“Matni tensionin e gjakut, mbajeni nën kontroll atë, jetoni më gjatë”
Tensioni i lartë i gjakut, i njohur si hipertension, përkufizohet si një gjendje e tensionit sistolik të gjakut vazhdimisht mbi 140 mm Hg dhe/ose tensionit diastolik të gjakut vazhdimisht mbi 90 mm Hg. Hipertensioni është faktori numër 1 i rrezikut për sëmundjet e zemrës, goditjet në tru, komplikimet me veshkat dhe vdekjen e parakohshme. Zakonisht, tensioni i lartë i gjakut nuk shkakton asnjë simptomë. Për fat të mirë, hipertensioni mund të parandalohet dhe menaxhohet me kontrolle dhe trajtim të rregullt të tensionit të gjakut.
Vlerësohet se rreth 1.28 miliardë të rritur të moshës 30-79 vjet në mbarë botën kanë hipertension. 46% e të rriturve me hipertension nuk janë të vetëdijshëm se vuajnë nga kjo gjendje dhe vetëm 42% e mbajnë gjendjen nën kontroll. Sipas të dhënave të OBSH-së, në vitin 2020 në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga hipertensioni kanë vdekur 627 persona, gjegjësisht 2,73% e numrit të përgjithshëm të vdekjeve. Shkalla e vdekshmërisë është 19,07 në 100.000 banorë.
Këtë vit, Dita Botërore e Hipertensionit shënohet më 17 maj nën moton “Matni tensionin e gjakut, mbajeni nën kontroll atë, jetoni më gjatë”, me fokus në luftën kundër nivelit të ulët të ndërgjegjësimit në mbarë botën, veçanërisht në zonat me të ardhura të ulëta dhe mesatare, si p.sh. si dhe në promovimin e metodave për matjen e duhur dhe të saktë të tensionit të gjakut. 75% e njerëzve me hipertension jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe mesatare. Kjo ngarkesëë në rritje zgjeron hendekun e pabarazisë, kontribuon në vështirësi të mëdha ekonomike për pacientët dhe rrit shpenzimet për sistemin shëndetësor, duke u përballur me sfida të tilla si marrëdhëniet e dobëta mjek-pacient dhe mungesa e qasjes në barna.
Shumica e njerëzve me hipertension nuk përjetojnë asnjë simptomë, por njerëzit me tension të lartë të gjakut (180/120 dhe më i lartë) mund të përjetojnë: dhimbje koke, marramendje, dhimbje gjoksi, gulçim, nauze, të vjella, shikim të turbullt, zhurmë në vesh dhe të tjera.
Cilët janë faktorët e rrezikut?
- Faktorë të pakontrollueshëm: mosha, raca, gjinia, historia familjare.
- Faktorët që mund të kontrollohen: pasiviteti fizik, mbipesha trupore, rritja e konsumit të alkoolit, duhanit, kripës, stresi.
Hipertensioni klasifikohet si:
- Primar, hipertensioni esencial – me origjinë të panjohur
- Sekundar, hipertensioni jo esencial – i cili lidhet me gjendje të tjera mjekësore si: sëmundjet e veshkave, të sistemit endokrin, enëve të gjakut.
Si ta parandaloni tensionin e lartë të gjakut?
- Merruni me aktivitet fizik – praktikoni ecje, vrap, kërcim, not dhe atë të paktën 30 minuta në ditë.
- Mbani nën kontroll peshën e trupit tuaj – përdorni indeksin BMI. Qëllimi është të fitoni një vlerë prej <25 kg/m2.
- Hani më shumë fruta dhe perime.
- Shmangni ushqimet e kripura – mos konsumoni më shumë se 5 gramë kripë në ditë.
- Mos hani ushqime të pasura me yndyrna dhe karbohidrate.
- Reduktoni konsumin e alkoolit – më pak se 2 pije në ditë për meshkujt dhe më pak se 1 pije për femrat.
- Shmangni stresin – gjeni kohë për veten dhe për t’u çlodhur.
- Hiqni dorë nga duhani! – Duhani është edhe shkaktar i hipertensionit, sepse i dëmton enët e gjakut.
Nëse tashmë jeni diagnostikuar me tension të lartë të gjakut, zvogëloni rrezikun duke krijuar zakone të shëndetshme, duke bërë matje të rregullta të tensionit të gjakut, duke menaxhuar stresin, duke marrë terapi të rregullt antihipertensive dhe duke i mbajtur nën kontroll sëmundjet e tjera.
Pergatiti:
Departamenti i Promovimit të Shëndetit dhe i Ndjekjes së Sëmundjeve