms/News_DispForm.aspx?ID=1469&List=8db7286c-fe2d-476c-9133-18ff4cb1b568&Source=http%3A%2F%2Fecdc%2Eeuropa%2Eeu%2Fen%2FPages%2Fhome%2Easpx

http://www.keelpno.gr/

http://ekea.gr/16-αυγούστου-2016-επηρεαζόμενες-περιοχές-α/

http://www.who.int/topics/malaria/en/

http://www.who.int/mediacentre/factsheets/fs094/en/

http://www.who.int/ith/en/

http://www.who.int/malaria/media/world-malaria-report-2015/en/

https://www.cdc.gov/malaria/

http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/27238883