Pajisjet mbrojtëse personale (PMP) vishen nga persona mjekësorë dhe persona të tjerë jomjekësorë të cilët janë të ekspozuar ndaj ose në kontakt të ngushtë me pacientët me KOVID-19. Këto veshje zakonisht përbëhen nga një kostum hazmat ose një përparëse e papërshkueshme nga uji, maskë për fytyrë, vizir/syze dhe doreza lateksi. Edhe pse janë të nevojshme për t’i mbrojtur punonjësit nga virusi, këto artikuj e bëjnë të vështirë zvogëlimin e nxehtësisë së trupit, sepse djersa nuk mund të avullohet lehtë. Puna me veshje mbrojtëse jo vetëm që ul qëndrueshmërinë dhe performancat fizike të një personi, por rritja e temperaturës të bërthamës së trupit gjithashtu mund të zvogëlojë performancat kognitive.

Për të minimizuar ngarkesën nga nxehtësia, rekomandohet të minimizohet izolimi i veshjeve dhe rezistenca ndaj avujve të ujit. Sidoqoftë, kjo bie ndesh me masat për mbrojtjen ndaj virusit SARS-CoV-2. Veshjet e padepërtueshme e izolojnë lëkurën e njeriut nga grimcat dhe viruset në ajrin e ambientit dhe nga pikat, duke parandaluar kështu infeksionin. Nga ana tjetër, veshjet e papërshkueshme kur mbahen për një periudhë të gjatë kohore shkaktojnë dëmtim të lëkurës dhe ngarkesë nga nxehtësia.

Gjatë motit të nxehtë, kur keni të veshura PMP, mekanizmat për zvogëlimin e nxehtësisë nuk mund të rregullojnë nxehtësinë e prodhuar dhe ajo mbetet në trup. Për ta minimizuar rritjen e temperaturës në bërthamën e trupit, duhet të zvogëlohet intensiteti i punës, frekuenca, kohëzgjatja dhe pesha e PMP.

Konsumimi i lëngjeve të ftohta zvogëlon akumulimin e nxehtësisë në trup. Por pijet duhet të pihen jashtë zonës së kontaminuar.

 

Masa konkrete për zvoglimin e ngarkesën nga nxehtësia gjatë përdorimit të PMP

Mësoni se si të identifikoni simptomat e sëmundjeve që i shkakton nxehtësia, si tek vetja ashtu dhe tek të tjerët.

Aklimatizohuni ndaj nxehtësisë që ta zvogëloni temperaturën fillestare të bërthamës së trupit. Kjo arrihet kur punoni në nxehtësi për më shumë se një orë çdo ditë për të paktën 7 ditë.

Freskohuni, hidratohuni dhe pushoni ndërmjet turneve, pasi stresi nga nxehtësia mund të rritet me ditët pasuese të ekspozimit.

Gjatë punës: zvogëloni ngritjen e temperaturës në bërthamën e trupit duke e përshtatur intensitetin e punës.

Kosumoni lëngje dhe ushqim rregullisht. Në rast një djersitjeje intensive ose të vazhdueshme, kini kujdes që të ruani ekuilibrin e elektroliteve.

Zvogëloni numrin e shtresave të veshjeve nën PMP.

Zvogëloni nxehtësinë shtesë nga aktiviteti fizik: minimizoni pajisjet që vishni, jini efikas në lëvizjet tuaja, organizoni kohën tuaj.

Freskohuni: pini lëngje të ftohta ose akulli të coptuar gjatë pauzave në punë, gjeni vende të freskëta për të pushuar.

Bëni një orar pune/pushimi për ta minimizuar rritjen e tepërt të nxehtësisë së trupit.

Konsideroni përdorimin e pajisjeve ftohëse nën veshjen tuaj mbrojtëse, siç është jeleku me akull, etj.

Mësoni t’i dalloni shenjat e stresit nga nxehtësia tek ju dhe mos prisni të ndiheni keq para se të bëni një pushim; mbroni mbi të gjitha veten që të mund të kujdeseni për të tjerët.

Jini të vetëdijshëm për nivelin individual të ndjeshmërisë (vullnerabilitetit) si rezultat i moshës tuaj, gjendjes fizike, problemeve shëndetësore, barnave që pranoni, shtatzënisë ose mungesës së aklimatizimit ndaj nxehtësisë.

Bëni aktivitete për aklimatizim.

Ruani ose përmirësoni kondicionin aerobik sa herë të jetë e mundur.

Nivelet e aklimatizimit ndaj nxehtësisë, toleranca ndaj nxehtësisë, kushtet në mjedisin jetësor, vëllimi i punës dhe PMP do të dallojnë dukshëm tek dhe në mesin e fuqisë punëtore që mban PMP. Këto janë parime të përgjithshme që duhet të merren parasysh në kontekstin dhe kërkesat tuaja specifike.

toplo