Në kuadër të Javës ndërkombëtare të infermierisë, në 5 maj shënohet Dita ndërkombëtare e mamive, ndërsa në 12 maj Dita ndërkombëtare e infermiereve dhe teknikëve. Pothuajse 50% e punonjësve shëndetësorë janë infermiere dhe mami.

Dita ndërkombëtare e infermiereve dhe teknikëve është në 12 maj  dhe shënohet çdo vit në kujtim të ditëlindjes së Florens Najtingejll.

Florens Najtingejll ka lindur në Firencë, Itali në 12 maj të vitit 1820. Gjithë jetën ka luftuar për avancimin e profesionit të saj dhe për të drejtat e grave.  Pas përfundimit të shkollimit është paraqitur për të shkuar në Turqi, ku bashkë me 38 infermiere të tjera është përkujdesur për ushtarët e plagosur. Ky ka qenë grupi i parë i infermiereve që kanë punuar në front. Ajo ka qenë e njohur edhe si “Zonja me llambë” për shkak të shprehisë së saj për t’i vizituar natën ushtarët e plagosur.

Florens Najtingejll konsiderohet si pionere e infermierisë moderne në botë. Ajo gjithashtu ka dhënë kontribut në promovimin e prezantimit grafik të të dhënave statistikore. Ka iniciuar edukim profesional të infermiereve dhe ka implementuar metoda për përkujdesjen e pacientëve dhe organizimin e spitaleve, që janë pranuar në shumë vende.

Në Ditën ndërkombëtare të infermierisë këtë vit duam t’i nderojmë të gjithë ata që humbën jetën në këtë luftë, por edhe të tregojmë mbështetje për kolegët dhe koleget tona, si dhe për të gjithë punonjësit e tjerë shëndetësorë të cilët me sukses po përballen me virusin e COVID-19 për çdo ditë.

Infermieret dhe punonjësit e tjerë shëndetësorë janë në vijën e parë të frontit kundër COVID-19 – duke siguruar një trajtim dhe kujdes tejet cilësor dhe respekt për personat në nevojë, duke realizuar dialog në komunitet për zgjidhjen e problemeve dhe frikave. Infermieret si një hallkë e rëndësishme në sistemin shëndetësor janë të kyçura në mënyrë aktive në luftën me pandeminë që nga grumbullimi i të dhënave për studime klinike dhe epidemiologjike, anketime epidemiologjike, nëpërmjet kujdesit aktiv për pacientët dhe komunitetin, e deri tek procesi i vaksinimit kundër COVID-19. Dita ndërkombëtare e infermiereve duhet të theksojë statusin aktual të infermiereve në të gjithë botën.

Infermieret luajnë një roj qenësor në mbrojtjen shëndetësore dhe shpesh herë janë heronjtë e heshtur në institucionet shëndetësore. Ato shpesh herë janë të parat të cilat i zbulojnë rastet shëndetësore emergjente dhe punojnë në vijën e parë të parandalimit të sëmundjeve dhe ofrimit të mbrojtjes shëndetësore primare, përfshirë këtu edhe promovimin, parandalimin, trajtimin dhe rehabilitimin. Ato shpesh herë janë punonjësi i parë shëndetësor, dhe ndonjëherë edhe i vetmi  të cilin një pacient e takon dhe cilësia e vlerësimit të tyre të parë dhe kujdesit pas tij ka një rëndësi jetike për rezultate të mira shëndetësore.

OBSH e njeh rolin vital që e luajnë infermieret gjatë ofrimit të mbrojtjes shëndetësore primare në mbarë botën  – përfshirë këtu hulumtimin, parandalimin e sëmundjeve, trajtimin e të lënduarve, kujdesin paliativ – që është paraqitur përmes disa rezolutave në Kuvendin shëndetësor botëror. Këto dokumente e demonstrojnë rëndësinë e vendeve anëtare të OBSH-së për shërbimet e infermiereve dhe mamive si mjet për arritjen e një shëndeti më të mirë për të gjitha komunitetet.

OBSH ka dhënë rekomandime të rëndësishme, përfshirë këtu edhe investimin në edukimin e infermiereve dhe mamive, angazhimin e më shumë infermiereve të specializuara, investime në përforcimin e aftësive udhëheqëse të infermiereve dhe mamive, përforcimin dhe njohjen e rolit të infermieres në sistemin shëndetësor dhe në mbështetjen e punonjësve shëndetësorë dhe zbatimin e promovimit të shëndetit dhe parandalimit të sëmundjeve, që janë qenësore për zhvillimin e mëtejshëm të veprimtarisë mjekësore në të ardhmen. Në botë nevojiten edhe 9 milionë infermiere dhe mami në rast se duam që të arrihet një mbulim shëndetësor universal deri në vitin 2030.

Shërbimet e infermiereve konsistojnë në kujdes kolaborativ dhe autonom të personave të të gjitha moshave, familjeve, grupeve dhe komuniteteve, të shëndetshëm apo të sëmurë, në të gjitha kushtet.  Këtu përfshihet promovimi i shëndetit, parandalimi i sëmundjeve dhe kujdesi për të sëmurët, invalidët dhe personat pa shpresë për shërim. Edhe krahas rolit kritik që e kanë në mbrojtjen shëndetësore, në botë ka mungesë të infermiereve, mungesë kjo që pritet të rritet si pasojë e numrit të popullsisë, gjë që e rrit edhe nevojën për infermiere të trajnuara. Çdo vend ka nevojë për fuqi punëtore kompetente, të motivuar, të shpërndarë dhe të mbështetur mirë si pjesë e angazhimeve globale për mbulim shëndetësor global, ndërsa infermieret janë element qenësor i këtyre angazhimeve.

Me një respekt të thellë ndaj infermiereve për angazhimin, sakrificën dhe kujdesin  për shëndetin e popullatës në kushte pandemie, duhet të themi: Ju jeni heronjtë tanë!

 

Burimi: https://www.who.int/