Diabeti është një sëmundje kronike metabolike që karaterizohet me nivele të larta të glukozës në gjak për shkak të mungesës ose tajitjes së çrregulluar të insulinës nga pankreasi. Nivelet e larta të sheqerit në gjak shkaktojnë dëmtime të rënda të zemrës, enëve të gjakut, veshkave, syve dhe nervave. Edhe 100 vjet pas zbulimit të insulinës, miliona njerëz me diabet në mbarë botën nuk kanë akses në kujdes shëndetësor adekuat. Prandaj, tema e Ditës Botërore të Diabetit 2021-2023 është “Qasja në kujdesin shëndetësor për diabetin”.
Në mbarë botën rreth 463 milionë njerëz vuajnë nga diabeti dhe pjesa më e madhe e tyre jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Në vitin 2019, rreth 9.3% e popullsisë së botës ka pasur diabet dhe me rritjen lineare ndër vite, supozohet se kjo shifër deri në vitin 2045 do të rritet në 11%.[1] Po atë vit diabeti ishte shkaktar i rreth 1.5 milionë vdekjeve, ndërkohë që 2.2 milionë vdekje të tjera iu atribuuan hiperglikemisë në gjak. [2] Kjo e bën diabetin një nga shkaqet kryesore të vdekjes tek njerëzit. Në dekadat e fundit incidenca dhe prevalenca e diabetit janë rritur në mënyrë të vazhdueshme.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut sipas regjistrit për diabetin për vitin 2019 të publikuar nga Instituti i shëndetit publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, numri i rasteve të reja të diabetit është 5.378, pra një shkallë prej 259,24/100.000, ndërsa prevalenca e përgjithshme është 89.964 raste, një shkallë prej 4336,66/100.000.[3] supozohet se ky numër është shumë më i madh.
Diabeti i tipit 1
Diabeti i tipit 1 (diabeti i varur nga insulina, diabeti juvenil ose pediatrik) karakterizohet nga një mungesë e plotë e sekretimit të insulinës nga pankreasi dhe kërkon administrim të përditshëm të insulinës. Shkaqet janë të panjohura, por mendohet se ndodh shkatërrimi autoimun i qelizave β të pankreasit. Simptomat kryesore janë ekskretimi i shtuar i urinës (poliuria), etja (polydipsia), uria (polifagia), humbja e madhe e peshës trupore, lodhja etj.
Diabeti i tipit 2
Diabeti i tipit 2 (diabeti i pavarur nga insulina) është rezultat i përdorimit joefikas të insulinës nga trupi. Mungesa e aktivitetit fizik, mbipesha, dieta dhe historia familjare janë shkaqet kryesore të diabetit të tipit 2. Simptomat kryesore janë përgjithësisht të ngjashme me ato të diabetit të tipit 1, por shpesh janë më pak të theksuara. Si rezultat, sëmundja mund të diagnostikohet disa vite pas fillimit, pas shfaqjes së komplikime. Prandaj, është e rëndësishme t’u kushtohet vëmendje faktorëve të rrezikut. Diabeti i tipit 2 gjithnjë e më shumë po shfaqet tek të rinjtë.
Diabeti gestacional
Diabeti gestacional është një gjendje me nivele të larta të sheqerit në gjak, por nën ato vlera diagnostike për diabetin. Paraqitet gjatë shtatzënisë. Gratë me diabet gestacional janë më të rrezikuara nga komplikimet gjatë shtatzënisë dhe lindjes. Tek këto gra dhe fëmijët e tyre ekziston rreziku i paraqitjs së diabetit të tipit 2 në të ardhmen.
Çrregullimi i tolerancës ndaj glukozës (IGT) dhe glikemia paradiabetike (IFG)
Këto gjendje paradiabetike paraqesin një fazë kalimtare drejt diabetit, edhe pse mund të jenë edhe vetëm kalimtare. Ato karakterizohen me një rritje të nivelit të glukozës në gjak, por të pamjaftueshëm për të diagnostikuar diabetin. Njerëzit me paradiabet mund të parandalojnë diabetin e tipit 2 me një dietë të shëndetshme, rritjen e nivelit të aktivitetit fizik dhe menaxhimin e stresit.
Për momentin Diabeti i tipit 1 nuk mund të parandalohet. Ekzistojnë qasje efektive për të parandaluar diabetin e tipit 2, si dhe për të parandaluar komplikimet dhe vdekjen e parakohshme. Ato përfshijnë edhe masa për kursimin e shpenzimeve për popullatën që mund të praktikohen edhe në kushte të caktuara (shkollë, shtëpi, vend pune), pavarësisht nëse kanë diabet apo jo, si aktiviteti i rregullt fizik, ushqimi i shëndetshëm, shmangia e duhanit, kontrolli i tensionit të gjakut dhe yndyrnave në jak, përdorimi i barnave në rast nevoje, me qëllim përmirësimin e shëndetit dhe parandalimin e komplikimeve. Diabeti i patrajtuar shfaqet me një sërë komplikimesh për shkak të dëmtimit të enëve të vogla të gjakut në sy (retinopati që mund të çojë në verbëri), veshkave (nefropati), nervave (neuropatisë), ulçerave dhe infeksioneve të këmbëve, sëmundjeve kardiovaskulare, goditjes në tru etj.
Pika fillestare për një jetë më të mirë me diabet është diagnostikimi i hershëm – sa më gjatë të jetojë një person me diabet të padiagnostikuar dhe të patrajtuar, aq më shumë ka të ngjarë që rezultatet e tij shëndetësore të jenë të këqija. Qasja e lehtë në masat themelore diagnostike, si matja e glukozës në gjak, duhet të jetë e disponueshme në mbrojtjen shëndetësore primare. Megjithatë, pacientët do të kenë ende nevojë për vlerësim periodik të gjendjes nga një specialist, si dhe trajtim për komplikimet.
[1] https://www.statista.com/statistics/271464/percentage-of-diabetics-worldwide/
[2] https://www.who.int/news-room/fact-sheets/detail/diabetes
[3] http://iph.mk/wp-content/uploads/2020/10/РЕГИСТАР-ЗА-ДИЈАБЕТ-2019.pdf
Përgatiti: Departamenti për promovim shëndetësor dhe monitorim të sëmundjeve