Rastet e pneumonisë në Kinë dhe paraqitja e një Koronavirusi të ri

Më 31 Dhjetor 2019, autoritetet shëndetësore kineze raportuan në OBSH për një grup të rasteve të pneumonisë me origjinë të panjohur në qytetin Vuhan, Provinca Hubei, Kinë.

Numri i përgjithshëm i pacientëve të prekur arriti deri në 59 raste nga të cilat 7 me një pasqyrë më të rëndë klinike dhe një rast të vdekjes. Ajo që është e përbashkët për të gjitha rastet është ekspozimi në tregun e produkteve të detit në Vuhan (tregtimi me shumicë, tregu i produkteve të detit dhe kafshëve të gjalla).

Pacientët kanë shfaqur simptoma si temperatura e lartë e trupit, ethet dhe vështirësi në  frymëmarrje, me ç’rast  testi radiologjik ka treguar lezione në të dy anët e mushkërive.

Të gjithë të prekurit  janë vendosur në izolim, dhe aktualisht po vazhdojnë aktivitetet për gjetjen e personave me të cilët ato kanë kontaktuar. Njëkohësisht  janë marrë masa dhe aktivitete për sanimin higjienik dhe epidemiologjik të hapësirës së tregut, i cili që nga 1 janari i vitit 2020  është i mbyllur për publikun.

Hulumtimet e deritanishme kanë identifikuar gjithsej 739 kontakte, 419 prej të cilave janë punonjës shëndetësor. Të gjithë janë vendosur nën mbikëqyrje shëndetësore, dhe deri më tani nuk është vërtetuar asnjë lidhshmëri me rastet e raportuara të sëmundjes. Që nga 3 janari nuk është regjistruar asnjë rast i ri.

Sipas autoriteteve kineze, deri më tani nuk është konfirmuar asnjë rast i transmetimit të infeksionit nga një njeri tek një tjetër.

Në mesin e  të sëmurëve nuk ka punonjës shëndetësor.

 Hulumtimet preliminare flasin për një pneumoni virale.

Analizat virusologjike dhe molekulare të të prekurve kanë përjashtuar viruset e gripit sezonal, viruset e gripit të shpendëve, adenoviruset, koronaviruset të njohura deri më tani – SARS dhe MERS, si shkaktarë të kësaj sëmundjeje.

Analizat e mëtejme kanë zbuluar dhe konfirmuar një koronavirus të ri, ndërsa hulumtimet shtesë për sekuencionimin gjenetik të viruseve të izoluara nga këta pacientë ka dhënë një rezultat pozitiv, dhe tani është konfirmuar zyrtarisht se virusi Vuhan është pjesë e llojit të beta-koronaviruseve, nënlloji Sarbecovirus.

Vuhan-CoV duket se 89% është i ngjashëm me koronaviruset tek lakuriqët e natës, më të ngjashëm me viruset SARS në nënllojin e përmendur.

Deri më tani, fillimi i simptomave të 41 rasteve të konfirmuara të koronavirusit të ri (nCoV) varion nga 8 dhjetori i vitit 2019 deri në 2 janar të vitit 2020.

Pas raportimit për këtë sëmundje, disa vende dhe territore fqinje (Hong Kongu, Tajvani, Tajlanda, Malajzia, Filipinet, Vietnami dhe Singapori) zhvilluan aktivitete për skrining gjatë hyrjes të të gjithë pasagjerëve që vijnë nga zona e prekur – në aeroporte dhe stacione hekurudhore.

Burime mediatike gjithashtu kanë raportuar se në disa vende / territore fqinje (Tajvan, Singapor, Makao dhe Hong Kong)janë identifikuar raste të dyshuara të pneumonisë me shkaktar të panjohur tek persona që kanë udhëtuar në Vuhan.

Edhe pse të gjitha rastet e dyshuara më parë janë hedhur poshtë si raste të lidhura me viruset në Vuhan, autoritetet e shëndetit publik në Tajlandë kanë raportuar për rastin e parë të konfirmuar të infeksionit me koronavirus – nCoV jashtë Kinës – tek një person që ka zhvilluar simptomatologji dhe që është shtruar në spital pas kthimit nga Vuhani. (epidemiologjik i lidhur me infeksionin në Kinë).

Situata monitorohet rregullisht nga OBSH-ja dhe Qendra Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe informacionet e reja shpërndahen në kohë reale. Ekipet e ekspertëve nga ISHP – Sektori për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve infektive dhe Laboratori i virologjisë dhe diagnostikimit molekular (LVDM) monitorojnë nga afër ngjarjet përmes informacioneve nga institucionet referente të lartpërmendura.

Vlerësimi i rrezikut: Duhet të bëhen hulumtime të mëtutjeshme për të marrë informacion më gjithëpërfshirës për ta kuptuar gjendjen aktuale dhe zhvillimin e mundshëm të situatës në të ardhmen, për të përcaktuar burimin, mënyrat e transmetimit, përhapjen e infeksionit dhe masat e nevojshme anti-epidemike.

OBSH vazhdon të monitorojë situatën nga afër dhe së bashku me partnerët e saj, është e gatshme të sigurojë mbështetje teknike për Kinën për ta hulumtuar dhe për t’iu përgjigjur epidemisë.

Përcaktimi paraprak i virusit të ri do i ndihmojë autoritetet në vendet e tjera të zbatojnë masa për zbulimin dhe reagim ndaj sëmundjes.

ISHP në vazhdimësi ndjek lajmet dhe rekomandimet e OBSH-së dhe gjatë sezonit të gripit bën diagnostikimin e materialit  adekuat nga pacientët me Infeksion respirator akut (SARI – sistemi i monitorimit) në LVDM, i cili analizohet për grip dhe për një gamë të gjerë të viruseve të tjera, përfshirë Koronavirusin HKU1, Koronavirusin OC43, Koronavirusin 229E, Koronavirusin NL63.

Gjithashtu, ekzistojnë kapacitete për zbulimin e koronavirusit MERS. 

Rekomandimi i OBSH-së: Bazuar në informacionin e dhënë nga autoritetet kombëtare të shëndetit në Kinë, vazhdojnë të zbatohen (mbeten në fuqi)rekomandimet e OBSH-së për masat e shëndetit publik dhe mbikëqyrjen e gripit dhe infeksioneve të rënda akute të frymëmarrjes.

OBSH-ja nuk rekomandon masa specifike për pasagjerët.

Në rast të paraqitjes të simptomave që sugjerojnë sëmundje të frymëmarrjes, gjatë ose pas udhëtimit, udhëtarët këshillohen që të kërkojnë ndihmë mjekësore dhe të japin informacion për udhëtimin e tyre.

Duke u bazuar në informacionet aktuale për gjendjen me epideminë, OBSH-ja nuk rekomandon zbatim të çfarë do kufizimi të udhëtimeve ose tregtisë me/në Kinë.

Më shumë info për Koronaviruset