Sot, popullsia e botës numëron më shumë se 7 miliardë njerëz dhe më shumë se një miliard njerëz, ose përafërsisht 15% e popullsisë së botës, jetojnë me ndonjë formë të aftësive së kufizuara.
Dita Ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuara është një ditë që Kombet e Bashkuara (OKB) e shënojnë çdo vit më 3 dhjetor. Kjo u shpall për herë të parë në vitin 1992 me Rezolutën 47/3 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kjo ditë shërben për të promovuar të drejtat dhe mirëqenien e personave me aftësi të kufizuara në çdo nivel të shoqërisë dhe zhvillimit, si dhe për të rritur ndërgjegjësimin e përgjithshëm për gjendjen e personave me aftësi të kufizuara në të gjitha aspektet e jetës politike, sociale, ekonomike dhe kulturore. Shënimi i kësaj dite për çdo vit përforcon rëndësinë e sigurimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në mënyrë që ata të kenë një pjesëmarrje të plotë, në mënyrë të barabartë dhe efektive në shoqëri dhe të mos përballen me pengesa në të gjitha aspektet e jetës së tyre.
Këtë vit, më 3 dhjetor shënimi i Ditës Ndërkombëtare për personat me aftësi të kufizuara do të bëhet me temën “Lidershipi dhe pjesëmarrja e personave me aftësi të kufizuara drejt një bote gjithëpërfshirëse, të aksesueshme dhe të qëndrueshme pas Kovid-19”.
Nga muaji mars i vitit 2020, çdo person në vend është nën ndikimin e ndryshimeve drastike politike, sociale dhe ekonomike si rezultat i përgjigjes së brendshme dhe ndërkombëtare ndaj pandemisë me Kovid-19.
Këtë vit, Dita Ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuara duhet të përdoret për ta pranuar se personat me aftësi të kufizuara janë ndër më të prekurit nga kjo pandemi. Aty ku margjinalizimi, diskriminimi, vullnerabiliteti dhe eksploatimi janë një përditshmëri për shumë njerëz, rreziku për të pasur rezultate të këqija rritet si pasojë e zvogëlimit të aksesit në mbrojtjen shëndetësore dhe shërbimet rutinore për rehabilitim, e izolimit social më të theksuar, mesazheve të papërshtatura mirë për shëndetin publik, shërbimeve për shëndetin mendor të konstruktuara në mënyrë joadekuate dhe si rezultat i mungesës së gadishmërisë për ndihmesë të personave me aftësi të kufizuara gjatë rasteve emergjente.
U bëhet një apel zyrtarëve vendas dhe ndërkombëtarë të shëndetit publik, politikanëve, avokatëve, mbështetësve dhe çdo qytetari në çdo komunitet, që të mësojnë nga përvojat e njerëzve që jetojnë me aftësi të kufizuara gjatë kësaj pandemie dhe të angazhohen për investime më të rëndësishme socio-ekonomike të cilat do mundësojnë zvogëlimin e barrierave me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara në çdo komunitet të vendit.
Çdokush që dëshiron mund të bashkohet në rrjetet sociale duke përdorur hashtag #IDPD | # EveryoneIncluded | # CRPD për të promovuar temën e këtij viti „Lidershipi dhe pjesëmarrja e personave me aftësi të kufizuara drejt një bote gjithëpërfshirëse, të aksesueshme dhe të qëndrueshme pas Kovid-19 “.
Në vendin tonë është krijuar E-platformë ranaintervencija.mk në kuadër të projektit “Kujdesi në komunitet për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre”, të cilin e implementon Lidhja e Edukatorëve dhe Rehabilitatorëve Specialë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me mbështetje financiare nga UNICEF-i.
Platforma është e dedikuar për prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve me vonesa në zhvillim dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara në moshë nga 0 deri në 6 vjeç dhe ka për qëllim të ndihmojë prindërit dhe kujdestarët të kuptojnë treguesit kryesorë të zhvillimit në fëmijërinë e hershme; të njohin shenjat e para të vonesës në zhvillim dhe stimulojnë zhvillimin e fëmijës nëpërmjet lojës dhe ushtrimeve. Kjo platformë gjithashtu ofron qasje të lehtë në udhëzime dhe ndërhyrje profesionale të individualizuara, duke përfshirë këtu edhe mundësinë që prindërit përmes internetit të mund të dorëzojnë një kërkesë për ekspertë nga Lidhja e Edukatorëve dhe Rehabilitatorëve Specialë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të vlerësuar nevojat individuale të fëmijës dhe për të zhvilluar një plan zhvillimi individual. Me këtë opsion, prindërve, pavarësisht se ku jetojnë, u mundësohet qasje në mbështetje dhe udhëzime të përshtatura dhe të specializuara për të stimuluar shkathtësitë dhe aftësitë e fëmijës së tyre. Nevoja për shërbime online për ndërhyrje të hershme u paraqit si përgjigje ndaj pandemisë me Kovid-19 gjatë së cilës u ndërprenë disa nga shërbimet bazë për mbështetje të fëmijëve me aftësi të kufizuara, duke i ngarkuar kështu prindërit dhe kujdestarët. E-platforma është në dispozicion në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe në http://www.ranaintervencija.mk.
Përgatiti: Departamenti për promovimin e shëndetit dhe monitorimin e sëmundjeve