Sëmundjet të cilat përcillen përmes ushqimit (food borne diseases) paraqiten pas konsumimit të ushqimit të ndotur me agjensë infektiv apo toksik nga vetë njeriu.
Shkaktarë të këtyre sëmundjeve janë mikroorganizmat infektiv të cilët në kushte të volitshme për to shumohen në ushqim dhe në të tajitin toksina e tyre. Te afër 90% të rasteve të paraqitjes së këtyre sëmundjeve shkaktarë janë bakteret, prandaj kur flitet për këto sëmundje zakonisht flasim për helmime infektive alimentare bakteriale. Këto sëmundje gjithashtu mund të shkaktohen edhe nga agjensë të tjerë infektiv (viruse, parazitë). Karakteristikë e sëmundjeve të cilat përcillen nëpërmjet ushqimit është karakteri i tyre sezonal – numri më i madh i helmimeve paraqiten gjatë muajve të verës, por mund të paraqiten edhe në cilën do periudhë të vitit.
Zakonisht paraqiten si sëmundje në grup, gjegjësisht në formë të epidemive në familje, kolektive punuese, restorante, ëmbëltore, etj.
Shkaqe për paraqitjen e këtyre sëmundjeve, të cilat shumë shpesh paraqiten në forma epidemike janë lëshimet ose gabimet në teknologjinë e përgatitjes, shpërndarjes dhe ruajtjes së ushqimit.
Në parim të gjitha produktet ushqimore që kanë prejardhje shtazore konsiderohen se kanë një kontaminim primar.
Krahas kontaminimit primar të produkteve me prejardhje shtazore gjatë procesit të përpunimit të tyre shpesh mund të ndodhë edhe kontaminim sekondar.
Ruajtja e ushqimeve të përgatitura në temperaturë dhome, sidomos gjatë muajve të verës, mundëson shumim të shpejtë të agjentëve infektiv dhe tajitje të toksineve të tyre, gjë që është shkak për shfaqjen e sëmundjeve të cilat përcillen nëpërmjet ushqimit.
MASAT EFEKTIVE:
-Të mos konsumohet ushqim me prejardhje shtazore (mish dhe prodhime të mishit, qumësht dhe prodhime të qumështit, vezë) i pa gatuar ose i papërpunuar termikisht.
-Produktet e freskëta ushqimore duhen ruajtur në frigoriferë me qëllim që të parandalohet shumimi i baktereve dhe tajitja e toksineve të tyre.
-Të evitohet përgatitja dhe konsumimi i ushqimeve me ushqime të papërpunuara termikisht ose të freskëta me prejardhje shtazore (kremra, akullore, djathë krem).
-Përpunimi termik i ushqimit të jetë mjaftueshëm i gjatë dhe të bëhet në temperaturën e duhur me qëllim që të shkatërrohen bakteret dhe toksinet e tyre edhe në brendi të shqimit (copa të mëdha mishi).
-Ushqimi të konsumohet menjëherë pas gatimit. Në të kundërtën të ruhet në frigorifer në temperaturë deri më 4º C (në frigorifer, ose në temperaturë më të lartë se 70º C deri sa i njëjti të konsumohet.
-Përpunimi i ushqimit të përpunuar dhe të pa përpunuar termikisht duhet të bëhet në sipërfaqe të ndryshme punuese, me pajisje të ndryshme dhe në enë të ndryshme.
-Enët, pajisjet, sipërfaqet punuese në kuzhinë, duart, para dhe pas përgatitjes së ushqimeve të freskëta apo të përpunuara termikisht duhen larë dhe pastruar mirë.
-Perimet, frutat dhe sallatat e freskëta duhen larë mirë nën ujë të rrjedhshëm dhe atë para se të konsumohen, priten ose gatuhen, madje edhe kur janë të qëruara.
-Të evitohen ushqime të blera në vende të hapura ose rrugë, ushqimi i shpejtë si dhe ushqime të tjera dhe ujë nga burime të pasigurta.
-Para dhe pas ngrënies duart duhen larë mirë.
-Ruajtja e ushqimeve duhet të bëhet në vend të sigurt me qëllim që të mbrohet nga insektet dhe brejtësit.
-Personat të cilët gatuajnë sasi të mëdha të ushqimit (në restorante, kafene, kuzhina, etj) të kenë njohuri shëndetësore dhe të kenë kujdes për parimet themelore për higjienë gjatë përgatitjes së ushqimit (përgatitjes, ruajtjes dhe shpërndarjes). Ata duhet të ndjekin dhe një trajnim të veçantë për mënyrën dhe veprimet në teknologjinë e përgatitjes së ushqimit dhe tu nënshtrohen kontrolleve të rregullta shëndetësoro-sanitare.
-Personat të cilët bëjnë pjesë në kategorinë e rrezikuar (persona që vuajnë nga sëmundje kronike, persona me imunitet të çrregulluar, persona mbi moshën 65 vjeçare, gra shtatzëna) për shkak të mundësisë së paraqitjes të një forme më të rëndë të sëmundjes me komplikime, sidomos kur bëhet fjalë për Listeriozë, duhet tu kushtojnë një kujdes të veçantë masave të rekomanduara dhe të evitojnë konsumimin e djathërave të butë, qumështit të pa pasterizuar dhe prodhimeve të qumështit, pate dhe sallata, të evitojnë ushqime që shiten në vende të hapura dhe në rrugë, konsumimin e ushqimeve të ringrohura, si dhe të evitojnë kontaktet me gratë shtatzëna dhe kafshë të porsalindura.
-Për shkak të sigurisë së ushqimeve me prejardhje shtazore nevojitet një kontroll më intensiv dhe më i rregullt veterinar, kontroll i thertoreve gjatë therjes së kafshëve dhe gjatë përpunimit të mishit, si dhe kontroll i mishit dhe prodhimeve të mishit në industri dhe në treg.