Plakje e shëndetshme dhe aktive
Në një kohë kur ndryshimet e shëndetit tonë janë të paparashikueshme, një gjë është e sigurt: popullsia në botë po plaket gjithnjë e më shpejtë dhe ky tranzicion demografik ndikon tek të gjitha aspektet e shoqërisë. Plakja e popullsisë në vete imponon një sërë problemesh kuantitative dhe kualitative shëndetësore, ekonomike dhe sociale.
Njerëzit në botë jetojnë më gjatë. Sot, për herë të parë në histori, një numër i madh i njerëzve kanë mundësi të jetojnë 60 e më shumë vjet. Deri në vitin 2050 pritet që popullata mbi 60 vjet të arrijë deri në 2 miliardë, për dallim nga viti 2016 kur ka qenë 900 milion. Rënia e shkallës së natalitetit dhe rritja e jetëgjatësisë e ndryshon pasqyrën demografike të vendeve në mbarë botën.
Raporti vjetor mbi plakjen dhe shëndetësinë jep një kornizë për aksion që kontribuon për nxitjen e një plakjeje të shëndetshme të ndërtuar rreth konceptit të ri të aftësive funksionale. Investimi ka përfitime sociale dhe ekonomike, si në raport me shëndetin dhe mirëqenien e personave të moshuar, ashtu edhe në mundësimin e inkuadrimit të tyre konstant në shoqëri.
Gjendja në Republikën e Maqedonisë
Në krijimin e pasqyrës së popullatës së moshuar nuk mungon edhe Republika e Maqedonisë. Edhe pse shtet i ri ajo tashmë e ka tejkaluar pragun demografik të moshës. Me 15% popullatë në moshë mbi 65 vjet, në Regjistrimin e popullsisë të vitit 2002, Republika e Maqedonisë e tejkalon koeficientin e popullatës së moshuar prej 12%.
Sa i përket strukturës së moshës, popullata në Maqedoni po plaket gjithnjë e më shumë. Në periudhën nga viti 2007 deri më vitin 2017, pjesëmarrja e popullatës së re (0-14 vjet) në numrin e përgjithshëm të popullsisë ka rënë nga 18.5 % në 16.5 %, ndërsa pjesëmarrja e popullatës së moshuar (65 e më shumë vjet) ka shënuar një rritje nga 11.4 % në 13.7 %. Në grupmoshën mbi 65 vjet vihet re një numër më i madh i femrave. Ndryshimet në strukturën e moshës të popullatës në Republikën e Maqedonisë reflektojnë në numrin e personave të vdekur në vendin tonë. Mosha mesatare e personave të vdekur të gjinisë femërore është 74.7 vjet, ndërsa tek ata të gjinisë mashkullore 70.3 vjet.
Parashikimet e Kombeve të Bashkuara janë se jetëgjatësia mesatare në Republikën e Maqedonisë do vazhdojë të rritet në mënyrë konstante dhe do jetë 74,9 vjet, ndërsa në vitin 2050 do arrijë deri në 79,5 vjet.
Burimi: Enti shtetëror i statistikës i Republikës së Maqedonisë
Sëmundjet më të shpeshta që prekin personat e moshuar
- Sëmundje kardiovaskulare ( tensioni i lartë i gjakut, sëmundjet e zemrës, etj)
- sëmundje të sistemit gastrointestinal
- sëmundje të sistemit respirator
- neoplazma
- sëmundje të sistemit nervor dhe shqisor
- sëmundje të sistemit muskulo-skeletor (osteoporoza, Parkinsoni..)
- sëmundje të sistemit urogjenital
- lëndime dhe helmime
- sëmundje endokrine të metabolizmit (diabeti)
- sëmundje reumatike
- depresioni, pagjumësia
Të moshuarit më së shpeshti sëmuren nga më shumë sëmundje kronike joinfektive, si kardiomiopatia, sëmundjet ishemike të zemrës, sëmundja kronike obstruktive e mushkërive, fraktura të femurit, diabeti dhe kanceri i mushkërive dhe kanceri i gjirit tek gratë e që janë patologji më të shpeshta të cilat trajtohen në spital, thonë të dhënat për morbiditetin spitalor në Republikën e Maqedonisë për periudhën e kaluar.
Mortaliteti
Në Republikën e Maqedonisë kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme në strukturën moshës të popullatës. Ndryshimet në strukturën moshës reflektojnë edhe në numrin e personave të vdekur në vendin tonë.
Shkalla (në 100000 banorë) e personave të vdekur sipas moshës, gjinisë dhe shkakut në Republikën e Maqedonisë në vitin 2017
Burimi:Enti shtetëror i statistikës
Përpunoi: Instituti i shëndetit publik i Republikës së Maqedonisë, Qendra për përpunim statistikor të të dhënave shëndetësore, publikim dhe edukim
Në numrin e përgjithshëm të vdekjeve në Republikën e Maqedonisë në vitin 2017 numri më i madh i të vdekurve bëjnë pjesë në grupmoshën mbi 65 vjet, me ç’rast si shkaktarë më të shpeshtë janë sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut, pastaj neoplazmat, sëmundjet endokrine, nutritive dhe metabolike, ndërsa në vendin e katërt janë rastet të cilat si shkaktarë të vdekjes kanë sëmundjet e sistemit të frymëmarrjes.
Rekomandime
Plakja e shëndetshme nënkupton krijim të mjediseve dhe mundësive që ju mundësojnë njerëzve të jenë dhe ta bëjnë atë që e kanë bërë gjatë jetës së tyre. Secili nga ne mund të bëjë jetë aktive dhe të gëzojë një pleqëri të shëndetshme nëse ndërmerren këto masa dhe aktivitete:
- zbatim të hulumtimeve statistikore në lidhje me gjendjen shëndetësore dhe stilin e jetesës të kësaj grupmoshe në rrafsh kombëtar, që të mund të fitohen të dhëna të detajuara nga vetë personat e moshuar;
- hapje të qendrave për pranim ditor dhe të përkohshëm të personave të moshuar;
- përfshirje e personave të moshuar në planifikim, zbatim dhe vlerësim shoqëror të aktiviteteve lokale shëndetësore, sociale dhe rekreative;
- krijimin e një pasqyre reale dhe pozitive për plakjen e shëndetshme nëpër medie dhe literaturë që do mundësojë eliminimin e stereotipeve negative;
- promovim të vazhdueshëm të shëndetit tek personat e moshuar dhe edukim për efektet e dëmshme të pirjes së duhanit, alkoolit, ushqimit jo të shëndetshëm dhe promovim të aktivitetit fizik;
- rritje të numrit të shtëpive për pleq në Republikën e Maqedonisë e që do jenë jashtë territorit të qytetit të Shkupit;
- vendosje dhe respektim të standardeve përkatëse gjatë ofrimit të shërbimeve për personat e moshuar;
- zhvillim i gjeriatrisë në Republikën e Maqedonisë, edukim dhe trajnim i ekipeve të cilat punojnë me këtë kategori të njerëzve;
- informim i personave të moshuar dhe familjeve të tyre për të drejtat dhe shërbimet që mund t’i realizojnë personat e moshuar brenda sistemeve për mbrojtje;
Literatura e përdorur:
- 10 priorities towards a decade of healthy ageing, Available from: http://www.who.int/ageing/WHO-ALC-10-priorities.
- Enti shtetëror i statistikës i Republikës së Maqedonisë. “Maqedonia në numra“,Shkup, 2016,faq 13.
- Strategjia kombëtare për personat e moshuar 2010 –2020, Ministria e punës dje politikave sociale, qershor 2010
- Ageing and health, Key facts, Available from: http://www.who.int/news-room/fact-sheets/detail/ageing-and-health
Përgatiti: Sektori për promovim, analizë dhe parandalim të sëmundjeve joinfektive