- 14.08.2026
SIGURIA E USHQIMIT GJATË VALËVE TË TË NXEHTIT
Temperaturat e larta krijojnë kushte të favorshme për shtimin e shpejtë të mikroorganizmave në ushqim dhe e rrisin rrezikun e sëmundjeve që shkaktohen nga ushqimi i pa sigurt. Gjatë valëve të të nxehtit kushtoni vëmendje të veçantë përzgjedhjes, transportit dhe ruajtjes adekuate të ushqimit.
Gjatë blerjes të ushqimit
Blini ushqim nga operatorë të regjistruar të ushqimit dhe kontrolloni datën e skadimit, pamjen e paketimit dhe kushtet e ruajtjes.
Mishin, peshkun, qumështin dhe produktet e qumështit, vezët dhe ushqimet e tjera që prishen lehtë bleni në fund, pak para se të dilni nga dyqani.
Mos blini ushqim të ngrirë nëse shihni se ka filluar të shkrihet.
Mos blini produkte me paketim të dëmtuar, si dhe kanaçe të fryra, të dëmtuara ose të ndryshkura.
Ruani zinxhirin e ftohtë
Ushqimet që prishen dhe të ngrira transportoni në shtëpi sa më shpejt të jetë e mundur. Për transport më të gjatë përdorni qese ose frigorifer të izoluar termikisht.
Pas blerjes, ushqimin që kërkon ftohje në frigorifer dhe ushqimin e ngrirë vendosni menjëherë në frigorifer.
Ushqimet e përgatitura dhe që prishen ruani në frigorifer në temperaturë prej -1 deri në 4 °C dhe ushqimin e ngrirë në -18 °C ose në temperaturë më të ulët. Mos e lini ushqimin e përgatitur ose që prishet në temperaturë ambienti për më shumë se 2 orë, ndërsa gjatë temperaturave të larta përpiquni që kjo kohë të jetë sa më e shkurtër që të jetë e mundur.
Mos e shkrini ushqimin e ngrirë në temperaturë ambienti.
Gjatë qëndrimit në mjedis të hapur
Mos e lini ushqimin që prishet të ekspozuar ndaj rrezeve të diellit ose në një automjet të nxehtë.
Kur bëni piknik, udhëtoni ose qëndroni jashtë për një periudhë më të gjatë kohore, ushqimet që duhet të ruhen në temperaturë të ulët ruani në një qese të izoluar me mjete për ftohje.
Përdorni ujë të pijshëm të sigurt për përgatitjen e ushqimit dhe lani frutat dhe perimet plotësisht para përdorimit.
Gjatë periudhave të temperaturave të larta ruajtja e zinxhirit të ftohtë dhe ruajtja e duhur e ushqimit janë posanërisht të rëndësishme për parandalimin e sëmundjeve që burojnë nga ushqimi.