Deklaratë e Drejtorit rajonal të OBSH-së për Evropën, Dr. Hans Henry P. Kluge

22 korrik, 2022

 

E papaparë.  Tmerruese. Apokaliptike. Janë këto vetëm disa nga mbiemrat që përdoren në raportimet dhe lajmet, sepse pjesë të mëdha të Rajonit Evropian të OBSH-së po vuajnë nga zjarre të furishme dhe temperatura ekstremisht të larta gjatë kësaj vale aktuale e të gjatë të të nxehtit.

Ndryshimet klimatike nuk janë diçka e re. Por, pasojat e tyre nga sezoni në sezon, nga viti në vit rriten dhe janë gjithnjë e më shkatërruese.

I nxehti vret.  Gjatë dekadave të fundit, qindra mijëra njerëz kanë vdekur si rezultat i nxehtësisë ekstreme gjatë valëve të gjata të të nxehtit, shpesh të shoqëruara edhe me zjarre. Këtë vit kemi qenë dëshmitarë të më shumë se 1700 vdekjeve të panevojshme nga vala aktuale e të nxehtit.

Zjarret në pyje- të njohura mirë për efektet e tyre shkatërruese në Evropën Jugore – tani po përhapen në veri deri në Skandinavi, dhe vetëm këtë javë zjarret në Londër kanë shkatërruar 41 shtëpi. Kjo stinë e nxehtë vere ende nuk ka mbaruar.

Ekspozimi ekstrem ndaj nxehtësisë shpesh përkeqëson kushtet para-ekzistuese shëndetësore. Goditja nga nxehtësia dhe forma të tjera të rënda të hipertermisë – temperatura anormale e lartë e trupit – shkaktojnë vuajtje dhe vdekje të parakohshme. Individët në të dy skajet e spektrit të jetës – foshnjat dhe fëmijët dhe të moshuarit – janë më të rrezikuarit.

Udhëzuesi i OBSH/Evropë mbështet autoritetet kombëtare dhe ato lokale në përgatitjet për ngjarjet ekstreme të nxehtësisë. Kur ato janë operative, planet gjithëpërfshirëse të veprimit për ngrohjen dhe shëndetin janë dëshmuar se shpëtojnë jetë dhe e përforcojnë rezistencën e komuniteteve dhe njerëzve për të përballuar nxehtësinë ekstreme.

Udhëzimet dhe planet e veprimit të OBSH-së për ngrohjen dhe shëndetin ofrojnë këshilla praktike për publikun dhe profesionistët mjekësorë për atë se si t’i përgjigjen valëve të të nxehtit, si dhe këshilla të dedikuara për ata që kujdesen për pacientët dhe individët në spitale dhe objekte të tjera të përkujdesjes, duke përfshirë këtu edhe shtëpitë e pleqve.

 

Në vazhdim janë prezantuar disa hapa bazë që duhet t’i ndërmarrin që të gjithë për ta mbrojtur veten dhe të dashurit tanë:

– Qëndroni larg nxehtësisë sa më shumë që të jetë e mundur, duke përfshirë edhe natën, shmangni aktivitetin e rëndë fizik dhe sigurohuni që fëmijët dhe kafshët të mos lihen në automjete të parkuara.

– Mbani trupin tuaj të freskët dhe të hidratuar. Përdorni veshje të gjera dhe të lehta, bëni dush ose banjë dhe konsumoni lëngje rregullisht duke shmangur alkoolin, kafeinën dhe pijet me sheqer. Nëse është e nevojshme dhe e mundur, përpiquni që të kaloni 2-3 orë të ditës në një vend të ftohtë.

– Mbajeni shtëpinë tuaj sa më të freskët që të mundeni. Përdorni ajrin e natës për të ftohur shtëpinë tuaj dhe gjatë ditës për të zvogëluar nxehtësinë në banesën ose shtëpinë tuaj përdorni roletat.

– Kërkoni këshilla nga mjeku nëse vuani nga një gjendje kronike ose nëse jeni duke marrë më shumë barna. Nëse ndiheni të trullosur, të dobët ose të shqetësuar, ose keni etje dhe dhimbje koke intensive, lëvizni në një vend më të freskët.

– Ndihmoni të tjerët duke kontaktuar me familjen dhe miqtë, përfshirë këtu të moshuarit që jetojnë vetëm.

 

Ngjarjet e kësaj jave tregojnë edhe një herë nevojën emergjente për veprime pan-evropiane për trajtimin në mënyrë efektive të ndryshimeve klimatike – krizën gjithëpërfshirëse të kohës sonë që kërcënon si shëndetin individual ashtu edhe vetë ekzistencën e njerëzimit.

Që kjo të ndodhë, qeveritë duhet të tregojnë vullnet politik dhe lidership të vërtetë në zbatimin e Marrëveshjes globale të Parisit për ndryshimet klimatike, me bashkëpunim që do e zëvendësojë ndarjen dhe retorikën boshe.

Duke përforcuar pozicionin e Marrëveshjes së Parisit si një marrëveshje për shëndetin, në prag të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike vitin e kaluar u lançua Programi Shëndetësor QZhQ26. Ai u bën thirrje sistemeve shëndetësore të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë për të përforcuar elasticitetin e tyre dhe për të luftuar ndryshimet klimatike.

Kjo qasje është e përfshirë në Programin Evropian të Punës 2020-2025, një kornizë udhëheqëse e OBSH/Evropë, për të cilën ranë dakord 53 shtetet anëtare të rajonit. Ajo siguron një portë për veprim të përbashkët në fronte të shumta – duke përfshirë rritjen e shëndetit mjedisor dhe kthimin e dëmeve të ndryshimeve klimatike.

Shtetet Anëtare të OBSH-së/Evropë tashmë kanë dëshmuar se mund të punojnë së bashku për tu përballur me kërcënimet emergjente ndaj shëndetit global. Është koha për ta bërë atë përsëri, për të punuar përtej kufijve kombëtarë për të trajtuar shkaqet e ndryshimeve klimatike – duke bërë zgjedhje të mençura, me ndikim të gjerë për të mirën e përbashkët.

Duke iu drejtuar udhëheqësve nga më shumë se 40 vende në Dialogun për klimën në Berlin, Gjermani në fillim të kësaj jave, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres bëri ​​një paralajmërim të ashpër: “Ne kemi një zgjedhje. Veprim kolektiv ose vetëvrasje kolektive. Është në duart tona”.

Miliona bashkëqytetarë tanë që aktualisht po vuajnë në rajonin evropian, me siguri do të pajtohen me këtë.