- 21.05.2025
Informacion nga IShP për linë e majmunit (pasqyra klinike, mënyra e transmetimit dhe masat preventive)
Faktet kryesore
· Mpox, ose siç njihet gjerësisht si Lija e majmunit, është një sëmundje virale e shkaktuar nga virusi monkeypox, që i përket llojit Orthopoxvirus. Ekzistojnë dy klade te ndryshme të virusit: kladi I (me nënklade Ia dhe Ib) dhe kladi II (me nënklade IIa dhe IIb). Në vitin 2022-2023 epidemia e Mpox u shkaktua nga kladi IIb.
· Mpox edhe sot vazhdon të paraqesë kërcënim, ndërsa rritja e numrit të rasteve në Republikën Demokratike të Kongos dhe në vende të tjera të shkaktuara nga kladet Ia dhe Ib shkakton shqetësim.
· Sot për Mpox ekzistojnë vaksina. Vaksinimi duhet të merret parasysh bashkë me masat e shëndetit publik.
· Simptomat e zakonshme të Mpox janë skuqje e lëkurës ose lezione mukozale që mund të zgjasin 2-4 javë të shoqëruara me ethe, dhimbje të kokës, dhimbje të muskujve, dhimbje të kurrizit, debulesë dhe ënjtje të nyjeve limfatike.
· Mpox mund të transmetohet nëpërmjet kontaktit të ngushtë me një person të sëmurë, me materiale të kontaminuara ose me kafshë të infektuara. Gjatë shtatzënisë virusi mund të përcillet edhe tek fetusi, ose gjatë ose pas lindjes edhe te foshnja e porsalindur.
· Mpox trajtohet në mënyrë simptomatike, duke i kushtuar një kujdes të veçantë të ushqyerit, hidratimit, kujdesit të lëkurës, parandalimit të infeksioneve sekundare dhe trajtimit të infeksioneve aktuale.
Hyrje
Mpox është një zoonozë virale (virus që transmetohet te njerëzit nga kafshët), me simptoma shumë të ngjashme me ato të pacientëve të infektuar nga lia e dhenve, edhe pse për nga pasqyra klinike kjo është një sëmundje më pak e rëndë.
Virusi i Lisë së majmunit u zbulua në Danimarkë (1958) te majmunët të cilët përdoreshin për hulumtime. Mpox te njerëzit për herë të parë u identifikua në vitin 1970 në Republikën Demokratike të Kongos tek një foshnjë 9 muajshe në një rajon ku lija ishte zhdukur që në vitin 1968. Nga ajo kohë numri më i madh i rasteve është raportuar në zonat rurale të pyjeve tropikale të pellgut të Kongos, e sidomos në Republikën Demokratike të Kongos, ndërsa raste të të infektuarve gjithnjë e më shumë po raportohen nga e gjithë Afrika Qendrore dhe Perëndimore.
Me çrrënjosjen e lisë në vitin 1980 dhe ndërprerjen pasuese të vaksinimit, Mpox u bë Orthopoxvirusi më i rëndësishëm si një rrezik për shëndetin publik. Mpox fillimisht u shfaq në Afrikën Qendrore dhe Perëndimore, shpesh në afërsi të pyjeve tropikale, por gjithnjë e më shumë po shfaqet edhe në zonat urbane. Nikoqirë të virusit janë kafshët, përfshirë këtu një numër të madh të brejtësve dhe primatëve.
Epidemia globale e kladit IIb filloi në vitin 2022 dhe është aktive edhe sot e kësaj dite, përfshirë këtu edhe në disa vende afrikane. Gjithashtu, ka epidemi në rritje të kladeve Ia dhe Ib në Republikën Demokratike të Kongos dhe në vende të tjera në Afrikë. Nga muaji gusht i vitit 2024 kladi Ib është zbuluar edhe jashtë Afrikës.
Në maj të vitit 2022 epidemi e Mpox shpërtheu befas dhe u përhap me shpejtësi në të gjithë Evropën, Amerikën dhe pastaj edhe në të gjashtë rajonet e OBSH-së. Epidemia globale i preku kryesisht (por jo vetëm) meshkujt homoseksualë, biseksualët dhe meshkujt e tjerë që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj dhe transmetohet nga një person tek tjetri nëpërmjet kontaktit seksual.
Në periudhën nga muaji janar i vitit 2022 dhe muajit gusht të vitit 2024 për Mpox kanë raportuar 120 vende me mbi 100.000 raste të konfirmuara në laborator dhe mbi 220 vdekje në mesin e rasteve të konfirmuara.
Transmetimi
Mpox transmetohet nga një person tek tjetri kryesisht përmes kontaktit të ngushtë me një person të infektuar, përfshirë anëtarët e familjes. Me kontakt të ngushtë nënkuptohet kontakti lëkurë me lëkurë (prekje ose marrëdhënie seksuale) dhe kontakti i mukozave ose i lëkurës me mukozë (puthje), por mund të nënkuptojë edhe transmetimin nga një person tek tjetri gjatë të folurit ose gjatë frymëmarrjes në afërsi të njëri-tjetrit, nëpërmjet spërklave respiratore infektive.
Njerëzit me më shumë partnerë seksualë janë më të rrezikuar nga infektimi me Mpox.
Njerëzit gjithashtu mund të infektohen me Mpox nga gjësendet e kontaminuara si veshjet ose çarçafët, përmes lëndimeve nga shpimi me gjilpërë.
Virusi mund të transmetohet edhe tek fetusi gjatë shtatzënisë ose lindjes. Mpox gjatë shtatzënisë mund të jetë i rrezikshëm për fetusin ose të porsalindurin dhe mund të shkaktojë edhe ndërprerjen e shtatzënisë, lindjen e foshnjës së vdekur, vdekjen e të porsalindurit ose ndërlikime për nënën.
Transmetimi i Mpox nga kafshët tek njerëzit mund të ndodhë nga kafshët e infektuara te njerëzit përmes kafshimeve ose gërvishtjeve, ose gjatë aktiviteteve si gjuetia, heqja e lëkurës, gatimi ose konsumimi i mishit të kafshëve të sëmura.
Sa i përket mënyrës se si përhapet Mpox gjatë epidemive në mjedise dhe kushte të ndryshme duhen bërë më shumë hulumtime.
Shenjat dhe simptomat
Periudha e inkubacionit (intervali nga infekstimi deri në shfaqjen e simptomave) e Mpox është zakonisht një javë, por mund të zgjasë nga 1 deri në 21 ditë. Simptomat zakonisht zgjasin 2-4 javë, por mund të zgjasin më shumë nëse personi i sëmurë ka sistem imunitar të komprometuar.
Simptomat më të shpeshta të Mpox janë:
Skuqje e lëkurës
Ethe
Dhimbje të fytit
Dhimbje të kokës
Dhimbje të muskujve
Dhimbje të kurrizit
Debulesë
Ënjtje të nyjeve limfatike
Tek disa persona simptoma e parë është skuqja në lëkurë, ndërsa tek të tjerë mund të jenë ethet, dhimbjet e muskujve ose dhimbjet e fytit.
Skuqja zakonisht fillon në fytyrë dhe përhapet në të gjithë trupin, duke i prekur pastaj edhe pëllëmbët e duarve dhe shputat e këmbëve. Mund të fillojë edhe në pjesë të tjera të trupit që kanë qenë në kontakt, siç janë organet gjenitale. Në fillim është në formën e një plage të sheshtë, e cila më pas shndërrohet në një flluskë të mbushur me lëng që mund të kruhet ose të shkaktojë dhimbje. Ashtu siç shërohen lezionet thahen, formojnë kore dhe bien.
Disa njerëz mund të kenë një ose disa lezione të lëkurës, ndërsa të tjerë kanë qindra ose më shumë. Ato mund të shfaqen kudo në trup, si në:
Pëllëmbët e duarve dhe shputat e këmbëve
Fytyrë, gojë dhe fyt
Zonën gjenitale dhe anale
Disa njerëz mund të kenë ënjtje të dhimbshme të rektumit (proktit) ose dhimbje dhe vështirësi gjatë urinimit (dizuri) ose gëlltitjes.
Njerëzit mund ta transmetojnë sëmundjen derisa të gjitha plagët të jenë shëruar dhe të jetë formuar një shtresë e re e lëkurës. Disa njerëz mund të infektohen pa zhvilluar asnjë simptomë.
Fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat me sistem imunitar të dobët, përfshirë këtu edhe personat që jetojnë me HIV që nuk mbahet nën kontrollin e duhur, janë të ekspozuar ndaj një rreziku më të lartë nga forma të rënda dhe vdekje nga ndërlikimet e Mpox.
Disa persona me Mpox zhvillojnë një pasqyrë klinike më të rëndë. Për shembull, lëkura mund të infektohet me baktere, gjë që mund të shkaktojë abscese ose dëmtime serioze. Komplikime të tjera mund të jetë pneumonia; infeksioni i kornesë me humbja e shikimit; dhimbjet ose vështirësitë gjatë gëlltitjes; të vjellat dhe diarrea që shkaktojnë dehidratim ose kequshqyerje; dhe infeksione të gjakut (sepsë), trurit (encefalit), zemrës (miokardit), rektumit (proktit), organeve gjenitale (balanit) ose organeve urinare (uretrit).
Shkalla e vdekshmërisë historikisht ka variuar nga 0 në 11% në popullatën e përgjithshme dhe ka qenë më e lartë tek fëmijët e vegjël. Kohët e fundit, shkalla e vdekshmërisë ka qenë rreth 3-6%.
Diagnoza
Identifikimi i Mpox mund të jetë i vështirë sepse disa infeksione dhe gjendje të tjera mund të duken të ngjashme. Është e rëndësishme të bëhet dallimi mes Mpox dhe lisë së dhenve, fruthit, infeksioneve bakteriale të lëkurës, zgjebes, herpesit, sifilizit dhe alergjive ndaj barnave.
Shkalla e vdekshmërisë historikisht ka qenë nga 0 në 11% tek popullata e përgjithshme dhe ka qenë më e lartë tek fëmijët e vegjël. Kohët e fundit, shkalla e vdekshmërisë është nga 3-6%.
Testi laboratorik që rekomandohet për zbulimin e ADN-së virale të Mpox është reaksioni zinxhir i polimerazës (PCR). Mostrat më të mira diagnostikuese merren direkt nga skuqja - lëkura, lëngu ose korja. Në mungesë të lezioneve të lëkurës, testimi mund të bëhet duke përdorur strisho të marra nga fyti ose anusi. Testimi i gjakut nuk rekomandohet. Metodat për zbulimin e antitrupave nuk janë të dobishme sepse nuk bëjnë dallimin midis ortopokviruseve të ndryshme.
Njësia e virologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik disponon me reagensë për testim sipas indikacioneve klinike (me udhëzim nga mjeku amë, infektologu) dhe epidemiologjike.
Terapia dhe vaksinimi
Qëllimi i trajtimit të Mpox është kujdesi për skuqjen, menaxhimi i dhimbjes dhe parandalimi i ndërlikimeve. Kujdesi i hershëm dhe suportiv është i rëndësishëm për të ndihmuar në menaxhimin e simptomave dhe për të shmangur probleme shtesë.
Disa barna antivirale kanë marrë miratimin për përdorim emergjent në disa vende dhe po vlerësohen në prova klinike. Deri më sot nuk ka asnjë trajtim antiviral efikas të aprovuar për Mpox. Prioriteti është vazhdimi i vlerësimit të terapive në ekzaminimet klinike dhe përqendrimi në optimizimin e mbështetjes për pacientët. Individët me HIV dhe Mpox duhet të vazhdojnë ta marrin terapinë e tyre antiretrovirale (ART). ART duhet të fillojë të merret brenda 7 ditëve nga diagnostikimi i HIV-it.
Vaksina kundër Mpox mund të ndihmojë në parandalimin e infeksionit (profilaksia para ekspozimit).
Rekomandohet që personat me rrezik të lartë të vaksinohen, sidomos gjatë një epidemie. Në grupet që mund të jenë të ekspozuar ndaj një rreziku më të lartë bëjnë pjesë:
· personat që jetojnë në të njëjtën amvisëri ose komunitet të ngushtë me personin e sëmurë, përfshirë këtu edhe fëmijët;
· punonjësit shëndetësorë;
· personat që kanë partnerë të shumtë seksualë, përfshirë këtu edhe meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj; dhe
· punonjësit e seksit të çdo gjinie dhe klientët e tyre.
Vaksina mund të administrohet edhe pasi një person ka qenë në kontakt me dikë që ka Mpox (profilaksia pas ekspozimit). Në këto raste, vaksina duhet të jepet më pak se 4 ditë pas kontaktit. Vaksina mund të jepet deri në 14 ditë nëse personi nuk ka zhvilluar simptoma.
Parandalimi
Shumica e personave me Mpox do të shërohen brenda 2-4 javësh.
Çfarë duhet të bëni për ta parandaluar transmetimin e Mpox tek të tjerët:
· kontaktoni mjekun tuaj amë ose infektologun;
· qëndroni në shtëpi dhe në dhomën tuaj të ajrosur mirë;
· lani duart shpesh me sapun dhe ujë ose me dezinfektant, sidomos para ose pasi t’i keni prekur plagët;
· mbani maskë dhe mbuloni lezionet tuaja kur jeni pranë njerëzve të tjerë derisa të shërohet plotësisht skuqja;
· mbani lëkurën tuaj të thatë dhe të pambuluar (përveç se në rastet kur ndodheni në një dhomë me dikë tjetër);
· shmangni prekjen e gjësendeve në hapësirat e përbashkëta dhe dezinfektoni shpesh hapësirat e përbashkëta;
· për të shpërlarë plagët e gojës përdorni tretje me ujë të kripur;
· për plagët në trup bëni banja të ngrohta me sodë buke ose kripëra Epsom; dhe
· për t’i qetësuar dhimbjet përdorni qetësues si paracetamol (acetaminofen) ose ibuprofen.
Çfarë nuk duhet të bëni:
· mos i prekni lezionet në lëkurë, kjo mund të ngadalësojë shërimin e tyre, ta përhapë skuqjen në pjesë të tjera të trupit dhe të shkaktojë infeksion të plagëve;
Për ta parandaluar përhapjen e Mpox tek persona të tjerë, të sëmurët duhet të izolohen në shtëpi sipas udhëzimeve të mjekut amë ose infektologut, ose nëse është e nevojshme edhe të qëndrojnë në spital gjatë kohëzgjatjes së periudhës infektive (nga fillimi i simptomave deri te shërimi i lezioneve dhe rënia e koreve). Mbulimi i lezioneve dhe mbajtja e maskës në prani të të tjerëve mund të ndihmojë në parandalimin e përhapjes. Përdorimi i prezervativëve gjatë marrëdhënieve seksuale do të ndihmojë në uljen e rrezikut nga infektimi me Mpox, por nuk do ta parandalojë përhapjen përmes kontaktit lëkurë me lëkurë ose lëkurë me mukozë. Nëse kryeni marrëdhënie seksuale përdorni prezervativë si masë preventive për 12 javë (rreth 3 muaj) pas shërimit.
Ndërprerja e aktivitetit seksual me partnerë të rinj gjatë periudhave të rritjes së transmetimit mund ta zvogëlojë rrezikun. Ata që kanë pasur kontakt me një person të sëmurë duhet t’i monitorojnë shenjat dhe simptomat për 21 ditë (3 javë) dhe të ndërmarrin masa preventive si abstenimi nga aktiviteti seksual gjatë kësaj periudhe.
Punonjësit shëndetësorë duhet t’i ndjekin masat për parandalimin dhe kontrollin e infeksioneve për ta mbrojtur veten gjatë kohës që kujdesen për pacientët me Mpox duke veshur pajisje të përshtatshme mbrojtëse personale (domethënë doreza, mantel, mbrojtje për sytë dhe maskë) dhe duke iu përmbajtur protokollit për prekjen e sigurt të lezioneve për testimin diagnostik dhe trajtimin e objekteve të mprehta siç janë gjilpërat.
Vlerësimi i rrezikut
Rreziku për qytetarët që udhëtojnë ose jetojnë në zonat e prekura dhe kanë kontakt të ngushtë me njerëz nga ato zona konsiderohet i moderuar dhe i ulët nëse shmanget kontakti. Rreziku i përgjithshëm për popullatën e përgjithshme aktualisht vlerësohet si i ulët. Megjithatë, ka të ngjarë që të raportohen më shumë raste të importuara në vendet evropiane.
Gjatë periudhës së fundvitit, kur ka më shumë udhëtime, duhet të rritet ndërgjegjësimi tek udhëtarët që udhetojnë drejt/nga zonat me transmetim të vazhdueshëm të virusit të lisë së majmunëve, por edhe tek mjekët amë dhe infektologët, të cilët mund të konsultohen nga pacientët për përfshirjen e sëmundjes në diagnozën diferenciale.
Nëse zbulohet një rast i Mpox, masat e rëndësishme shëndetësore publike të reagimit përfshijnë gjurmimin dhe monitorimin e kontakteve, njoftimin e partnerit, sigurimin e reagensëve për diagnostikim dhe vaksinimin preventiv pas ekspozimit të kontakteve.
Departamenti i epidemiologjisë së sëmundjeve ngjitëse
Instituti i Shëndetit Publik