• 16.05.2025

16 Maji - Dita Ndërkombëtare e Ndërgjegjësimit për Sëmundjen Celiake


16 maji është Dita Ndërkombëtare e Ndërgjegjësimit për Sëmundjen Celiake. Çdo vit, Shoqatat Kombëtare të Sëmundjes Celiake në të gjithë botën e shfrytëzojnë këtë ditë si një mundësi për ta ngritur ndërgjegjësimin e popullatës rreth sëmundjes celiake dhe çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me intolerancën ndaj glutenit. Në vende të ndryshme organizohen fushata dhe seanca për ndarjen e informacionit në lidhje me hulumtimet më të fundit, trajtimet, fushatat për diagnostikimin e hershëm dhe dietat që mund t’i ndihmojnë njerëzit me sëmundjen celiake dhe problemet si pasojë e konsumimit të glutenit që ta përmirësojnë gjendjen e tyre.

Sëmundja celiake është një sëmundje kronike autoimune që karakterizohet me intolerancë të trupit ndaj glutenit, një proteinë që gjendet në grurë, elb, thekër dhe tërshërë. Sëmundja celiake është një gjendje mjekësore në të cilën sistemi imunitar i sulmon indet e veta kur konsumohen ushqime që përmbajnë gluten. Mendohet se më shumë se një milion evropianë vuajnë nga sëmundja celiake. çdo pacient të diagnostikuar ka të paktën shtatë që janë të padiagnostikuar. Njohuritë rreth sëmundjes celiake dhe ruajtjes së shëndetit me këtë sëmundje janë në një nivel jashtëzakonisht të ulët. Sëmundja prek të gjitha grupmoshat e të dy gjinive. Rastet e raportuara me këtë sëmundje janë më të larta tek gratë sesa tek burrat. Rreziku nga sëmundja celiake është më i lartë tek ata me sëmundje autoimune të tiroides, diabet tip 1, sindromën Daun dhe sindromën Turner. Sëmundja celiake mund të zhvillohet në çdo moshë dhe mund të shfaqet tek foshnjat ose tek të rriturit.

Simptomat e sëmundjes celiake

Kur themi sëmundje celiake nënkuptojmë një sëmundje autoimune, një gjendje në të cilën trupi duke e sulmuar glutenin e sulmon edhe veten. Dëmtimi ndodh në fijet e zorrëve që janë përgjegjëse për thithjen e lëndëve ushqyese në zorrën e hollë, ndërsa gluteni dëmton mukozën e mureve të zorrës së hollë. Në mungesë të fijeve të shëndetshme të zorrëve, dëmtohet përthithja e lëndëve ushqyese të nevojshme për organizmin, duke shkaktuar kështu një përthithje të pamjaftueshme të lëndëve ushqyese dhe si pasojë e kësaj vjen deri tek kequshqyerja. Nga kjo rrjedh se mund të shfaqen të gjitha sëmundjet që kanë të bëjnë me deficitet nutritive. Pasojat mund të jenë vërtet serioze. Simptomat e ndryshme të kësaj sëmundjeje mund të mos vihen re për një kohë të gjatë. Të rriturit dhe fëmijët mund të kenë simptoma të ndryshme të kësaj sëmundjeje. Fëmijët më shpesh kanë simptoma digjestive, si fryrje e barkut dhe gazra, diarre kronike, dhimbje, probleme me jashtëqitjen, etj. Deficitet nutritive mund të jenë veçanërisht problematike tek fëmijët në zhvillim, kështu që nëse kjo gjendje lihet pa trajtim për një kohë më të gjatë mund të shkaktojë pasoja më të rrezikshme, si puberteti i vonuar, çrregullime të humorit, rritje dhe zhvillim ngadalësuar dhe çrregullime të ciklit menstrual. Mungesa e simptomave specifike shpesh mund të shkaktojë vështirësi në dallimin e sëmundjes. Përveç simptomave digjestive, personat e rritur shpesh kanë simptoma të tjera, si lodhje kronike, anemi, depresion, dhimbje koke, dhimbje të kyçeve, ulçera në gojë, probleme me fertilitetin dhe vështirësi në njohjen e gjendjes.

Diagnostikimi

Nëse konsumimi i ushqimeve që përmbajnë gluten shkakton probleme të caktuara, është e nevojshme të komunikoni me një mjek, i cili mund të rekomandojë monitorim ose testim të detajuar të ushqimeve që një person i konsumon.

Për diagnostikimin e sëmundjes celiake, por edhe për alergjinë ndaj grurit, rekomandohen analizat e gjakut, pra analiza që përcaktojnë praninë e antitrupave specifikë (kryesisht testi tTg-IgA).

Biopsia (ose endoskopia) konsiderohet prova më e rëndësishme për ekzistencën e sëmundjes celiake. Nëse kjo gjendje tashmë është vërtetuar, mund të jetë një indikator për testime të mëtejshme për intolerancën ndaj glutenit.

Ushqimi pa gluten

Kur bëhet fjalë për sëmundjen celiake, gluteni, i cili është një proteinë që gjendet në grurë, thekër, tërshërë dhe elb, e dëmton mukozën e zorrës së hollë, duke e çrregulluar përthithjen e lëndëve ushqyese dhe si pasojë e kësaj edhe kequshqyerje. Pas eliminimit të glutenit nga dieta, muret e zorrëve shërohen, por njerëzit me këtë problem duhet t'i kushtojnë vëmendje dietës së tyre gjatë gjithë jetës së tyre në mënyrë që ta parandalojnë rishfaqjen e sëmundjes. Sëmundja celiake është një sëmundje serioze, autoimune gjenetike dhe për momentin nuk ka njëb trajtim konkret për të. Për 3 milionë amerikanë dhe 1 në 100 njerëz në mbarë botën me sëmundje celiake, trajtimi i vetëm është respektimi i rreptë i një diete pa gluten. Në ditët e sotme intoleranca ndaj glutenit është mjaft e shpeshtë dhe karakterizohet me reaksione negative ndaj glutenit, dhe vlerësohet se 99% e njerëzve që kanë intolerancë ndaj glutenit, ose sëmundje celiake, nuk diagnostikohen me këtë gjendje. Gjithashtu vlerësohet se pothuajse 40% e popullatës në botë është intolerante ndaj glutenit.

Shumë njerëz pranojnë të kenë një dietë pa gluten për shkak të promovimit të produkteve pa gluten si më të shëndetshme, të dobishme për humbje peshe dhe shumë përfitime të tjera që nuk mbështeten shkencërisht. Kështu, deri në 63% e amerikanëve besojnë se një dietë pa gluten mund ta përmirësojë shëndetin e tyre, madje edhe shëndetin mendor, ndërsa një e treta e tyre mundohen që ta shmangin glutenin në jetën e tyre të përditshme.

Është mirë që kohët e fundit ka gjithnjë e më shumë "opsione" vaktesh dhe produktesh ushqimore pa gluten. Dieta pa gluten (domethënë shmangia e glutenit) është e domosdoshme për njerëzit me sëmundje celiake dhe është trajtimi i vetëm, në mënyrë që ata t’i shmangin proceset inflamatore në traktin digjestiv dhe simptomat në përgjithësi, dhe kështu ta përmirësojnë shëndetin e tyre.

https://www.moh.gov.sa/en/HealthAwareness/healthDay/2025/Pages/HealthDay-2025-05-01-31-003.aspx

https://www.farmahem.com.mk/

https://drmitov.mk/

https://celiac.org/shinealightonceliac/

https://www.aoecs.org/advocacy/international-coeliac-day/

https://zdravstvo.gov.mk/wp-content/uploads/2015/08/Celijakija.pdf

 

Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve