- 21.09.2025
21 Shtatori - Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Alzheimerin
Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Alzheimerin shënohet çdo vit më 21 shtator për ta rritur ndërgjegjësimin për sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballen njerëzit me këtë sëmundje dhe familjet e tyre, dhe për të punuar në reduktimin e stigmës që e rrethon atë. Sëmundja e Alzheimerit është forma më e shpeshtë e demencës dhe është një çrregullim progresiv neurodegjenerativ që çon deri në humbjen e funksioneve konjitive, kujtesës, aftësive të komunikimit dhe pavarësisë në jetën e përditshme. Duke pasur parasysh shkallën në rritje të plakjes së popullsisë në nivel global, kjo sëmundje paraqet një sfidë serioze për shëndetin publik dhe shoqërinë.
Sëmundja e Alzheimerit (latinisht: Morbus Alzheimer) — sëmundje nga grupi i sëmundjeve neurodegjenerative. Zakonisht prek popullatën mbi 65 vjet dhe është përgjegjëse për 60% të sëmundjeve të demencës, e ndjekur nga demenca vaskulare në vendin e dytë dhe demenca alkoolike në vendin e tretë.
Sëmundja e Alzheimerit është një sëmundje progresive, fatale e trurit, e cila karakterizohet me humbje të kujtesës, humbje të aftësisë të të folurit dhe të menduarit, si dhe me ndryshime të humorit dhe sjelljes. Është e njohur globalisht se kjo sëmundje është multifaktoriale, heterogjene dhe e pakthyeshme, ndërsa shfaqja dhe zhvillimi i saj ndihmohen nga një kombinim i faktorëve gjenetikë dhe mjedisorë. Megjithatë, ndryshimet biologjike në tru mund të ndodhin edhe me dekada para simptomave të para. Në fazat e fundit të sëmundjes, njerëzit shpesh nuk janë në gjendje të komunikojnë dhe janë plotësisht të varur nga të tjerët, madje edhe për detyra të thjeshta të përditshme.
Sëmundja e Alzheimerit dëmton tetë funksione kognitive - kujtesën, të folurit, perceptimin, vëmendjen, aftësitë konstruktive, orientimin, zgjidhjen e problemeve dhe aftësitë funksionale.
Shenjat paralajmëruese të sëmundjes
Sipas Institutit Kombëtar të ShBA-së për Plakjen, ekzistojnë shtatë shenja paralajmëruese të sëmundjes:
1. Përsëritja e të njëjtave pyetje
2. Përsëritja e së njëjtës histori
3. Personi i sëmurë nuk di të kryejë disa aktivitete ditore, p.sh. gatim, duke luajtur letra, të përdorë telekomandën
4. Personi i sëmurë nuk di t’i menaxhojë paratë, llogaritë, transfertat etj.
5. Personi i sëmurë nuk mund të gjejë objekte të caktuara ose i vendos në vende të pazakonta dhe mendon se persona të tjerë i kanë lëvizur
6. Neglizhimi i pamjes së jashtme
7. Personi i sëmurë u përgjigjet pyetjeve duke e përsëritur të njëjtën pyetje që i drejtohet atij
Fazat e sëmundjes së Alzheimerit
Zhvillimi i sëmundjes së Alzheimerit bëhet në tre faza, secila fazë karakterizohet nga simptoma specifike që kërkojnë një qasje të ndryshme.
Faza e hershme
Ndonjëherë kjo fazë bëhet e dukshme vetëm në retrospektivë. Fillimi i sëmundjes së Alzheimerit është zakonisht gradual dhe shpesh është e pamundur të përcaktohet saktësisht se kur ka filluar.
· Humbje afatshkurtër e kujtesës
· Pamundësi për të kujtuar fjalë të caktuar
· Humbje e orientimit
· Ndryshime të humorit.
Faza mesme
•Harrimi i informacionit personal si adresa dhe numri i telefonit
•Humbja e orientimit në kohë dhe hapësirë, vështirësi në njohjen e njerëzve të afërt
•Ndryshime të personalitetit, nervozizëm, dyshim dhe agresivitet
•Ka nevojë për ndihmë për tu veshur, larë dhe ushqyer.
Faza e vonë
Në këtë fazë, personi është prekur rëndë nga demenca dhe ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm për të gjitha aktivitetet e përditshme, simptomat e gjendjes janë më të dukshme dhe të pranishme. Një person mund të përjetojë sfida të konsiderueshme në pavarësinë e tij dhe ka nevojë për mbështetje të përditshme.
• Pamundësi për t’i njohur njerëzit e afërt dhe për të kujtuar historitë personale
• Aftësi e kufizuar ose e munguar për të folur dhe për të kuptuar të folurit
• Pamundësi për të kryer aktivitete themelore si të ngrënit, të veshurit dhe të lëvizurit
• Humbje në peshë, vështirësi në gëlltitje, inkontinencë urinare dhe ngërçe muskulore.
Nevojat e personave me Alzheimer
• Mbikëqyrje dhe ndihmë e vazhdueshme në të gjitha aspektet e jetës së përditshme.
• Menaxhimi i gjendjeve mjekësore dhe simptomave të shoqëruara me sëmundje të avancuar.
• Lehtësim dhimbjesh dhe rehati në fazat e fundit të sëmundjes.
Faktorët e rrezikut për sëmundjen e Alzheimerit
Mosha: Është markeri kryesor i rrezikut për shfaqjen e kësaj sëmundjeje, kështu që prevalenca rritet me rritjen e moshës, duke u dyfishuar çdo 5 vjet pas moshës 60 vjeçare.
Gjinia: Femrat vuajnë nga kjo sëmundje më shumë se meshkujt.
Historia familjare e demencës: nga 40 deri më 50% e pacientëve me Alzheimer kanë një anëtar të familjes që ka ose ka pasur demencë.
Arsimi: Edhe pse sëmundja e Alzheimerit mund të prekë njerëzit me çdo nivel arsimimi, ajo përsëri prek më shumë personat me më pak arsim.
Ushqimi: Konsumi i shumë kalorive mund të jetë një faktor rreziku për këtë sëmundje. Acidet yndyrore të pangopura dhe suplementet (vitamina E dhe C) kanë treguar një rol neuroprotektiv kundër sëmundjes së Alzheimerit.
Meqë sëmundja e Alzheimerit shfaqet te njerëzit e moshuar, zakonisht më të vjetër se 65 vjet, incidenca e kësaj sëmundjeje tek popullata e përgjithshme është e ulët, rreth 2%. Megjithatë, tek popullata e moshuar prevalenca arrin deri në 15%, e cila rritet me rritjen e moshës. Tek njerëzit më të vjetër se 85 vjet prevalenca arrin nga 30-40%, që është deri tani lloji më i përhapur i demencës. Sëmundja e Alzheimerit është një epidemi e shekullit të 21-të ose një hajdut i heshtur i kujtimeve. Këto sinonime të sëmundjes Alzheimer, në vetvete, e pasqyrojnë seriozitetin e këtij fenomeni, i cili prek drejtpërdrejt më shumë se 46,8 milionë njerëz në mbarë botën. Statistikat e verifikuara shtesë nga parashikimet hulumtuese parashikojnë më shumë se deri në vitin 2050 do ketë 135 milionë njerëz që vuajnë nga sëmundja e Alzheimerit, ndërsa çdo vit diagnostikohen 9.9 milionë njerëz me demencë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), mbi 55 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me demencë, ku sëmundja e Alzheimerit përbën afërsisht 60-70% të këtyre rasteve. Vlerësohet se deri në vitin 2050, numri i njerëzve me demencë do të rritet në rreth 139 milionë, kryesisht për shkak të rritjes së jetëgjatësisë.
Njohja dhe diagnostikimi i hershëm i sëmundjes së Alzheimerit janë çelësi për menaxhimin në kohë të simptomave.
Diagnostikimi përfshin:
• Ekzaminim të detajuar anamnestik
• Testim neuropsikologjik
• Neuroimazheri (CT, MRI)
• Teste laboratorike
Si trajtohet sëmundja e Alzheimerit?
Edhe pse për momentin nuk ka kurë për të ndaluar përparimin e sëmundjes, ekzistojnë trajtime me dhe pa barna që mund t’i lehtësojnë simptomat dhe ta përmirësojnë cilësinë e jetës për pacientët dhe kujdestarët e tyre.
Në të gjitha fazat e sëmundjes së Alzheimerit, trajtimet dhe shërbimet mbështetëse janë në dispozicion për ta zvogëluar ndikimin e simptomave, duke siguruar cilësinë më të mirë të mundshme të jetës për çdo person që jeton me këtë gjendje. Terapia trajton një sërë fushash:
• duke i ndihmuar njerëzit të ruajnë funksionin mendor
• duke menaxhuar simptomat e sjelljes
• duke ngadalësuar ose vonuar fillimin e simptomave
Terapia mjekësore mund ta përmirësojë cilësinë e jetës së njerëzve që jetojnë me sëmundjen Alzheimer dhe kujdestarëve të tyre. Për momentin nuk ka një kurë të njohur për sëmundjen e Alzheimerit dhe kjo është një nga sfidat më të mëdha të shëndetit publik sot. Trajtimet aktuale janë të përqendruara në lehtësimin e simptomave. Ata nuk janë në gjendje ta ndalojnë përparimin e sëmundjes, sepse nuk ndikojnë në shkaqet themelore të sëmundjes dhe kanë për qëllim zvogëlimin e ndikimit të simptomave, për të siguruar një cilësi më të mirë të jetës për çdo person që jeton me këtë gjendje. Edhe terapitë pa barna mund të jenë të dobishme, si për shembull ruajtja e aktivitetit dhe lidhjes sociale dhe përballimi me stresin. Biseda me këshilltarin ose psikologun është e rëndësishme për të ndihmuar në menaxhimin e ndryshimeve bihejviorale dhe humorit. Terapia profesionale mund të ndihmojë në përmirësimin e funksionimit të përditshëm në shtëpi.
Sëmundja e Alzheimerit është një problem i madh për shoqërinë pasi bashkë me pacientët ajo prek edhe me qindra miliona kujdestarë dhe anëtarë të familjes që bashkëvuajnë emocionalisht, fizikisht dhe financiarisht.
Është e nevojshme të ndihmohen familjet në kujdesin për të dashurit e tyre jo vetëm për t’i dhënë barnat, sepse disa prej tyre nuk kanë njohuritë e duhura për atë se si të përballen me sjellje të caktuara të personit që vuan nga kjo sëmundje. Едукацијата за болеста и професионалната поддршка се важни за лицето кое живее со деменција и неговото семејство и старателите. Kjo mbështetje mund të bëjë një ndryshim pozitiv në menaxhimin e gjendjes. Një sërë qasjesh dhe aktivitetesh mund t’i angazhojnë aftësitë dhe interesat e personit që jeton me demencë për të jetuar mirë për aq kohë sa i ka mbetur. Duhen bërë përpjekje intensive nga institucionet për ta përmirësuar kujdesin shëndetësor dhe për t’i mbështetur personat me këtë sëmundje dhe familjet e tyre. Duhen kujdestarë profesionistë, qendra ditore për t'u kujdesur për personat me këtë sëmundje.
Nevojitet bashkëpunim interdisiplinor midis institucioneve shëndetësore, shërbimeve sociale, sektorit joqeveritar dhe komunitetit. Sëmundja e Alzheimerit përfaqëson një nga sfidat më të mëdha shëndetësore dhe sociale të kohës sonë. Shënimi i Ditës Botërore të Alzheimerit është një hap i rëndësishëm drejt ndërgjegjësimit, pranimit dhe veprimit. Vetëm përmes edukimit kolektiv, hulumtimit dhe solidaritetit mund të sigurojmë një jetë më të mirë për ata që jetojnë me këtë sëmundje dhe për të dashurit e tyre.
Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve