31 maj 2019
Duhani dhe shëndeti i mushkërive
Çdo vit më 31 maj, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe partnerët global e kremtojnë Ditën Botërore pa duhan. Fushata e sivjetme paraqet një mundësi për tu vetëdijesuar për efektet e dëmshme dhe vdekjeprurëse të përdorimit të duhanit dhe ekspozimit ndaj tymit të duhanit gjatë duhanpirjes pasive dhe për dekurajim sa i përket përdorimit të duhanit në çfarë do forme.
Në fokus të Ditës Botërore pa duhan 2019 është ” Duhani dhe shëndeti i mushkërive”. Fushata do të rrisë ndërgjegjësimin për:
- Ndikimin negativ që ka duhani ndaj shëndetit të mushkërive tek njerëzit, duke filluar nga kanceri e deri tek sëmundjet respiratore kronike,
- Rolin fondamental të mushkërive për shëndetin dhe mirëqenien e të gjithë njerëzve.
Fushata gjithashtu shërben edhe si apel për veprim, duke përfaqësuar politika efikase për zvogëlimin e përdorimit të duhanit dhe angazhimin palëve të interesuara në më shumë sektorë në luftën për kontrollimin e duhanit.
Si e rrezikon duhani shëndetin e mushkërive tek njerëzit në mbarë botën
Dita Botërore pa duhan në vitin 2019 do përqendrohet tek mënyrat e shumta në të cilat ekspozimi ndaj tymit të duhanit ndikon në shëndetin e mushkërive tek njerëzit në mbarë botën.
Ato përfshijnë:
Kancerin e mushkërive. Pirja e duhanit është shkaktari primar i kancerit të mushkërive, përgjegjës për më shumë se 2/3 e rasteve të vdekjes nga kanceri i mushkërive në mbarë botën. Ekspozimi ndaj tymit të duhanit në shtëpi ose në vendin e punës gjithashtu e rrit rrezikun nga kanceri i mushkërive. Heqja dorë nga pirja e duhanit mund ta zvogëlojë rrezikun nga kanceri i mushkërive: pas 10 vitesh pa duhan rreziku nga kanceri i mushkërive pothuajse përgjysmohet, për dallim nga rreziku që u kanoset duhanpirësve.
Sëmundja respiratore kronike. Pirja e duhanit është shkaku kryesor për sëmundjen pulmonare obstruktive kronike (SPOK), gjendje në të cilën grumbullimi i mukozës në mushkëri ka si rezultat kollë dhe vështirësi të mëdha në frymëmarrje. Rreziku nga zhvillimi i SPOK është posaçërisht i lartë tek personat të cilët pinë duhan që në moshë të re, sepse tymi i duhanit dukshëm e ngadalëson zhvillimin e mushkërive. Gjithashtu, duhani e përkeqëson astmën, gjë që e kufizon aktivitetin e duhanpirësve. Mospirja e duhanit është trajtimi më efektiv për ngadalësimin e përkeqësimit të SPOK dhe përmirësimit të simptomave të astmës.
Gjatë gjithë jetës. Foshnjat të cilat janë ekspozuar ndaj toksineve të tymit të duhanit që në barkun e nënës, ose të ekspozuar gjatë pirjes pasive të duhanit nga nëna, shpesh kanë ngadalësim të rritjes dhe funksionimit të mushkërive.
Fëmijët e vegjël të ekspozuar ndaj pirjes pasive të duhanit rrezikohen nga astma, pneumonia dhe bronkiti si dhe infeksione të shpeshta të rrugëve të frymëmarrjes.
Në rrafsh global, rreth 165 000 fëmijë vdesin para se të mbushin 5 vjet nga infeksionet e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes të shkaktuara nga pirja pasive e duhanit. Ato që mbijetojnë, vazhdojnë të vuajnë nga pasojat shëndetësore nga ekspozimi ndaj tymit të duhanit, sepse infeksionet e shumta respiratore në fëmijëri, e rrisin dukshëm rrezikun për zhvillimin e SPOK në moshë madhore.
Tuberkulozi. Тuberkulozi (TB) i dëmton mushkëritë dhe e zvogëlon funksionin e tyre, gjë që përkeqësohet edhe më shumë nëse pihet duhan. Përbërësit kimik të tymit të duhanit mund të shkaktojnë infeksione latente të tuberkulozit, me të cilat janë të prekur rreth ¼ e të gjithë njerëzve. Tuberkulozi aktiv, bashkë me efektet e dëmshme të tymit të duhanit ndaj mushkërive, rrit dukshëm rrezikun nga invaliditeti dhe vdekja nga insuficienca respiratore.
Ndotja e ajrit. Tymi i duhanit paraqet një formë shumë të rrezikshme të ndotjes së ajrit në mjedise të mbyllura. Përmban më shumë se 7 000 kimikalie, nga të cilat për 69 dihet se shkaktojnë kancer. Edhe pse tymi mund të jetë i padukshëm dhe pa erë, ai mund të qëndrojë në ajër deri më pesë orë, duke i rrezikuar kështu njerëzit nga kanceri i mushkërive, sëmundjet repiratore kronike dhe insuficienca e mushkërive.
Qëllimet e Fushatës Botërore pa duhan, 2019
Masa më efektive për përmirësimin e shëndetit të mushkërive është zvogëlimi i përdorimit të duhanit dhe ekspozimi pasiv ndaj tymit të duhanit. Por, njohuritë tek pjesa më e gjerë e popullatës, e sidomos te duhanpirësit, për efektet negative shëndetësore të mushkërive që burojnë nga tymi i duhanit dhe nga ekspozimi pasiv ndaj tymit të tij, në disa vende janë shumë modeste. Edhe krahas dëshmive të forta për dëmet që i shkakton duhani tek mushkëritë, potenciali i kontrollimit të duhanit për përmirësimin e shëndetit të mushkërive vazhdon të mbetet i nënvlerësuar.
Fushata Dita Botërore pa duhan 2019 do e rrisë vetëdijshmërinë për:
- Rreziqet që sjell pirja e duhanit dhe ekspozimi pasiv ndaj tymit të duhanit;
- Rreziqet që sjell pirja e duhanit për shëndetin e mushkërive;
- Madhësinë e vdekjes dhe sëmundjes në rrafsh global nga sëmundjet e mushkërive si pasojë e duhanit, përfshirë këtu sëmundjet respiratore kronike dhe kancerin e mushkërive;
- Dëshmitë evidente për lidhshmërinë mes pirjes së duhanit dhe vdekshmërisë nga tuberkulozi;
- Implikacionet nga ekspozimi pasiv ndaj tymit të duhanit ndaj shëndetit të mushkërive tek të rriturit;
- Rëndësinë që ka shëndeti i mushkërive për arritjen e një shëndeti dhe mirëqenie të përgjithshme;
- Veprimet dhe masat e realizueshme të cilat faktorët kryesorë, përfshirë këtu popullatën e gjerë dhe qeveritë, mund t’i ndërmarrin për të zvogëluar rreziqet ndaj shëndetit të mushkërive si pasojë e tymit të duhanit.
Tema për duhanin dhe shëndetin e mushkërive implikon procese të tjera globale, siç janë tentativat globale për të kontrolluar sëmundjet joinfektive, tuberkulozin dhe ndotjen e ajrit, gjegjësisht promovimin e shëndetit. Ajo shërben si mundësi për përfshirjen e palëve të prekura në sektorë dhe i nxit vendet të përforcojnë zbatimin e masave të vërtetuara për kontrollim të duhanit që janë pjesë e Konventës kornizë të OBSH-së për kontrollimin e duhanit.
Thirrje për veprim
Shëndeti i mushkërive arrihet vetëm përmes mungesës së sëmundjes, sepse tymi i duhanit ka efekte të mëdha ndaj shëndetit të mushkërive të duhanpirësve edhe atyre që nuk pinë duhan në mbarë botën.
Për ti arritur Qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm – zvogëlim i vdekshmërisë nga sëmundjet joinfektive për 30% deri në vitin 2030, kontrollimi i duhanit duhet të jetë prioritet për qeveritë dhe komunitetet në të gjithë botën. për momentin, bota është në rrugë të mbarë për ta realizuar këtë qëllim.
Vendet duhet t’i kundërvihen epidemisë së duhanit duke e zbatuar në tërësi Konventën e OBSH-së dhe duke i miratuar masat “MPOWER”(monitorim, mbrojtje, ofertë paralajmërim për efektet negative, përforcim të ndalesës për reklamim dhe promovim dhe rritje të tatimeve) në nivel më të lartë që përfshin zhvillim dhe zbatim të politikave më efikase për kontrollimin e duhanit që kanë për qëllim zvogëlimin e përdorimit të duhanit.
Edhe prindërit dhe anëtarët e tjerë të komunitetit duhet të ndërmarrin masa për promovimin shëndetit të tyre dhe të fëmijëve të tyre dhe të mbrohen e t’i mbrojnë ato nga ndikimet e dëmshme që ka duhani.