Lija e majmunit- flaerflaer
 
 

Faktet kryesore

  • Lija e majmunit shkaktohet nga virusi i lisë së majmunit, anëtar i gjinisë Orthopoxvirus në familjen Poxviridae.
  • Lija e majmunit është sëmundje zoonotike virale që shfaqet kryesisht në zonat tropikale të pyjeve të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore dhe herë pas here eksportohet në rajone të tjera.
  • Lija e majmunit zakonisht shfaqet klinikisht me ethe, skuqje dhe ënjtje të nyjave limfatike dhe mund të çojë në sërë komplikimesh mjekësore.
  • Lija e majmunit zakonisht është sëmundje me simptoma të kufizuara që zgjasin nga 2 deri në 4 javë. Mund të ndodhin raste të rënda. Kohët e fundit, raporti i fatalitetit të rasteve ka qenë rreth 3-6%.
  • Lija e majmunit transmetohet te njerëzit nëpërmjet kontaktit të ngushtë me person ose kafshë të infektuar, ose me gjësende të kontaminuara me virusin.
  • Virusi i lisë së majmunit transmetohet nga një person te tjetri nëpërmjet kontaktit të ngushtë me lezione, mukozë, lëngje trupore, spërkla respiratore dhe materiale të kontaminuara siç janë çarçafët.
  • Manifestimi klinik i lisë së majmunit i ngjan asaj të lisë, një infeksion i cili u shpall i çrrënjosur në mbarë botën në vitin 1980.
  • Mbrojtje kundër lisë së majmunit mund të mundësojë edhe vaksina që përdoret kundër lisë, megjithatë tashmë janë zhvilluar edhe vaksina më të reja, nga të cilat njëra është miratuar për parandalimin e lisë së majmunit.
  • Barnat antivirale të cilat paraprakisht janë zhvilluar për mjekimin e lisë, janë licencuar edhe për mjekimin e lisë së majmunit.

Hyrje

Lija e majmunit është sëmundje zoonotike virale (që transmetohet nga kafshët te njerëzit), me simptoma shumë të ngjashme me ato që më parë janë vënë re tek të prekurit nga lija, mirëpo pasqyra klinike e kësaj sëmundjeje është më pak e rëndë. Me çrrënjosjen e lisë në vitin 1980 dhe ndërprerjen e vaksinimit, lija e majmunit u bë virusi orthopoxvirus më i rëndësishëm si rrezik për shëndetin publik. Lija e majmunit shfaqet kryesisht në Afrikën Qendrore dhe Perëndimore, shpesh pranë pyjeve tropikale, por gjithnjë e më shumë po shfaqet edhe në zonat urbane. Nikoqirët e sëmundjes janë kafshët dhe përfshijnë një numër të madh brejtësish dhe primatësh.

Shkaktari

Virusi i lisë së majmunit është virus dy vargor i mbështjellë i ADN-së që i përket gjinisë Orthopoxvirus në familjen Poxviridae. Ekzistojnë dy linja të ndryshme gjenetike të virusit të lisë së majmunit – linja e Afrikës Qendrore (Коngo) dhe linja e Afrikës Perëndimore. Linja e Afrikës Qendrore istorikisht shkakton formë më të rëndë të sëmundjes dhe konsiderohet si më e transmetueshme.

Nikoqiri natyror i virusit të lisë së majmunëve

Si nikoqirë të virusit të lisë së majmunit janë identifikuar lloje të ndryshme të kafshëve (ketrat, minjtë gambikë, minjtë, primatët dhe specie të tjera). Ka ende paqartësi rreth historisë natyrore të virusit të lisë së majmunit dhe është e nevojshme që të bëhen studime të mëtejshme për të identifikuar rezervuarin e saktë dhe mënyrën se si bëhet qarkullimi i virusit në natyrë.

Epidemitë

Lija e majmunit te njerëzit për herë të parë u identifikua në vitin 1970 në Republikën Demokratike të Kongos tek një djalë 9-vjeçar në një rajon ku lija ishte ç’rrënjosur që në vitin 1968. Që atëkohë, numri më i madh i rasteve janë raportuar në zonat rurale, pyjet tropikale të pellgut të Kongos, sidomos në Republikën Demokratike të Kongos, ndërkohë që raste tek njerëzit gjithnjë e më shumë po raportohen nga e gjithë Afrika Qendrore dhe Perëndimore.

Që nga viti 1970, raste të lisë së majmunit janë raportuar në 11 vende afrikane – Benin, Kamerun, Republikën Qendrore të Afrikës, Republikën Demokratike të Kongos, Gabon, Bregun e Fildishtë, Liberi, Nigeri, Republikën e Kongos, Sierra Leone dhe Sudanin e Jugut. Ngarkesa e vërtetë e lisë së majmunit në sistemin shëndetësor nuk dihet. Për shembull, në vitin 1996-1997, në Republikën Demokratike të Kongos u regjistrua një epidemi me vdekshmëri më të ulët dhe incidencë më të lartë se zakonisht. Në të njëjtën kohë është zbuluar një epidemi e lisë (e shkaktuar nga virusi i variçelës, që nuk është orthopoxvirus) dhe lisë së majmunit, që në këtë rast mund të shpjegojë ndryshimet reale ose të dukshme në dinamikën e transmetimit. Në vitin 2017, Nigeria regjistroi një epidemi të madhe, me mbi 500 raste të dyshuara dhe mbi 200 raste të konfirmuara, me një shkallë vdekshmërie prej rreth 3%. Raste vazhdojnë të raportohen edhe sot.

Lija e majmunit është një sëmundje me një rëndësi globale për shëndetin publik sepse nuk i tangon vetëm vendet e Afrikës Qendrore dhe Perëndimore, por edhe mbarë botën.

Në vitin 2003 epidemia e parë jashtë kufijve të Afrikës u paraqit në Shtetet e Bashkuara me ç’rast si burim ishin konktaktet me qen të infektuar.

Këto qen kanë qenë të vendosur bashkë me minj gambik gjatë transportimit të tyre  nga Gana. Kjo epidemi shënoi mbi 70 raste të lisë së majmunit në SHBA.

Lija e majmunit është regjistruar edhe tek udhëtarë nga Nigeria në Izrael në shtator të vitit 2018, në Mbretërinë e Bashkuar në shtator të vitit 2018, dhjetor të vitit 2019, maj të vitit 2021 dhe maj të vitit 2022, në Singapor në maj të vitit 2019 dhe në Shtetet e Bashkuara në korrik dhe nëntor të vitit 2021. Në maj të vitit 2022, më shumë raste të lisë së majmunit u identifikuan në disa vende jo-endemike. Aktualisht janë duke u zhvilluar studime për ta kuptuar më shumë epidemiologjinë, burimet e infeksionit dhe mënyrat e transmetimit.

Përshkrim i epidemisë momentale

Deri më 21.05.2022, OBSH-ja ka raportuar 92 raste të konfirmuara 28 të dyshuara të lisë së majmunit, në 12 vende anëtare të cilat nuk janë endemike për virusin e lisë së majmunit, në tre rajone të OBSH-së. Deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i vdekjes.

monkeypox

Transmetimi

Transmetimi nga kafsha te njeriu mund të ndodhë nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun, lëngjet trupore ose lezionet e lëkurës ose mukozës te kafshët e infektuara. Në Afrikë, dëshmi të infektimit me virusin e lisë së majmunit janë gjetur në shumë kafshë, si ketrat, minjtë gambik, lloje të ndryshme majmunësh dhe të tjerë. Ende nuk është identifikuar rezervuari natyror i lisë së majmunit, megjithëse ka të ngjarë që këto të jenë brejtësit. Konsumimi i mishit të pa gatuar në mënyrën e duhur dhe produkteve të tjera shtazore nga kafshët e infektuara është një faktor i mundshëm i rrezikut. Njerëzit që jetojnë në ose afër zonave pyjore mund të kenë ekspozim indirekt ose të ulët ndaj kafshëve të infektuara.

Transmetimi nga njeriu te njeriu mund të ndodhë nëpërmjet kontaktit të ngushtë me sekrecionet e frymëmarrjes, lezionet në lëkurën e personit të infektuar ose gjësendeve të kontaminuara. Transmetimi përmes spërklave respiratore zakonisht kërkon një kontakt ballë për ballë më të gjatë, gjë që i vë në rrezik më të madh punonjësit shëndetësor, anëtarët e familjes dhe kontaktet e tjera të afërta të rasteve aktive. Megjithatë, zinxhiri më i gjatë i dokumentuar i transmetimit në komunitet viteve të fundit është rritur nga gjashtë në nëntë infeksione të njëpasnjëshme nga njeriu te njeriu. Kjo flet për një rënie të imunitetit në të gjitha komunitetet për shkak të ndërprerjes së vaksinimit kundër lisë. Transmetimi mund të ndodhë edhe nëpërmjet placentës nga nëna tek fetusi (lija e lindur) ose gjatë kontaktit të ngushtë gjatë dhe pas lindjes. Ndërsa kontakti i ngushtë fizik është një faktor rreziku i njohur për transmetim, ende është e paqartë nëse lija e majmunit mund të transmetohet gjatë marrëdhënieve seksuale. Për ta kuptuar më mirë këtë rrezik duhen bërë më shumë studime.

Shenjat dhe simptomat

Periudha e inkubacionit (intervali nga infeksioni deri në fillimin e simptomave) e lisë së majmunit zakonisht zgjat nga 6 deri në 13 ditë, por mund të variojë edhe nga 5 deri në 21 ditë.

Infeksioni mund të ndahet në dy periudha:

  • Periudha e invazionit (zgjat 0-5 ditë) karakterizohet me ethe, dhimbje të forta të kokës, limfadenopati (ënjtje e nyjeve limfatike), dhimbje në kurriz, mialgji (dhimbje të muskujve) dhe asteni intensive (lodhje, mungesë energjie).

Limfadenopatia është karakteristikë e lisë së majmunit dhe e dallon atë nga sëmundjet e tjera që fillimisht mund të duken të ngjashme (lija e dhenve, fruthi, rubeola);

  • Shpërthimet në lëkurë zakonisht fillojnë brenda 1 deri në 3 ditë pas fillimit të temperaturës. Shpërthimi ka tendencë të jetë më i përqendruar në fytyrë dhe gjymtyrë sesa në trup. Prek fytyrën (në 95% të rasteve) dhe pëllëmbët e duarve dhe këmbëve (në 75% të rasteve). Prek edhe membranat dhe mukozën orale (në 70% të rasteve), organet gjenitale (30%) dhe konjuktiva (20%), si dhe korneën. Kalon gradualisht nga makulat (lezione me bazë të sheshtë) në papula (në papula (lezione të forta pak të ngritura), vezikula (lezione të mbushura me lëng të pastër), pustula (lezione të mbushura me lëng të verdhë) dhe kore që thahen dhe bien. Numri i lezioneve varion nga disa në disa mijëra. Tek rastet e rënda lezionet mund të bashkohen dhe kështu të heqin pjesë të mëdha të lëkurës.

Lija e majmunit zakonisht është një sëmundje vetë-kufizuese, me simptoma që zgjasin 2 deri në 4 javë. Rastet e rënda janë më të shpeshta tek fëmijët dhe varen nga shkalla e ekspozimit ndaj virusit, shëndeti i fëmijës dhe natyra e komplikimeve. Mangësitë imunoliogjike mund të shkaktojnë një pasqyrë më të rëndë. Edhe pse në të kaluarën vaksinimi kundër kundër lisë mundësonte një mbrojtje, sot njerëzit nën moshën 40-50 vjeç (varësisht nga vendi) mund të jenë më të ndjeshëm ndaj lisë së majmunit për shkak të ndërprerjes së fushatave të vaksinimit kundër lisë në nivel global pas çrrënjosjes së kësaj sëmundjeje. Komplikimet nga lija e majmunit mund të manifestohen si infeksione dytësore, bronkopneumoni, sepsë, encefalit dhe infeksion të kornesë që ka si pasojë humbjen e shikimit. Shkalla e infeksioneve asimptomatike nuk dihet.

Vdekshmëria nga lija e majmunit historikisht varion nga 0 në 11% tek popullata e përgjithshme dhe gjithmonë ka qenë më e lartë tek fëmijët e vegjël. Kohët e fundit, shkalla e vdekshmërisë është rreth 3-6%.

Diagnoza

Diagnoza klinike diferenciale që duhet të merret parasysh përfshin sëmundje të tjera me skuqje, të tilla si lija, fruthi, infeksionet bakteriale të lëkurës, skabiesi, sifilizi dhe alergjitë nga barnat. Limfadenopatia gjatë fazës prodromale të sëmundjes mund të jetë një tipar klinik që dallon linë e majmunit nga lija dhe fruthi.

Nëse ka dyshime se bëhet fjalë për linë e majmunit, punonjësit shëndetësor duhet të marrin një mostër të përshtatshme dhe ta transportojnë atë në mënyrë të sigurt në një laborator me kapacitet për këtë lloj analizash. Vërtetimi i lisë së majmunit varet nga lloji dhe cilësia e mostrës së marrë dhe nga lloji i analizës laboratorike. Mostrat duhet të paketohen dhe dërgohen në përputhje me kërkesat kombëtare dhe ndërkombëtare për mënyrën e paketimit dhe transportimit të materialit infektiv.

Reaksioni zinxhir i polimerazës (PCR) është testi laboratorik i preferuar për shkak të saktësisë dhe ndjeshmërisë së tij. Mostrat optimale diagnostike për linë e majmunit janë ato të marra nga lezionet e lëkurës – koret ose lëngu i vezikulave dhe pustulave, dhe koret. Mostrat e lezioneve duhet të ruhen në një tub të thatë, steril (pa medium transportues për virusin) dhe në mjedis të ftohtë. Testet PCR të gjakut zakonisht janë jobindëse për shkak të kohëzgjatjes së shkurtër të viremisë në krahasim me kohën e marrjes së mostrave pas fillimit të simptomave dhe nga pacientët nuk duhet të merren në mënyrë rutinore.

Për shkak se ortopoxviruset janë serologjikisht ndër-reaktivë, metodat për zbulimin e antigjeneve dhe antitrupave nuk mundësojnë vërtetim specifik për linë e majmunit. Prandaj, për diagnostikimin ose ekzaminimin e rasteve kur burimet janë të kufizuara nuk rekomandohet serologjia dhe metodat e zbulimit të antigjenit. Përveç kësaj, vaksinimi paraprak me një vaksinë të bazuar në vаccinia-virus  (p.sh., çdo person i vaksinuar para çrrënjosjes së lisë, ose i vaksinuar gjatë kohëve të fundit për shkak të një rreziku më të lartë, si p.sh. punonjësit në laboratorit për ortopoxvirus) mund të kenë si pasojë rezultate pozitive false.

Për t’i interpretuar rezultatet e testit, një rëndësi qenësore ka sigurimi i informacionit për pacientin, si: a) data e fillimit të temperaturës, b) data e paraqitjes së shpërthimeve në lëkurë, c) data e marrjes së mostrës, d) statusi aktual i individit ( faza e shpërthimit) dhe e) mosha.

Теrapiа

Kujdesi klinik për linë e majmunit është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe duhet të optimizohet plotësisht për të lehtësuar simptomat, për të menaxhuar komplikimet dhe për të parandaluar pasojat afatgjata. Pacientëve duhet t’u ofrohen lëngje dhe ushqim për ta ruajtur nivelin e duhur nutritiv. Infeksionet bakteriale dytësore duhet të trajtohen me kujdes.

Agjensi antiviral i njohur si tecovirimat, i cili u zhvillua për trajtimin e lisë, nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) në vitin 2022 u licencua edhe për linë e majmunit, mbi bazë të të dhënave nga studimet e zhvilluara tek kafshët dhe njerëzit. Por, nuk është në dispozicion në të gjitha vendet.

Nëse përdoret për trajtimin e pacientëve, përdorimi i tecovirimat duhet të monitorohet, në kontekstin e hulumtimit klinik me mbledhje prospektive të të dhënave.

 

Vaksinimi

Nëpërmjet disa studimeve vëzhguese është vërtetuar se vaksina kundër lisë është treguar rreth 85% efektive në parandalimin e lisë së majmunit. Vaksinimi paraprak kundër lisë mund të ndikojë për një pasqyrë më të butë klinike të infeksionit me linë e majmunit. Dëshmitë për vaksinimin paraprak kundër lisë zakonisht mund të gjenden në formën e një shenje në pjesën e sipërme të krahut. Për momentin, vaksinat origjinale (të gjeneratës së parë) kundër lisë nuk janë të disponueshme më për publikun e gjerë. Disa punonjës shëndetësor ose stafi laboratorik mund të kenë marrë një vaksinë më të re kundër lisë, për tu mbrojtur nga ekspozimi i mundshëm ndaj ortopoxviruseve në vendin e punës.

Një vaksinë më e re, e bazuar në një virus të modifikuar të dobësuar të vаccinia-virus (Ankara virusi), është miratuar për parandalimin e lisë në vitin 2019. Kjo është një vaksinë me dy doza, disponueshmëria e së cilës mbetet e kufizuar. Vaksinat kundër lisë dhe lisë së majmunit janë zhvilluar në formulime të bazuara në vaccinia-virus dhe mundësojnë një përgjigje imune për shkak të reaktivitetit të kryqëzuar ndaj ortopoxviruseve.

 

Parandalimi

Rritja e ndërgjegjësimit për faktorët e rrezikut dhe edukimi i njerëzve për masat që mund të marrin për të reduktuar ekspozimin ndaj virusit është strategjia kryesore e parandalimit të lisë së majmunëve. Tani po zhvillohen studime shkencore për të vlerësuar fizibilitetin dhe përshtatshmërinë e vaksinimit për parandalimin dhe kontrollin e lisë së majmunëve. Disa vende kanë, ose po zhvillojnë, politika për të ofruar vaksinë për personat që mund të jenë në rrezik si personeli laboratorik, ekipet e reagimit të shpejtë dhe punonjësit shëndetësorë.

Reduktimi i rrezikut të transmetimit njeri në njeri

Mbikëqyrja dhe identifikimi i shpejtë i rasteve të reja është kritik për kontrollin e epidemisë. Gjatë epidemive të lisë së majmunëve, kontakti i ngushtë me personat e infektuar është faktori më i rëndësishëm i rrezikut për infeksionin me virusin e lisë së majmunëve. Punonjësit shëndetësorë dhe anëtarët e familjes janë në një rrezik më të madh të infeksionit. Punonjësit shëndetësorë që kujdesen për pacientët me infeksion të dyshuar ose të konfirmuar të virusit të lisë së majmunit, ose që trajtojnë mostra prej tyre, duhet të zbatojnë masat paraprake standarde të kontrollit të infeksionit. Nëse është e mundur, për t’u kujdesur për pacientin duhet te zgjidhen personat që paraprakisht janë vaksinuar kundër fruthit.

Mostrat e marra nga njerëzit dhe kafshët me infeksion të dyshuar të virusit të lisë së majmunit duhet të trajtohen nga staf i trajnuar që punon në laboratorë të pajisur siç duhet.  Mostrat e pacientëve duhet të përgatiten në mënyrë të sigurt për transport me paketime të trefishta në përputhje me udhëzimet e OBSH-së për transportimin e materialeve infektive.

Identifikimi i klasterëve të lisë së majmunit në maj të vitit 2022 në disa vende jo-endemike pa lidhje të drejtpërdrejta të komunikimit me zonat endemike është atipik. Po bëhen analiza të mëtejshme për të përcaktuar burimin e mundshëm të infeksionit dhe për të kufizuar përhapjen e mëtejshme. Meqenëse burimi i kësaj epidemie ende po hetohet, për ta mbrojtur shëndetin publik e rëndësishme është që të merren parasysh të gjitha mënyrat e mundshme të transmetimit.

 Zvogëlimi i rrezikut të transmetimit të zoonozave

Me kalimin e kohës, shumica e infeksioneve njerëzore janë rezultat i transmetimit parësor nga kafsha te njeriu. Kontakti i pambrojtur me kafshët e egra, veçanërisht ato që janë të sëmura ose të vdekura, duke përfshirë mishin, gjakun dhe pjesë të tjera të tyre duhet evituar. Për më tepër, të gjitha ushqimet që përmbajnë mish kafshësh ose pjesë të tyre duhet të gatuhen plotësisht përpara se të konsumohen.

Parandalimi i lisë së majmunëve përmes kufizimeve në tregtinë e kafshëve

Disa vende kanë vendosur rregulla që kufizojnë importin e brejtësve dhe primatëve jo-njerëzor. Kafshët që janë potencialisht të infektuara me linë e majmunëve duhet të izolohen nga kafshët e tjera dhe të vendosen në karantinë të menjëhershme.

Çdo kafshë që mund të ketë rënë në kontakt me një kafshë të infektuar duhet të karantinohet, të trajtohet me masa paraprake standarde dhe të vëzhgohet për simptomat e lisë së majmunëve për 30 ditë.

Cila është lidhja mes lisë dhe lisë së majmunit

Pasqyra klinike e lisë së majmunit ngjan me atë të lisë, një infeksion i ngjashëm me ortopoxvirus që është çrrënjosur. Lija është transmetuar më lehtë dhe më shpesh ka qenë fatale, për shkak se nga ajo kanë vdekur rreth 30% e pacientëve. Rasti i fundit i lisë të fituar në mënyrë natyrale është regjistruar në vitin 1977, ndërsa në vitin 1980, pas një fushate globale për vaksinimim, ajo u shpall e çrrënjosur në mbarë botën. Kanë kaluar 40 vjet ose më shumë që kur të gjitha vendet e kanë ndërprerë vaksinimin rutinor kundër lisë me vaksina të bazuara në vаccinia-virus. Duke pasur parasysh se vaksinimi mbron edhe nga lija e majmunit në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore, popullatat e pavaksinuara tani janë më të ndjeshme ndaj infeksionit me virusin e lisë së majmunit.

Edhe pse lija nuk shfaqet më natyrshëm, sektori shëndetësor global mbetet vigjilent në rast të një rishfaqjeje përmes mekanizmave natyrorë, aksidenteve laboratorike ose lëshimeve të qëllimshme. Për të siguruar një gatishmëri globale në rast të rishfaqjes së lisë,  po zhvillohen vaksina, diagnostikim dhe agjensë antiviralë më të reja. Ato tani mund të jenë të dobishme edhe për parandalimin dhe kontrollin e lisë së majmunit.

Reagimi i OBSH-së

OBSH i mbështet vendet anëtare në monitorimin, përgatitjen dhe aktivitetet për reagim ndaj epidemisë së lisë së majmunit në vendet e prekura.

 

Vlerësimi i rrezikut nga OBSH

Lija endemike e majmunit kufizohet gjeografikisht në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore. Identifikimi i rasteve të konfirmuara dhe të dyshuara të lisë së majmunit pa histori udhëtimi në një zonë endemike në shumë vende është atipike, prandaj, ekziston një nevojë urgjente për të rritur ndërgjegjësimin për linë e majmunit dhe për gjetjen dhe izolimin e rasteve, monitorimin e kontakteve dhe për të mundësuar mbështetje për kufizimin e  transmetimit të mëtejshëm.

Imuniteti mbrojtës i fituar nga vaksinimi kundër lisë tek të moshuarit do të jetë i kufizuar, për shkak se popullata rreth moshës 40 ose 50 vjeç në mbarë botën nuk kanë më dobi nga mbrojtja që mundësojnë vaksinat e mëparshme kundër lisë. Tek të rinjtë që jetojnë në vende jo-endemike imuniteti ndaj lisë së majmunit është i dobët, sepse virusi nuk ka qenë i pranishëm.

Historikisht, vaksina kundër lisë është treguar si mbrojtëse kundër lisë së majmunit. Edhepse në vitin 2019 dhe në vitin 2022 u miratua një vaksinë (MVA-BN) dhe një trajtim specifik (tecovirimat) kundër lisë së majmunit, këto masa ende nuk janë gjerësisht të disponueshme.

Bazuar në informacionet që për momentin janë në dispozicion, rastet kryesisht, por jo ekskluzivisht, janë identifikuar te meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj (MMM) e që kanë nevojë për kujdes në mbrojtjen shëndetësore primare dhe klinikat e shëndetit seksual. Deri më tani nuk është raportuar asnjë vdekje. Megjithatë, në këtë fazë shkalla e transmetimit lokal është e paqartë për shkak të mbikëqyrjes së kufizuar. Ekziston mundësia që të identifikohen raste të tjera të zinxhirëve të paidentifikuar të transmetimit, përfshirë këtu edhe tek popullata të tjera. Meqenëse shumë vende në disa rajone të OBSH-së kanë raportuar raste të lisë së majmunit, mundësia që edhe vendet e tjera të identifikojnë raste është shumë e madhe.

Situata po evoluon dhe me përhapjen e mbikëqyrjes në vendet jo-endemike OBSH pret që të identifikohen më shumë raste të lisë së majmunit. Aktivitetet e ndërmarra fokusohen në informimin e atyre që janë më të rrezikuar nga infeksioni me linë e majmunit me informacion të saktë, parandalimin e përhapjes së mëtejshme dhe mbrojtjen e punonjësve në vijën e parë.

 

Këshilla të OBSH-së

Identifikimi i rasteve dhe përhapja më tej në vendet që po raportojnë raste dhe në shtetet e tjera anëtare është shumë i mundur. Çdo pacient i dyshuar për linë e majmunit duhet të ekzaminohet dhe, nëse konfirmohet, të izolohet derisa lezionet të kalojnë në kore, të bjerë korja dhe të krijohet një shtresë e re e lëkurës.

Vendet gjithashtu duhet të përgatiten edhe për pacientët që manifestojnë një skuqje atipike që pastaj në faza të mëtejshme kalojnë në makula, papula, vezikula, pustula, kore, në të njëjtën fazë të zhvillimit të të gjitha pjesët e prekura të trupit – të cilat mund të shoqërohen me ethe, ënjtje të nyjeve limfatike, dhimbje të shpinës dhe dhimbje të muskujve. Këta individë mund të drejtohen në shumë institucione në komunitet dhe institucione të kujdesit shëndetësor, duke përfshirë edhe, por pa u kufizuar vetëm në ato të kujdesit shëndetësor primar, klinikat e sëmundjeve infektive, shërbimet e shëndetit seksual, njësitë e obstetrikës dhe gjinekologjisë, urologjisë, njësitë e urgjencës dhe klinikat e dermatologjisë. Rritja e ndërgjegjësimit tek komunitetet potencialisht të prekura, si dhe tek ofruesit e kujdesit shëndetësor dhe punonjësit laboratorik është qenësore për identifikimin dhe parandalimin e rasteve të tjera sekundare dhe menaxhimin efektiv të epidemisë aktuale.

Bazuar në informacionet në dispozicion, OBSH-ja nuk rekomandon që vendet anëtare të miratojnë ndonjë masë ndërkombëtare sa  i përket udhëtimit për pasagjerët, si gjatë hyrjes ashtu edhe gjatë daljes nga ndonjë vend.

 

Instituti  i Shëndetit Publik i RMV-së

Departamenti i epidemiologjisë së sëmundjeve infektive

Njësia e parandalimit dhe e kontrollit të sëmundjeve ngjitëse

 

Përkthim i pa autorizuar i materialeve të publikuara nga OBSH:

  1. https://www.who.int/news-room/fact-sheets/detail/monkeypox
  2. https://www.who.int/emergencies/disease-outbreak-news/item/2022-DON385