• 17.09.2025

17 shtator 2025 - Dita Botërore e Sigurisë së Pacientit: "Kujdes i sigurt për çdo të porsalindur dhe çdo fëmijë"


 


"Kujdes i sigurt për çdo të porsalindur dhe çdo fëmijë"

Çdo fëmijë ka të drejtë për kujdes shëndetësor të sigurt dhe cilësor që nga fillimi i jetës. Megjithatë, për shkak të zhvillimit të shpejtë, nevojave shëndetësore gjatë zhvillimit dhe sëmundjeve moderne të porsalindurit dhe fëmijët e vegjël përballen me sfida më të mëdha. Për shkak të moshës së tyre fëmijët nuk janë në gjendje të marrin vendime në mënyrë të pavarur. Në emër të tyre vendosin të rriturit. Gjendja socio-ekonomike e familjes dhe niveli i zhvillimit të vendit në të cilin jetojnë mund të jenë faktorë rreziku për marrjen e kujdesit shëndetësor cilësor, në kohë dhe të sigurt. Nëse kujdesi shëndetësor nuk përshtatet me moshën dhe gjendjen shëndetësore të fëmijëve, pasojat për shëndetin e fëmijëve mund të jenë të pariparueshme.

Për këtë arsye Dita Botërore e Sigurisë së Pacientit 2025 ka për qëllim që të arrihet kujdes i sigurt për çdo të porsalindur dhe fëmijë, me një fokus të veçantë tek ata nga lindja deri në nëntë vjet. Tema e këtij viti, " Kujdes i sigurt për çdo të porsalindur dhe çdo fëmijë", e thekson nevojën emergjente për të vepruar në kohë dhe në mënyrë të vazhdueshme për ta parandaluar dëmin gjatë fëmijërisë dhe për të arritur përfitime të qëndrueshme gjatë gjithë jetës. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u bën thirrje prindërve, kujdestarëve, punonjësve shëndetësorë, udhëheqësve të mbrojtjes shëndetësore, edukatorëve dhe komuniteteve që të bashkohen për ta parandaluar dëmin e evitueshëm në kujdesin pediatrik dhe për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt dhe më të shëndetshme për çdo fëmijë, si pjesë e përpjekjeve globale për arritjen e Qëllimit 3 për Zhvillim të Qëndrueshëm, i cili i referohet "Shëndetit të mirë dhe mirëqenies".

Dita Botërore e Sigurisë së Pacientit 2025 ka për qëllim të iniciojë përmirësime të rëndësishme dhe ta vërtetojë të drejtën e çdo fëmije për kujdes shëndetësor të sigurt dhe cilësor.

Qëllimet e Ditës Botërore të Sigurisë së Pacientit 2025

· Ngritja e vetëdijes globale për rreziqet e sigurisë në kujdesin pediatrik dhe të të porsalindurve në të gjitha institucionet shëndetësore dhe në të gjitha nivelet e mbrojtjes shëndetësore, duke i theksuar nevojat konkrete të fëmijëve, familjeve dhe kujdestarëve.

· Pjesëmarrje aktive e politikëbërësve, udhëheqësve shëndetësorë, punonjësve dhe bashkëpunëtorëve shëndetësorë, organizatave dhe shoqatave të pacientëve, shoqërisë civile dhe palëve të tjera të interesuara në zbatimin e politikave dhe praktikave për kujdes shëndetësor të sigurt dhe cilësor për të porsalindurit dhe fëmijët, si pjesë e një iniciative më të gjerë për kujdes të sigurt dhe cilësor për pacientët.

· Autorizimi i familjeve, fëmijëve dhe personave që kujdesen për pacientët për të marrë pjesë aktive në ngritjen e vetëdijes publike për sigurinë e shëndetit të fëmijëve.

· Përfaqësimi dhe përforcimi i hulumtimeve shkencore për përmirësimin e sigurisë shëndetësore dhe kujdesit për pacientët më të vegjël në repartet pediatrike.

· Dita Botërore e Sigurisë së Pacientit 2025 përfshin një sërë aktivitetesh për 17 shtatorin, si fushata kombëtare, duke i ndriçuar monumentet dhe vende publike me ngjyrë portokalli.

Fëmijët nuk janë të rritur të vegjël. Ata kanë nevojë për kujdes të individualizuar dhe të sigurt.

Fëmijët kanë nevojë për kujdes mjekësor të përshtatur sipas moshës, nivelit të zhvillimit dhe aftësisë së tyre për komunikim.

Siguria në vend të parë, gjithmonë dhe në çdo strukturë shëndetësore.

Fëmijët janë më të rrezikuar kur ndodhen në kujdes intensiv dhe gjatë trajtimeve komplekse. Mbrojtja e tyre nga kujdesi i pamjaftueshëm dhe i pasigurt duhet të jetë në vend të parë.

 

Kujdesi më i sigurt varet nga sistemet e sigurta dhe puna në ekip.

Sistemet e projektuara mirë, punonjësit që kanë përkrahje dhe kujdestarët e angazhuar luajnë një rol kyç në sigurinë shëndetësore të fëmijëve. Çdo zë është i rëndësishëm dhe duhet dëgjuar.

Përgatiti dhe përktheu: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve