Çdo vit në 31 maj Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe partnerët e saj, duke i theksuar rreziqet ndaj shëndetit që burojnë nga përdorimi i duhanit dhe duke promovuar politika efektive për zvogëlimin e përdorimit të duhanit, e shënojnë Ditën Botërore të luftës kundër duhanit. Dita Botërore e luftës kundër duhanit shënohet që nga viti 1987. Të dhënat statistikore tregojnë se çdo cigare e pirë e shkurton jetën e një njeriu për 12 minuta. Sipas të dhënave nga OBSH në botë ka 1.1 miliardë duhanpirës, nga të cilët 200 milionë janë femra. Në vit nga pirja e duhanit vdesin 6 milionë njerëz, në mesin e të cilëve edhe 600 000 duhanpirës pasiv. Në Republikën e Maqedonisë janë të regjistruar rreth 700 000 duhanpirës, të cilët gjatë një viti konsumojnë 11 tonelata duhan, ose 5.5 kilogram duhan për banor. Ndikimi negativ i duhanit dhe tymit të duhanit ka si rezultat shumë sëmundje të rënda. Efektet negative ndaj shëndetit janë si rezultat i rreth 2500 helmeve që i përmban duhani dhe rreth 4000 substancave të cilat i përmban tymi i cigareve. Së paku 250 nga këto kemikalie janë toksike, ndërsa më shumë se 60 prej tyre janë kancerogjene. Pasojat nga përdorimi i duhanit janë: kaceri i mushkërive, kanceri fytit dhe zgavrës gojore, sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut dhe trurit, bronkiti kronik, sëmundjet kronike joinfektive dhe shumë sëmundje të tjera. Duhanpirja pasive (thithja e tymit që nxjerrin ata që pinë duhan) rrit rrezikun për shfaqjen e kancerit tek joduhanpirësit, si dhe rrezikun nga sindroma e vdekjes së papritur tek foshnjat.
Për këtë vit, moto e Ditës Botërore të luftës kundër duhanit është “Stop tregtisë të palejuar të produkteve të duhanit”. Me rastin e Ditës Botërore të luftës kundër duhanit në vitin 2015 u bëhet thirrje të gjitha vendeve që të punojnë bashkërisht për t’i dhënë fund tregtisë të palejuar të produkteve të duhanit. Tregtia e palejuar është një problem global, si nga aspekti shëndetësor, ashtu edhe nga ai ligjor, ekonomik dhe politik.
Sipas të dhënave të marra nga shërbimet doganore ndërkombëtare, 1 nga 10 cigare të konsumuara është siguruar në mënyrë të paligjshme.
Komisioni Evropian vlerëson se tregtia e palejuar e cigareve Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare gjatë një viti u shkakton një humbje prej rreth 10 miliardë euro në formë të tatimeve dhe të ardhurave doganore.
Për tu përballur me këtë problem, në nëntor të vitit 2012, bashkësia ndërkombëtare e ka pranuar Protokollin për eliminimin e tregtisë të palejuar të produkteve të duhanit, si protokoll i parë i OBSH-së në kuadër të Konventës kornizë për kontrollin e duhanit (WHO FCTC).
Fushata e OBSH-së ka për qëllim:
- Ngritje të ndërgjegjësimit për efektet e dëmshme të duhanit ndaj shëndetit të njeriut si pasojë e tregtisë të palejuar të produkteve të duhanit, sidomos tek të rinjtë dhe personat me të ardhura të ulëta për shkak të qasjes më të madhe si rezultat i çmimeve më të ulëta
- Të tregojë se si tregtia e palejuar e duhanit ndikon negativisht ndaj kujdesit shëndetësor, kontrollit të duhanit, si dhe rritja e tatimeve dhe çmimeve, mesazhet paralajmëruese dhe masa të tjera
-Të demonstrojë përfshirjen e industrisë së duhanit në tregtinë e palejuar të produkteve të duhanit
- Të theksojë se si me pasurinë e ndërtuar nga tregtia e palejuar e produkteve të duhanit financohen aktivitete të tjera kriminale si: droga, tregtia me njerëz dhe me armë, terrorizmi.
Promovimin e ratifikimit dhe zbatimit të Protokollit për eliminimin e tregtisë të palejuar të produkteve të duhanit për të gjitha vendet anëtare të konventës dhe hyrjen e parakohshme në fuqi përmes përfshirjes aktive të vendimmarrësve relevant.