Kontributi për realizimin e Qëllimit 8 nga Agjenda për zhvillim të qëndrueshëm

Shënimi i Ditës Botërore të sigurisë dhe shëndetit në punë  – 28 prilli ka për qëllim përmirësimin dhe parandalimin e lëndimeve në vendin e punës dhe sëmundjet profesionale. Organizata ndërkombëtare e punës (ONT) për çdo vit këtë ditë e fillon me realizimin  një fushate vjetore për ngritjen e vetëdijes në fusha të ndryshme të sigurisë dhe shëndetit në punë, me parulla të ndryshme. Qëllimi kryesor është që të fokusohet vëmendja ndërkombëtare dhe të shprehet shqetësimi për gjendjen me sigurinë dhe shëndetin në rrafsh global, si dhe të nxitet krijimi i një kulture të sigurisë.
Në shumë vende të botës institucionet përgjegjëse kombëtare, sindikatat, organizatat e punëdhënësve, subjektet profesionale dhe sektori joqeveritar me rastin e  shënimit të kësaj dite ndërmarrin dhe organizojnë aktivitete të ndryshme duke dashur kështu ta japin kontributin e tyre për përmirësimin e sigurisë dhe shëndetit të punonjësve dhe për parandalimin e sëmundjeve profesionale dhe lëndimeve në punë.
28 prilli gjithashtu është edhe Ditë ndërkombëtare komemorative dedikuar të gjithë punonjësve që kanë ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve në punë ose sëmundjeve profesionale, ose që janë lënduar në vendin e  tyre të punës, si dhe që vuajnë nga ndonjë sëmundje profesionale. Shënimin e kësaj dite e inicion lëvizja e sindikatave ndërkombëtare që në vitin 1996, ndërsa nga viti 2003 inkuadrohet edhe Maqedonia dhe Organizata ndërkombëtare e punës (ONT). ONT theksin e aktiviteteve të saj e vë  tek përforcimi  tradicional i dialogut trepalësh  dhe ndarja e përgjegjësive, si bazë për avancimin e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Kjo ditë paraqet një mundësi të dyfishtë, si për respektimin e viktimave, ashtu edhe për ta shënuar atë në mënyrë solemne, por me theksin tek fakti se numri i këtyre fatkeqësive dhe vdekjeve mund të jetë më i vogël, nëse shkaqet vihen re dhe parandalohen me kohë. Qëllimi përfundimtar i ditës botërore të sigurisë dhe shëndetit në punë është që të mobilizohen të gjitha potencialet e një vendi për të avancuar kushtet e punës, për të parandaluar sëmundjet profesionale dhe lëndimet në punë, për të ngritur nivelin e kulturës të sigurisë dhe për të krijuar kushte për një punë më dinjitoze për të gjithë.
Fushata e ONT në Ditën botërore të sigurisë dhe shëndetit në punë për vitin 2017 do të përqendrohet në nevojat kritike të vendeve për përmirësim të kapaciteteve të tyre për grumbullim, vlerësim dhe përdorim të të dhënave relevante, të sakta dhe të sigurta për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Agjenda e Kombeve të bashkuara për zhvillim të qëndrueshëm që u miratua në 25 shtator të vitit 2015 ka caktuar më shumë qëllime specifike për eliminimin e varfërisë, mbrojtjen e planetit dhe prosperitet për të gjithë. Me miratimin e saj, kapaciteti për grumbullim dhe përdorim të treguesve relevantë dhe të saktë për sigurinë dhe shëndetin në punë u bë diçka e domosdoshme për të gjitha vendet që në angazhimin e përgjithshëm të tyre kanë caktuar si qëllim  zbatimin e 17 qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm.
Qëllimi 8 për zhvillim të qëndrueshëm duhet të sigurojë një zhvillim ekonomik gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, punësim të plotë dhe produktiv, si dhe një punë dinjitoze për të gjithë. Qëllimi 8.8. është i fokusuar drejt “mbrojtjes të të drejtave në punë dhe promovimit të sigurisë në mjedisin e punës për të gjithë punonjësit, përfshirë këtu edhe punonjësit-emigrantë si dhe ata punësimi i të cilëve është i pasigurt.” Për realizimin e qëllimit 8.8 vendet kanë për detyrë të raportojnë për këto tregues:  shkalla e frekuencës/incidenca e lëndimeve fatale dhe jofatale në punë, dhe atë të ndara sipas gjinisë dhe statusit migrant të punonjësve.
Një numër i madh i konventave të ONT nga vendet të cilat i kanë ratifikuar këto konventa kërkojnë të vendosin mekanizma efektive për përdorimin e treguesve relevant si bazë për parandalimin e problemeve që kanë të bëjnë me punën dhe shëndetin profesional. Theksi është vënë tek e dhëna se ato dhe të tilla të dhëna janë të domosdoshme për identifikimin e rreziqeve ekzistuese, por edhe atyre të rejave, për identifikimin e sektorëve me rrezik më të lartë, zhvillimin e masave për parandalim dhe zbatimin e politikave adekuate, sistemeve dhe programeve në rrafsh ndërkombëtar, kombëtar dhe lokal, si dhe në secilën ndërmarrje në veçanti. Përdorimi i treguesve relevant dhe të saktë për sigurinë dhe shëndetin në punë siguron një bazë për përcaktimin e prioriteteve dhe për matjen e progresit.
Në Rregulloren e Bashkimit Evropian gjithashtu është përcaktuar detyrimi për zbatimin e një sistemi për grumbullimin e të dhënave relevante statistikore nga fusha e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Në dhjetor të vitit 2008 Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian e miratuar Rregulloren për të dhënat statistikore në fushën e shëndetit publik dhe shëndetit dhe sigurisë nëpunës  (Regulation EC –  No 1338/2008) me të cilën caktohet një kornizë e përbashkët për menaxhim dhe grumbullim të të dhënave statistikore në këto fusha. Kjo rregullore ka për qëllim të sigurojë siguri se statistika shëndetësore mundëson informacion adekuat për mbikëqyrjen e aktiviteteve në fushën e shëndetit publik dhe atij profesional dhe sigurisë në punë.  Kjo rregullore u referohet 5 fushave për të cilat është e domosdoshme që të sigurohen të dhëna statistikore adekuate dhe cilësore:
·         Statusi shëndetësor dhe determinantat e shëndetit
·         Mbrojtja shëndetësore
·         Shkaqet e vdekjes
·         Lëndimet në punë
·         Sëmundjet profesionale dhe probleme të tjera shëndetësore si pasojë e punës
 
Në pajtim me nenin  9(1) të Rregullores nr. 1338/2008, Bashkimi Evropian në prill të vitit 2011 e miratoi edhe Rregulloren EU nr. 349/2011 për zbatimin e hulumtimeve statistikore për lëndimet në punë. Me këtë rregullore u vendos metodologjia e vetme për grumbullim të të dhënave (metadata) dhe përpunimin e tyre.  Në vazhdim kjo duhet të mundësojë krijimin e të dhënave statistikore komparabile si parakusht për monitorimin e gjendjes në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë,  identifikimin e pikave të dobëta dhe definimin e një politike kombëtare adekuate dhe planeve për veprim në fushën relevante.
Pas vendosjes së bazave ligjore dhe parimeve metodologjike, Bashkimi Evropian e caktoi edhe kornizën strategjike për sigurinë dhe shëndetin në punë për periudhën 2014-2020. Ky dokument ka për qëllim të sigurojë një mbrojtje më të mirë të më shumë se 217 milionë punonjësve në Bashkimin Evropian përmes zbatimit të 7 qëllimeve strategjike, nga të cilat qëllimi i gjashtë i është dedikuar pikërisht përmirësimit të grumbullimit të të dhënave statistikore, evidentimit të tyre më efikas dhe zhvillimit të mjeteve për monitorimin e gjendjes.
Për ta realizuar këtë qëllim strategjik e domosdoshme është që çdo vend të vendosë një Sistem kombëtar për raportim dhe grumbullim të të dhënave statistikore nga fusha e sigurisë dhe shëndetit në punë. Ky sistem duhet të sigurojë të dhëna relevante, të sakta dhe komparatibile, vlerësim dhe publikim të tyre, të cilat duhet të shërbejnë për propozimin dhe krijimin e politikave për parandalim dhe vendosjen dhe kontrollin e masave për korrigjim. Njëkohësisht, ato tregues statistikor duhet të jenë bazë për definimit të mekanizmave kompenzuese në rast të lëndimit në punë dhe/ose sëmundjes profesionale. Theksi duhet vënë tek grumbullimi i 4 llojeve të të dhënave dhe gjenerimi i treguesve statistikor adekuat: për lëndimet në punë, për sëmundjet profesionale, për rreziqet/ngjarjet e rrezikshme dje për lëndimet që ndodhin gjatë rrugës për dhe nga shtëpia.
Republika e Maqedonisë në periudhën e kaluar ka pasur një sistem statistiko-shëndetësor të zhvilluar mirë për grumbullimin dhe përpunimin e të dhënave të marra përmes evidencës individuale dhe kolektive në shëndetësi, përfshirë këtu edhe fushën e sigurisë  dhe shëndetit në punë. Por, tranzicioni në ekonomi, si dhe reformat në sistemin shëndetësor  imponuan përmbajtje dhe forma të reja  të punës, për të cilat nuk ishin vendosur në kohë mekanizmat për raportim statistikor dhe për kontroll të zbatimit të tyre. Kjo u reflektua negativisht edhe në cilësinë e statistikës shëndetësore me të cilën edhe sot disponojmë në këtë fushë.
Pas miratimit të Ligjit për siguri dhe shëndet në punë u hap një hapësirë e re për krijimin e një sistemi bashkëkohor dhe të harmonizuar për përmirësimin e sigurisë në punë dhe parandalimin e lëndimeve në punë dhe sëmundjeve profesionale.  Menjëherë pas miratimit të ligjit u formuan edhe dhe institucione subjekte ligjore të autorizuara për sigurinë në punë dhe për mjekësinë e punës. Në fillim veprimtaria e tyre ishte e fokusuar në përcaktimin e parimeve të reja dhe bashkëkohore në veprimtarinë e tyre, në pajtim me dispozitat e reja ligjore, ndërkohë që raportimi për punën e kryer dhe gjendjet e vërtetuara me sa duket mbeti në margjinat e aktiviteteve të tyre profesionale. Raportimi për lëndimet në punë u la pothuajse vetëm në duart e punëdhënësve, të cilët, sipas Ligjit për siguri dhe shëndet në punë kishin për detyrë të raportojnë rregullisht pranë Inspektoratit shtetëror të punës. Edhe pse ky sistem kishte disa rezultate të caktuara, ai megjithatë nuk mund ta zëvendësojë funksionin e një Sistemi kombëtar për menaxhimin e statistikave në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Sipas nenit 5 të Ligjit për evidencë në shëndetësi (Gazeta zyrtare nr. 20/2009) dhe ndryshimet dhe plotësimet e tij (Gazeta zyrtare nr. 53/11 dhe 164/13), Instituti i shëndetit publik i Republikës së Maqedonisë është bartës i statistikës shëndetësore për evidencat e detyrueshme të cilat bëhen në institucionet shëndetësore. Çdo institucion shëndetësor ka për detyrë të mbajë evidencë individuale dhe përmbledhëse dhe të dhënat t’i dorëzojë pranë 10 Qendrave të shëndeti publik në Republikën e Maqedonisë.
Neni 8 i Ligjit për evidencë në shëndetësi përcakton gjithsej 35 evidenca individuale për sëmundje dhe gjendje të ndryshme shëndetësore, nga të cilat evidencat individuale për lëndime në punë, për sëmundje profesionale, për intoksikime dhe për mungesa në punë janë më aktuale për monitorim sa i përket sigurisë dhe shëndetit të punonjësve. Pastaj, neni 11, Instituti i shëndetit publik ka për detyrë të mbajë dhe azhurnojë regjistrat shëndetësore, përfshirë këtu edhe regjistrat për lëndimet në punë dhe për sëmundjet profesionale. Për fat të keq, në periudhën e kaluar, edhe përkundër detyrimit ligjor, në Institutin e shëndetit publik nuk është dorëzuar asnjë raportim individual për lëndim në punë dhe/ose sëmundje profesionale nga mjekët specialistë të mjekësisë së punës dhe/ose mjekët e tjerë të cilët kanë marrë pjesë në diagnostikimin  e trajtimin e këtyre gjendjeve. Kjo është arsyeja se pse deri më tani nuk janë përpiluar regjistrat për lëndime në punë dhe për sëmundje profesionale, e as që është publikuar ndonjë publikim për sëmundjet profesionale në Republikën e Maqedonisë.
Në vitin 2009 në kuadër të Institutit të shëndetit publik të Republikës së Maqedonisë u themelua edhe një Departament i veçantë për mjekësinë e punës dhe vlerësimin e rreziqeve në vendin e  punës, me qëllim që të mund ta udhëheqë statistikën shëndetësore në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Në këtë drejtim, Departamenti filloi ti publikojë publikimet e tij vjetore për lëndimet në punë, të bazuara në evidencat përmbledhëse në këtë fushë. Në informacionet për lëndimet në punë të cilat deri më tani i ka publikuar Instituti i shëndetit publik i Republikës së Maqedonisë janë përdorur të dhëna nga evidencat përmbledhëse për lëndimet në punë të cilat i sigurojnë Qendrat e shëndetit publik dhe Fondi për sigurim shëndetësor në Shkup. Në to mund të gjeni të dhëna për numrin e lëndimeve në punë dhe shkallën e incidencës për periudhën nga viti 1990 deri në vitin 2015. Në këtë publikim të fundit mund t’i gjeni të dhënat për lëndime në punë në Republikën e Maqedoni për vitin 2016.
Ne kemi për qëllim të kontribuojmë në shënimin e Ditës botërore të sigurisë dhe shëndetit në punë për vitin 2017, me shpresë se me këtë do kontribuojmë për mobilizimin e vullnetit politik, por edhe për fokusimin e njohurive dhe përvojës profesionale për zbatim sa më efikas të evidencës dhe statistikës për siguri dhe shëndet në punë.  Instituti i shëndetit publik i Republikës së Maqedonisë vazhdon të jetë i hapur për bashkëpunim profesional të koordinuar për përforcimin e sistemit statistiko-shëndetësor  dhe kështu edhe për pjesëmarrje aktive dhe konstruktive të të gjithë subjekteve relevante të angazhuar në këtë fushë.
Fuqia që kanë të dhënat qëndron në vizibilitetin, komparabilitetin, mundësinë për qasje dhe për ndryshim gjatë krijimit të politikave dhe aksioneve për përmirësimin e sigurisë në punë, parandalimin e sëmundjeve profesionale dhe lëndimeve në punë.
Prandaj, të gjithë së bashku të inkuadrohemi në krijimin, grumbullimin dhe vlerësimin e tyre, gjë që do mundësojë monitorim të realizimit të politikave dhe aksioneve në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë në të gjitha nivelet, si dhe vlerësim të suksesit gjatë përmirësimit të kushteve të punës dhe parandalimit të lëndimeve dhe sëmundjeve profesionale.