“Familjet dhe ndryshimet demografike”

Si pjesë e përgatitjeve për përvjetorin e tridhjetë të Vitit Ndërkombëtar të Familjes, 2024 (IYF+30), shënimi i Ditës së Familjes në 2023 fokusohet në megatrendin e ndryshimeve demografike dhe ndikimin e tij ndaj familjeve. Eventi organizohet me qëllimin që të flitet për gjendjen aktuale me tendencat demografike, duke përfshirë këtu plakjen dhe solidaritetin ndër breza; që të analizohen këto ndikime ndaj jetës familjare dhe që të rekomandohen politika të përgjegjshme të orientuara nga familja që do t’u përgjigjen nevojave të familjeve në mbarë botën.

Tendencat demografike dhe familjet

Kah fundi i vitit 2022 popullsia e botës arriti në tetë miliardë njerëz. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara e karakterizoi këtë si një “pikë kthese në zhvillimin njerëzor”. Kjo ngjarje historike ilustron përparime të mëdha në kujdesin shëndetësor të cilat e zgjasin jetëgjatësinë e njerëzve. Sipas Kombeve të Bashkuara rritja e popullsisë do të vazhdojë, edhe pse me një ritëm më të ngadaltë. Parashikohet që në vitin 2050 numri i popullsisë në botë të arrijë në 9.8 miliardë dhe 11.2 në vitin 2100, duke e rritur kështu shqetësimin për qëndrueshmërinë e urbanizimit dhe menaxhimin e ndryshimeve klimatike.

Ndryshimi demografik është një nga megatrendet më të rëndësishme që ndikon në botën tonë dhe jetën dhe mirëqenien e familjeve në mbarë botën. Tendencat demografike kryesisht janë formuar nga modelet e natalitetit dhe mortalitetit. Rënia e shkallës së ferilitetit rezulton në përfitime për familjet, sepse ato janë më të afta të investojnë në shëndetin dhe arsimimin e fëmijëve të tyre, gjë që ndihmon për uljen e varfërisë dhe për zhvillim më të mirë socio-ekonomik. Hulumtimet tregojnë se rënia e natalitetit rrit edhe pjesëmarrjen e grave në punë shoqërore. Nga ana tjetër, rënia e natalitetit ka si rezultat familje më të vogla që kanë vështirësi në përballimin e kujdesit familjar dhe përgjegjësive të tjera shtëpiake. Si të tilla, në kohë papunësie ose sëmundjeje, familjet kanë më pak anëtarë tek të cilët do mund të mbështeten. Përveç kësaj, shkallët e ulëta të natalitetit mund të minojnë forcën punëtore dhe strukturën sociale, duke shkaktuar kushte drastike me pasoja të vështira për t’u parashikuar për çështje emergjente, duke filluar nga siguria shoqërore e deri tek barazia gjinore.

Si shënohet Dita Botërore e Familjes në mbarë botën?

Dita Ndërkombëtare e Familjeve në botë shënohet në mënyra të ndryshme. Në disa komunitete, shërbimet publike organizojnë diskutime dhe diskurse mbi sfidat e ndryshme me të cilat përballen familjet në komunitetet në fjalë. Disa vende i planifikojnë aktivitetet dhe eventet e tyre bazuar në temën e caktuar nga Kombet e Bashkuara. Individët zgjedhin që këtë ditë ta kalojnë me familjen.

Si mund ta shënoni ditën e familjes?

Kjo është një ditë e shkëlqyer për të kaluar kohë me familjen tuaj. Ju mund të organizoni aktivitete për familjen tuaj, si lojëra, gara sportive, këndim etj. Shfrytëzojeni këtë ditë për ta kaluar me familjen tuaj.

Familjet janë një nga aspektet më të rëndësishme të çdo shoqërie. Aty fëmijët mësohen se si të komunikojnë dhe të integrohen me anëtarët e tjerë të shoqërisë. Është e rëndësishme të gjesh kohë për të mbajtur lidhjet familjare dhe për të zgjidhur problemet me të cilat përballen familjet. Nëse komuniteti familjar është i lumtur dhe i shëndetshëm, anëtarët e asaj familje sigurisht që do të bëhen anëtarë të shëndetshëm që kontribuojnë në përparimin e shoqërisë.

Përgatiti: Departamenti për Promovimin e Shëndetit dhe Ndjekjen e Sëmundjeve