„Kujdes për shëndetin mendor për të gjithë: Ta bëjmë realitet“
Shëndetin mendor OBSH-ja e definon si „mirëqenie në të cilën një individ realizon potencialin e tij ose të saj, mund të përballojë streset normale të jetës, punon në mënyrë produktive dhe kontribuon në komunitet”. Shëndeti mendor është shumë më tepër sesa mungesa e sëmundjes; është gjithashtu një mirëqenie që përfshin kapacitetin për të krijuar dhe mbajtur marrëdhënie, për të mësuar, për të punuar, për pushim dhe rekreim, si dhe mundësinë dhe të drejtën për vendime dhe zgjedhje personale. I definuar në këtë mënyrë, shëndeti mendor është një burim themelor personal dhe shoqëror – që kontribuon në kapitalin njerëzor, fizik dhe shoqëror në komunitet. Nga ana tjetër, shëndeti mendor i çrregulluar shoqërohet me një sërë disavantazhesh shoqërore, abuzim me të drejtat themelore të njeriut, përkeqësim të shëndetit fizik, ulje të produktivitetit dhe rritje të rrezikut nga sëmundje serioze psikiatrike.
Në vitet e fundit, gjithnjë e më shumë po vërtetohet rëndësia e shëndetit mendor në arritjen e qëllimeve të zhvillimit global, gjë që dëshmohet nga përfshirja e shëndetit mendor në Qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm.
Në të gjithë botën, më shumë se 450 milionë njerëz vuajnë nga çrregullime mendore. OBSH vlerëson se rreth 151 milionë njerëz vuajnë nga depresioni, 26 milionë nga skizofrenia dhe 125 milionë nga çrregullimet lidhur me alkoolin.
Rreth 20% e fëmijëve dhe adoleshentëve në botë kanë probleme me shëndetin mendor. Depresioni është një nga shkaqet kryesore të kufizimit të aftësive të tyre. Vetëvrasja, nga ana tjetër, është shkaku i dytë kryesor i vdekjes tek të rinjtë e moshës nga 15-29 vjeç. Njerëzit me gjendje të rënda të shëndetit mendor vdesin para kohe – madje edhe dy dekada më herët.
Pavarësisht përparimit në disa vende, njerëzit me probleme të shëndetit mendor shpesh përballen me shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, diskriminim dhe stigmatizim.
Çrregullimet e shëndetit mendor po shënojnë një rritje në të gjithë botën. Kryesisht si rezultat i ndryshimit demografik, në dekadën e fundit, çrregullimet e shëndetit mendor kanë shënuar një rritje prej 13% (deri në vitin 2017).
Çrregullimet mendore mund të ndikojnë ndjeshëm në të gjitha fushat e jetës, si aftësitë për të mësuar dhe për të punuar, marrëdhëniet me familjen dhe miqtë dhe aftësinë për të marrë pjesë në komunitet. Dy nga gjendjet më të zakonshme të shëndetit mendor, depresioni dhe ankthi, ekonomisë globale i kushtojnë rreth 1 trilion dollarë për çdo vit.
Sidoqoftë, mesatarja globale e shpenzimeve të shëndetit publik për shëndetin mendor është më pak se 2%.
Shumë gjendje të shëndetit mendor mund të trajtohen në mënyrë efektive me kosto relativisht të ulët, por ende ekziston një hendek i madh midis njerëzve që kanë nevojë për kujdes dhe atyre që kanë qasje në të. Mbulimi me trajtim efikas vazhdon të jetë jashtëzakonisht i ulët.
Pikërisht kjo është arsyeja pse ekziston nevoja për rritje të investimeve në të gjitha frontet: ngritjen e vetëdijes për shëndetin mendor (rritja e mirëkuptimit si dhe pranimi nga mjedisi, si dhe zvogëlimi i stigmatizimit); rritjen e nivelit të qasjes në kujdes shëndetësor në lidhje me shëndetin mendor dhe në trajtime efikase dhe zbatimin e hulumtimeve për të identifikuar trajtime të reja dhe për t’i përmirësuar trajtimet aktuale për të gjitha çrregullimet mendore. Në vitin 2019, OBSH nisi Iniciativën speciale të OBSH-së për shëndetit mendor (2019-2023): Mbulim universal shëndetësor për shëndetin mendor për të siguruar qasje në kujdes cilësor dhe të disponueshëm për gjendjet e shëndetit mendor në 12 vendet prioritare për më shumë se 100 milion njerëz.
Vendi ynë përmes aktiviteteve të ndryshme në mënyrë të vazhdueshme e zhvillon sistemin për kujdesin e shëndetit mendor të popullatës. Strategjia Kombëtare për promovimin e shëndetit mendor u miratua në vitin 2018 për një periudhë shtatëvjeçare (2018-2025). Theks i veçantë në këtë strategji i është dhënë parandalimit të sëmundjeve dhe promovimit të shëndetit mendor, me një plan të përshtatshëm për organizimin e institucioneve të shëndetit mendor në çdo nivel të kujdesit shëndetësor, me zhvillimin e një sistemi të shëndetit mendor të orientuar drejt komunitetit. Fokusi i kësaj strategjie është te secili individ dhe nevojat e tij për përmirësimin e shëndetit mendor.
Shëndeti mendor dhe KOVID-19
Pandemia e KOVID-19 ka pasur një ndikim të madh në shëndetin mendor të njerëzve në nivel global. Frika, shqetësimi dhe stresi janë përgjigje normale ndaj kërcënimeve të perceptuara ose reale, në momentet kur përballemi me pasiguri ose diçka të panjohur. Pra, është krejt normale dhe e kuptueshme që njerëzit të përjetojnë frikë lidhur me pandeminë e KOVID-19.
Frika nga infektimi me virusin në një pandemi të tillë si kjo e KOVID-19 gjithashtu është rritur edhe për shkak të ndryshimeve të rëndësishme në jetën tonë të përditshme, si kufizimi i lëvizjes si një masë shtesë për të parandaluar dhe ngadalësuar përhapjen e virusit. Kur po përballemi me ndryshime të tilla si puna nga shtëpia, papunësia e përkohshme, mësimi në distancë dhe mungesa e kontaktit fizik me anëtarët e tjerë të familjes, miqtë dhe kolegët, është e rëndësishme që t’i kushtojmë kujdes shëndetit tonë mendor, si dhe atij fizik.
Në Ditën Botërore të shëndetit mendor, 10 Tetor, do të mbushen më shumë se 18 muaj nga fillimi i pandemisë së KOVID-19. Në disa vende, jeta ngadalë po kthehet në “normale”; në të tjerat, shkalla e transmetimit dhe hospitalizimit mbetet e lartë, duke çrregulluar kështu jetën e familjeve dhe komuniteteve në përgjithësi.
Periudha e kaluar solli shumë sfida: për punonjësit shëndetësorë (ofrimi i kujdesit në rrethana të vështira, shkuarja në punë me frikës se mos përcjellin KOVID-19 tek familjet e tyre); për studentët (përshtatja për mësim në distancë, me pak kontakte me mësuesit dhe miqtë dhe shqetësimet për të ardhmen); për punëtorët burimet financiare të të cilëve janë të rrezikuara; për shumicën e njerëzve të mbërthyer nga ose në mjedise me mbrojtje jashtëzakonisht të kufizuar nga KOVID-19 dhe për njerëzit me çrregullime mendore (shumë nga ata po përjetojnë izolim edhe më të madh social se më parë).
Pasojat ekonomike të pandemisë tashmë po ndjehen sepse në përpjekje për t’i shpëtuar bizneset e tyre kompanitë pushuan nga puna shumë prej punonjësve të tyre ose thjesht i mbyllën bizneset.
Duke pasur parasysh përvojën e kaluar me situata krize, në periudhën e ardhshme pritet që nevoja për mbështetje të shëndetit mendor dhe për mbështetje psikosociale të vazhdojë të rritet. Tani, investimi në programet për shëndetin mendor në rrafsh kombëtar dhe ndërkombëtar, të cilat tashmë kanë vuajtur me vite nga nënfinancim kronik, është më i rëndësishëm se kurrë.
Qeveritë në të gjithë botën e njohën nevojën për të rritur dhe përmirësuar cilësinë e shërbimeve për shëndetin mendor në të gjitha nivelet, gjë që u diskutua në Asamblenë botërore të shëndetit në maj të vitit 2021. Përveç kësaj, disa vende kanë gjetur mënyra të reja për t’u ofruar kujdes shëndetësor mendor banorëve të tyre.
Ka ardhur koha që kujdesi cilësor për shëndetin mendor të bëhet realitet për të gjithë. Dita Botërore e shëndetit mendor është një mundësi që qeveritë, organizatat e shoqërisë civile dhe shumë të tjerë të bisedojnë për hapat që ata tashmë janë duke i ndërmarrë dhe që synojnë t’i ndërmarrin në të ardhmen për ta mbështetur këtë qëllim.
Pikërisht kjo është arsyeja se pse sllogani i fushatës së këtij viti për Ditën Botërore të shëndetit mendor 2021 thotë „Kujdes për shëndetin mendor për të gjithë: Ta bëjmë realitet“
Kjo fushatë ofron mundësi për të gjithë ne që të bëjmë diçka që e përmirëson jetën: si individë, të ndërmarrim veprime konkrete për ta mbështetur shëndetin tonë mendor dhe për t’i mbështetur miqtë dhe familjen që po përballen me probleme mendore; si punëdhënës, të ndërmarrim hapa drejt krijimit të programeve për mirëqenien e punonjësve; si qeveri, të angazhohemi për krijimin ose rritjen e shërbimeve për shëndetin mendor; dhe si gazetarë, për t’i treguar botës se çfarë mund dhe duhet bërë më shumë për ta përmirësuar shëndetin mendor në botë.
Përgatiti: Departamenti për promovimin e shëndetit dhe monitorimin e sëmundjeve