Nga aspekti i shëndetit publik, aktiviteti fizik paraqet një sjellje që në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë ndikon tek shëndeti i popullatës. Në favor të kësaj flasin një numër i madh i hulumtimeve me të cilat është vërtetuar ndikimi i aktivitetit fizik në parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve kronike. Sipas vlerësimeve të OBSH-së 3,2 milionë raste të vdekjes gjatë një viti janë si pasojë e mungesës së aktivitetit fizik. Aktiviteti fizik sot zë një vend të rëndësishëm në shëndetin publik dhe mbetet një segment i rëndësishëm në strategjitë për promovimin e shëndetit të popullatës që zhvillohen dhe zbatohen në mbarë botën. Në vendet e zhvilluara ekziston një sistem për monitorimin e nivelit të aktivitetit fizik, si tek të rriturit, ashtu edhe tek fëmijët dhe adoleshentët.

Çfarë është aktivitet fizik?

Aktiviteti fizik paraqet çdo lëvizje fizike e cila e aktivizon sistemin muskulo-skeletor dhe që rrit shfrytëzimin e energjisë. Aktiviteti fizik është mjet kryesor për përmirësimin e shëndetit fizik dhe mendor të njerëzve dhe që i zvogëlon rreziqet nga shumë sëmundje joinfektive. Aktiviteti fizik realizohet përmes lojës, punës, ecjes, kryerjes së punëve shtëpiake dhe aktiviteteve rekreative dhe nuk duhet të identifikohet me ushtrimet fizike. Ushtrimet fizike janë një nënkategori e aktivitetit fizik, që bëhet në mënyrë të planifikuar, të strukturuar, të përsëritur dhe të qëllimshme, e që ka për qëllim të përmirësojë ose të mirëmbajë një ose më shumë elemente të kondicionit fizik.

Mungesa e aktivitetit fizik është një problem global i shëndetit publik. Mungesa e aktivitetit fizik është faktori i katërt kryesor i rrezikut nga vdekja që në mbarë botën shkakton 6% të vdekjeve. Mungesa e aktivitetit fizik pritet të jetë shkaktari kryesor i kancerit të gjirit dhe zorrës së trashë me 21-25%, i diabetit me 27%  dhe rreth 30% të sëmundjeve ishemike të zemrës.

Mungesa e aktivitetit fizik është një nga faktorët kryesorë për sëmundjet joinfektive dhe vdekjeve në mbarë botën. Aktiviteti i pamjaftueshëm fizik tek disa individë e rrit rrezikun nga kanceri, gjakderdhja në tru dhe diabeti për  20-30% dhe e shkurton jetëgjatësinë për 3-5 vjet. Përveç kësaj, mungesa e aktivitetit fizik e ngarkon shoqërinë përmes shpenzimeve të fshehura e gjithnjë në rritje për kujdes mjekësor dhe si pasojë e uljes të produktivitetit.

Fakte kryesore

  • Mungesa e aktivitetit fizik është një nga faktorët kryesorë të rrezikut nga vdekja në mbarë botën.
  • Aktiviteti i pamjaftueshëm fizik është faktor kryesor rreziku nga sëmundjet joinfektive, si sëmundjet kardiovaskulare, kanceri dhe diabeti.
  • Aktiviteti fizik ka përfitime shëndetësore të rëndësishme dhe ndikon në parandalimin e sëmundjeve joinfektive.
  • Në rrafsh global, një në katër persona të rritur nuk merret me aktivitet fizik.
  • Më shumë se 80% e adoleshentëve në mbarë botën nuk bëjnë aq sa duhet aktivitet fizik.
  • Politikat për zgjidhjen e mungesës së aktivitetit fizik janë në veprim në 56% e vendeve anëtare të OBSH-së.
  • Vendet anëtare të OBSH kanë rënë dakord për rritjen e aktivitetit fizik për 10% deri në vitin 2025.

Sa dhe çfarë aktiviteti rekomandon OBSH-ja?

 Grupmosha nga 5-17 vjet

-Minimum 60 minuta aktivitet fizik mesatar deri në energjik në ditë.

– Aktiviteti fizik për më shumë se 60 min do mundësojë përfitime shtesë për shëndetin.

-Së paku tre herë në javë duhet të bëhen aktivitete të cilat i përforcojnë muskujt dhe kockat.

Grupmosha nga 18 – 64 vjet

  • Maksimum 150 minuta aktivitet fizik me intensitet mesatar gjatë gjithë javës, ose minimum 75 minuta aktivitet fizik energjetik gjatë javës, ose kombinim i barabartë i aktivitetit fizik me intensitet mesatar dhe aktivitet fizik me intensitet të lartë.
  • Për më shumë përfitime shëndetësore, të rriturit duhet ta rrisin kohëzgjatjen e aktivitetit fizik me intensitet mesatar në 300 minuta në javë.
  • Ushtrimet për përforcimin e muskujve dhe kockave, përfshirë këtu edhe grupet më të mëdha të muskujve rekomandohen së paku 2 ditë në javë.

 

Grupmosha mbi 65 vjet

  • Maksimum 150 minuta  aktivitet fizik mesatar ose 75 minuta energjik gjatë javës, ose kombinim i aktivitetit mesatar dhe atij energjik.
  • Për përfitime të tjera shëndetësore ata duhet ta rrisin aktivitetin fizik me intensitet mesatar në 300 minuta në javë.
  • Personat me lëvizshmëri më të dobët duhet të bëjnë ushtrime për përmirësimin e baraspeshës dhe parandalimin e rënieve, 3 ose më shumë ditë në javë.
  • Ushtrimet për përforcimin e muskujve dhe kockave, përfshirë këtu edhe grupet më të mëdha të muskujve rekomandohen së paku 2 ditë në javë.

 

Intensiteti i formave të ndryshme të aktiviteteve fizike dallon tek njerëzit. Për përmirësimin e shëndetit kardio-respirator, i gjithë aktiviteti duhet të zgjasë së paku 10 minuta.

Përfitimet nga aktiviteti fizik dhe rreziqet nga mungesa e aktivitetit fizik

Aktiviteti i rregullt fizik me intensitet mesatar, si ecja ose çiklizmi mundësojnë përfitime të rëndësishme për shëndetin. Çfarë do aktiviteti fizik është më i mirë se kurrëfarë aktiviteti fizik. Duke u bërë më aktiv gjatë ditës dhe atë në mënyra relativisht të lehta, njerëzit shumë lehtë mund t’i arrijnë nivelet e rekomanduara të aktivitetit.

Aktiviteti i rregullt dhe adekuat ndikon në:

  • përmirësimin e kondicionit muskulor dhe kardio-respirator;
  • përmirësimin e shëndetit dhe funksionimit të kockave;
  • zvogëlimin e rrezikut nga hipertensioni, sëmundjet e zemrës, sulmit në tru, diabeti, llojeve të ndryshme të kancerit dhe depresioni;
  • zvogëlimin e rrezikut nga rrëzimi, si dhe thyerjet në këllqe dhe kurriz tek të rriturit.

Aktiviteti i pamjaftueshëm fizik është një nga faktorët kryesorë të rrezikut për vdekshmëri në mbarë botën dhe po shënon rritje në shumë vende dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikon në gjendjen shëndetësore të popullatës në botë.  Personat të cilët nuk janë mjaftueshëm aktiv kanë një rrezik më të lartë për 20% – 30% nga vdekja, për dallim nga personat të cilët janë fizikisht aktiv.

Si të rritet niveli i aktivitetit fizik?

Vendet dhe komunitetet duhet të ndërmarrin aktivitete që tu sigurojnë individëve më shumë mundësi për të qenë aktiv, që të mund ta rrisin nivelin e aktivitetit fizik dhe atë nëpërmjet:

  • Bashkëpunimit me sektorët relevantë për promovimin e aktivitetit fizik, me aktivitete në jetën e përditshme;
  • ndërtimit të vendeve për ecje, çiklizëm dhe formave të tjera të transportit aktiv të sigurta dhe ku do mund të kenë qasje të gjithë;
  • politikave të punës dhe vendeve të punës që nxisin aktivitetin fizik;
  • shkollave me vende të sigurta dhe kapacitete në të cilat nxënësit do mund të jenë aktiv gjatë kohës së lirë;
  • edukimit cilësor fizik që u ndihmon fëmijëve të zhvillojnë modele të sjelljes që do ngërthejnë në vete aktivitete fizike përgjatë gjithë jetës;
  • kapaciteteve të mjaftueshme sportive dhe rekreative që të gjithë të mund të merren me sport.

 

Politikat dhe planet për gjetjen e një zgjedhjeje për aktivitetin e pamjaftueshëm fizik janë zhvilluar në rreth 80% të vendeve anëtare të OBSH-së, edhe pse ato ishin në veprim në vetëm 56% të vendeve në vitin 2013. Autoritetet kombëtare dhe lokale gjithashtu miratojnë politika në një sërë sektorësh për promovimin dhe lehtësimin e aktivitetit fizik.

Mbikëqyrja globale e aktivitetit fizik

Мoduli për vlerësimin e nivelit të aktivitetit fizik tek nxënësit është i integruar në Hulumtimin global për shëndetin e nxënësve me seli në shkolla (GSHS). GSHS është projekt për mbikëqyrjen pranë Qendrës për kontrollin e sëmundjeve (CDC) të OBSH/SHBA, i dizajnuar t’i ndihmojë vendet në matjen dhe vlerësimin e faktorëve të rrezikut në sjelljen dhe faktorëve mbrojtës në 10 fusha kyçe tek të rinjtë në moshë nga 13-17 vjet.

Në vitin 2013 Asambleja Shëndetësore Botërore miratoi një përmbledhje të qëllimeve globale, që përfshijnë zvogëlimin e vdekjes së parakohshme nga sëmundjet joinfektive në 25% dhe zvogëlimin e aktivitetit të pamjaftueshëm fizik për 10% deri në vitin 2025.

„Plani global i veprimit për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve joinfektive 2013-2020“ i udhëheq vendet anëtare të OBSH-së dhe agjencitë e tjera të OKB-së në mënyrën më efektive për t’i arritur këto qëllime. OBSH ndodhet në fazën e zhvillimit të mjeteve specifike të cilat do i ndihmojnë vendet anëtare të zbatojnë aktivitete për arritjen e qëllimeve.

Plani global i veprimit për aktivitetin fizik

Agjenda për vitin 2030 për zhvillim të qëndrueshëm dhe dedikimi i liderëve botëror për të zhvilluar përgjigje kombëtare ambicioze për Qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm (QZHQ) jep një mundësi për refokusimin dhe rinovimin e angazhimeve për promovimin e aktivitetit fizik. OBSH-ja po punon në një plan të ri global për veprim me të cilin do të shfrytëzohet kontributi i të gjithë sektorëve relevant, sidomos përparimi drejt arritjes të qëllimeve globale për sëmundjet joinfektive, të përcaktuara nga Shëndetësia Botërore për vitin 2015 dhe qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm të përcaktuara për vitin 2030.

Plani do mundësojë opsione për politika për vendet anëtare, partnerët ndërkombëtarë dhe OBSH-në, dhe do realizohet në një bashkëpunim të ngushtë me të gjithë faktorët relevantë.

Për zhvillimin e udhëzuesve të ri për aktivitetin fizik dhe mënyrën sedetare të punës, OBSH-ja e inicioi procesin rigoroz të azhurnimit të rekomandimeve për aktivitetin fizik dhe shëndetin e të rinjve dhe të rriturve në vitin 2010, për mbështetje të zbatimit të Planit global të veprimit për periudhën 2018-2030.

Bëni sport që të jeni të shëndetshëm!

Promovimi i shëndetit dhe ndjekja e sëmundjeve joinfektive

 

Referenca:

  1. https://www.who.int/westernpacific/health-topics/physical-activity
  2. https://www.who.int/news-room/detail/04-06-2018-who-launches-global-action-plan-on-physical-activity
  3. https://www.who.int/news-room/fact-sheets/detail/physical-activity
  4. https://www.who.int/publications-detail/global-action-plan-on-physical-activity-2018%E2%80%932030