Republika e Maqedonisë bashkë me 75 vende në Evropë iu bashkëngjit nismës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që për të katërtën herë të shënohet Java Botërore për përdorimin racional të antibiotikëve, java rreth 18 nëntorit- Ditës evropiane për përdorimin racional të antibiotikëve, nëpërmjet të cilës, të gjithë ne, synojmë ta ngremë vetëdijen për përdorimin racional të antibiotikëve dhe të angazhohemi për përmirësimin e shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe mjedisit jetësor.

Rezistenca ndaj antibiotikëve paraqet një kërconim gjithnjë e më të madh për shëndetin global. Për çdo vit në botë vdesin rreth 700.000 njerëz si rezultat i infeksioneve me baktere rezistente ndaj numrit më të madh të antibiotikëve. Rezistenca ndaj antibiotikëve është shkaktar i vdekjes së 33.000 njerëzve në vit vetëm në Bashkimin Evropian dhe ky numër vazhdon të rritet.

Baktere të njëjta mund të jenë shkaktarë të sëmundjeve edhe tek njerëzit edhe tek kafshë, me ç’rast 60% e të gjithë sëmundjeve tek njerëzit burojnë nga kafshët. Kjo gjë shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit jetësor e bashkon në një kur bëhet fjalë për luftën kundër rezistencës antimikrobiale, gjegjësisht qasja “Një shëndet” është mënyra e vetme e mundur për të arritur një përparim të vërtetë në vendin tonë, rajon dhe në botë.

Prandaj, DUHET ditur se:

  • Është me shumë rëndësi të respektohen preparatet antimikrobiale të cilat përdoren për trajtimin e infeksioneve tek njerëzit dhe kafshët, dhe të përdoren me kujdes.
  • Kur parandalojmë zhvillimin e rezistueshmërisë të baktereve tek kafshët, ne njëkohësisht i mbrojmë edhe njerëzit.
  • .Lloje të njëjta të preparateve antimikrobiale përdoren edhe tek njerëzit edhe tek kafshët që prodhojnë ushqim.
  • Zinxhiri i ushqimit paraqet një rrugë të rëndësishme të përcjelljes.
  • Një sektor i vetëm nuk mund ta zgjidhë problemin.
  • Nuk do arrihen kurrfarë ndryshimesh nëse nuk sigurohet përkushtim nga e gjithë shoqëria, e gjithë popullata dhe nga e gjithë Qeveria, për të ndërmarrë aktivitete në të gjithë sektorët dhe në të gjitha nivelet në Republikën e Maqedonisë.

Të bashkuar në angazhimin për kontrollimin e këtij problemi të rëndësishëm, shënimin e Javës botërore të përdorimit racional të antibiotikëve këtë vit nën moton Një zë për një shëndet e realizuam me më shumë aktivitete drejt sektorit veterinar dhe shëndetësor.

Më datë 16.11.2018 u mbajt një takim edukativ me studentët e Fakultetit të veterinës, Shkup, në organizim të Lidhjes së studentëve pranë këtij fakulteti, ndërsa me mbështetje të Komisionit multisektorial për kontrollimin e rezistencës antimikrobiale pranë Ministrisë së shëndetësisë, OIE, FAO,OBSH përfaqësisë në Shkup, Fakultetit të veterinës, Shkup dhe Institutit të shëndetit publik (ISHP).

Në 19 nëntor, në Shtëpinë e organizatave humanitare “Dare Xhambaz”, në frymën e NJË SHËNDETI, u mbajt takimi përbashkët mes dy sektorëve – shëndetësisë, para së gjithash mbrojtjes shëndetësore primare, dhe veterinës. Në këtë takim u ndanë përvoja për masat e ndërmarra për kontrollimin  e RAM dhe gjendjes me RAM në të dy sektorët dhe u dhanë udhëzime për aktivitete në të ardhmen. Mbështetje për aktivitetet dhanë një numër i madh i institucioneve, si Ministria e shëndetësisë në emër të së cilës Dr. Vlladimir Milloshev, sekretari shtetëror, e hapi eventin, Komisioni multisektorial për kontrollimin e RAM pranë Ministrisë së shëndetësisë, Kryqi i kuq i Republikës së Maqedonisë i cili u angazhua për një inkuadrim aktiv në të ardhmen në procesin e përforcimit të vetëdijes për përdorim racional të antibiotikëve tek popullata, Instituti i shëndetit publik i Republikës së Maqedonisë, Fakulteti i mjekësisë pranë Universitetit Shën Kirili dhe Metodi – Shkup, Fakulteti i mjekësisë pranë Universitetit Goce Dellçev – Shtip, Fakulteti i veterinarisë, Shoqata e specialistëve të mjekësisë familjare, Fondi i sigurimit shëndetësor i Republikës së Maqedonisë, Qendra për hulumtime dhe bashkëpunim rajonal Studiorum dhe zyra e OBSH në Shkup. Mediet dhanë mbështetjen e tyre duke i shpërndarë informacionet për nevojën emergjente për përdorim racional të antibiotikëve.

Në 23 nëntor nga ekipi  CAESAR, Shoqata e mikrobiologëve të Maqedonisë, OBSH dhe organizata qytetare RADAR, u organizua një takim i rrjetit nacional CAESAR për ndjekjen e rezistencës antimikrobiale në të cilin morën pjesë më shumë se 150 mjekë të përfshirë në sistemin për ndjekje të RAM tek izolatet invazive – mikrobiologë, epidemiologë, dhe përfaqësues të shëndetësisë sekondare dhe terciare. Qëllimi i këtij takimi është informimi për gjendjen me RAM të konstatuar nga izolatet invazive që  do i ndihmojë mjekët e shëndetësisë sekondare dhe terciare gjatë vendimmarrjes për përzgjedhjen e antibiotikut adekuat gjatë përkujdesjes për pacientët e tyre, si dhe t’i  përkujtojë për parimet e dhënies së përgjegjshme të antibiotikëve me marrjen e një mostre përkatëse për analizë mikrobiologjike para se t’ua japin antibiotikun pacientëve. Takimi filloi me prezantim të aktiviteteve të deritanishme dhe të ardhshme të rrjetit CAESAR nga ana e M-r. Dr. B. K. Boceska – ISHP dhe Fakulteti i shkencave mjekësore, UGD Shtip, menaxhere e të dhënave të CAESAR. Pas kësaj vijoi  një prezantim i detajuar nga Doc. Dr. G. Boshevska – ISHP dhe Fakulteti i shkencave mjekësore, UGD Shtip, koordinatore nacionale për RAM, i rezultateve të kontrollit të jashtëm të cilësisë së laboratorëve të mikrobiologjisë dhe krahasim i kapaciteteve të laboratorëve në Republikën e Maqedonisë me ato në Evropë.

Gjendja me RAM në Republikën e Maqedonisë u prezantua nga Prof. dr. Zh. Cekovska – Fakulteti i mjekësisë USHKM – Shkup. Prof. dr. N. Panovski – Fakulteti i mjekësisë USHKM – Shkup, kryetar i Komisionit multisektorial për kontrollimin e RAM i prezantoi tendencat e RAM në Republikën e Maqedonisë krahasuar me vendet e Ballkanit dhe Evropës. Pas prezantimit të Prof. dr. A. Kaftanxhieva – Fakulteti i mjekësisë USHKM – Shkup, u vazhdua me një diskutim mes të pranishmëve.

Në luftën kundër rezistencës antimikrobiale secili nga ne duhet të tregojë një përkushtim maksimal dhe të jemi – Një zë për një shëndet.

Doc. dr. Gollubinka Boshevska

Koordinatore nacionale për RAM