
Sa më shumë përgjigje, aq më shumë informacion për parandalimin e sëmundjeve të burojnë nga uji jo i sigurt.
Instituti i shëndetit publik i Republikës së Maqedonisë me rastin e Ditës Botërore të ujërave 22 marsin, përmes një ankete ka përpiluar disa pyetje në lidhje me ndikimin e ujit të sigurt për pije ndaj shëndetit, e të cilën e ka vendosur në faqen zyrtare të Institutit (http://iph.mk/anketa).
Qëllimi i gjithë kësaj është të përfshihet numër sa më i madh i qytetarëve që të fitohen të dhëna për atë se sa të informuar janë qytetarët se cili ujë është i sigurt për tu pirë, dhe nëse dinë të bëjnë dallim mes sigurisë dhe cilësisë së ujit që pinë. Është me shumë rëndësi të fitohen të dhëna për mënyrën se si qytetarët marrin informacion në lidhje me ujin, dhe se çfarë ndikimi ka uji i sigurt ndaj shëndetit të popullatës, gjegjësisht se cilat sëmundje mund të paraqiten si pasojë e ujit të pasigurt për pije.
Sëmundjet që burojnë nga uji i pasigurt shkaktojnë më shumë se 1,5 milion vdekje tek fëmijët në mbarë botën vetëm gjatë një viti.
Të dhënat që do fitohen përmes kësaj ankete do mundësojnë që informacionet në interes të parandalimit të sëmundjeve tek popullata të arrijnë tek grupet e synuara.
Uji i sigurt për pije në sasi të mjaftueshme i përmirëson kushtet për jetesë, e ngre kulturën shëndetësore në një nivel më të lartë dhe e promovon mjedisin jetësor në përgjithësi.
Në vitin 2011, në Ditën Botërore të ujërave ISHPRM anketoi rreth 200 qytetarë, me ç’rast u fituan të dhëna se 52% e të anketuarve pinë më shumë se një litër ujë në ditë, pjesa më e madhe e tyre pinë ujë nga çezma, 34% pinë edhe ujë nga çezma edhe ujë të ambalazhuar, ndërsa 27% pinë vetëm ujë të ambalazhuar. Pothuajse gjysma e të anketuarve nuk i kushtojnë kujdes sasisë së ujit që e shpenzojnë gjatë ditës. ISHPRM përgatit raporte vjetore për cilësinë e ujit të pijshëm në Republikën e Maqedonisë. Mënyra për përpilimin dhe realizimin e tyre është rregulluar me Rregulloren për sigurinë e ujit.
Në Maqedoni 95% e popullatës ka qasje në ujë të sigurt për pije. Instituti i shëndetit publik në koordinim me 10 Qendrat e shëndetit publik kujdeset për sigurinë e ujit në Maqedoni. ISHPRM ka për qëllim që me ndihmën e pyetësorit ta inkuadrojë edhe popullatën.
Në botë, më së shumti në vendet në zhvillim, për çdo vit vdesin rreth 2,2 milionë njerëz si pasojë e sëmundjeve që burojnë nga uji. Shkaku për këtë është furnizimi jo i sigurt me ujë të pijshëm, sanitacioni dhe higjiena joadekuate.
Instituti i shëndetit publik i Republikës së Maqedonisë tashmë dhjetë vite në 22 mars e shënon Ditën botërore të ujërave me aktivitete të ndryshme në lokalitete të ndryshme në Shkup me qëllim që si institucion preventiv të ndikojnë në ngritjen e vetëdijes tek popullata për rëndësinë që ka uji i sigurt për shëndetin, e sidomos për ruajtjen e burimeve ë ujit si një pasuri e madhe.
Uji është i domosdoshëm për jetë. Roli që ka uji tashmë dihet mirë nga të gjithë. Pa të njerëzit nuk do mund të jetonin as edhe disa ditë, uji përbën 75% të masës trupore tek foshnjat dhe rreth 55% tek më të moshuarit. Uji është i domosdoshëm për homeostazën qelizore dhe për jetën. Uji përbën 92% të gjakut, 75% të trurit dhe muskujve, 22% të kockave. Uji është tretësi më i mirë, i përcjell materiet ushqyese deri tek qelizat, ndërsa i largon nga ato materiet e dëmshme. Është i rëndësishëm për baraspeshën elektrolitike, rregullimin e temperaturës trupore, ndihmon që përmes veshkave të eliminohen materiet toksike, është i rëndësishëm për sistemin e tretjes së ushqimit, sistemin nervor, funksionimin e drejtë të nyjave dhe sistemit kockor.
Nevojat ditore për ujë sillen nga 2-2,5 litra. Si lëngje konsumojmë 1-1,2 litra, me ushqim 1,1 litra dhe nga proceset e oksidimit gjatë metabolizmit rreth 0,2-0,3 litra. Tajitet përmes veshkave (urinë) rreth 1,2-1,5 litra në ditë, përmes lëkurës rreth 0,5 litra, përmes mushkërive rreth 0,5 litra , dhe me jashtëqitje 0,1 litra. Kuptohet që nevojat ditore për ujë varen nga aktiviteti fizik , vështirësia e punës, kushtet mikroklimatike, disa karakteristika (mosha, gjinia, disa gjendje të caktuara fiziologjike dhe patologjike, etj)