• 31.05.2025

DITA BOTËRORE PA DUHAN – 31 MAJ 2025


Dita Botërore Pa Duhan, e cila shënohet çdo vit më datën 31 maj, paraqet një nismë globale për ta ngritur ndërgjegjësimin publik lidhur me efektet e dëmshme të përdorimit të duhanit, duhanpirjes pasive dhe për të avokuar për politika efektive për zvogëlimin e përdorimit të duhanit në mbarë botën. Kjo ditë ka për qëllim të inkurajojë miratimin e masave që do mundësojnë zvogëlimin për të zvogëluar varësinë nga duhani dhe për ta mbrojtur shëndetin e brezave të tanishëm dhe të ardhshëm. Në vitin 2025 tema e Ditës Botërore Pa Duhan është "Demaskimi i joshjes - Ekspozimi i Taktikave të Industrisë me Produktet e Duhanit dhe Nikotinën". Me këtë temë OBSH po drejtohet drejt demaskimit të strategjive agresive dhe manipulative të marketingut të industri së duhanit dhe nikotinës, të cilat kanë për qëllim t’i të tërheqin të rinjtë dhe të krijojnë një brez të ri të varur. Në vend që të informojnë për rreziqet prodhuesit përdorin dizajne, aroma dhe promovime që i portretizojnë produktet si moderne, të padëmshme dhe të pranueshme në shoqëri.

Këto industri gjithnjë e më shumë po i targetojnë adoleshentët dhe të rinjtë me produkte të dizajnuara me kujdes që shpesh duken si karamele, kozmetikë ose pajisje teknologjike. Ato gjithashtu përdorin aroma që e maskojnë natyrën e vërtetë të nikotinës, siç janë frutat, çokollata ose mentoli. Përveç kësaj, me ndihmën e influencerëve, përmbajtjeve online dhe lojërave këto produkte promovohen në mënyra suptile që nuk duken si marketing tradicional, por kanë një ndikim të fuqishëm tek audiencat e reja. Shumë nga këto taktika kanë për qëllim të krijojnë iluzionin se produkte të caktuara, sidomos cigaret elektronike dhe pajisjet e reja me nikotinë, janë një alternativë "më e sigurt", edhe pse provat shkencore tregojnë se edhe ato janë të dëmshme dhe krijojnë varësi.

Duhani mbetet një nga shkaqet kryesore të vdekjes në botë. Çdo vit nga sëmundjet që lidhen me përdorimin e duhanit vdesin më shumë se tetë milionë njerëz. Nga këta, më shumë se një milion janë viktima të pirjes pasive të duhanit. Në numrin më të madh të rasteve përdorimi i duhanit fillon në adoleshencë, pikërisht për shkak të marketingut agresiv dhe mungesës së informacionit të plotë rreth pasojave. Nikotina si substancë ka një efekt të fortë "varshmërie" dhe ndikon në zhvillimin e trurit, përqendrimin dhe shëndetin mendor, sidomos tek të rinjtë.

Fakte

Ø Duhani vret pothuajse gjysmën e përdoruesve të tij.

Ø  Рothuajse 80% e më shumë se 1 miliardë përdoruesve në mbarë botën jetojnë në vend me të ardhura të ulëta dhe mesatare.

Ø  Duhani përmban katran, i cili shkakton kancer të mushkërive dhe ngushtim të rrugëve të frymëmarrjes.

Ø  E zvogëlon efikasitetin e qelizave të kuqe të gjakut sa i përket transportimit të oksigjenit për shkak të përmbajtjes së monoksid karbonit; që shkakton:

·         Aterosklerozë dhe tension të lartë gjakut.

·         Emfizemë ose bronkit.

·         Angina pektoris.

·         Atrofi optike.

·         Goditje në tru.

·         Humbje dhëmbëve.

·         Sulm në zemër.

Shënimi i Ditës Botërore Pa Duhan është një thirrje për veprim kolektiv. Nevojitet përfshirje e prindërve, mësimdhënësve, punonjësve shëndetësorë, politikëbërësve, organizatave rinore dhe vetë të rinjve. Qenësore është që informacioni publik të jetë i qartë, i drejtpërdrejtë dhe i bazuar në prova shkencore. Iniciativat që e kufizojnë shitjen dhe reklamimin e produkteve të nikotinës, sidomos ato që i targetojnë të rinjtë, duhet të mbështeten. Rritja e akcizave, paralajmërimet e qarta shëndetësore, ndalimet e aromave dhe rregullimi i plotë i formave të reja të produkteve të duhanit janë ndër mjetet më efektive në luftën kundër këtij kërcënimi global.

Këtë vit me rastin e Ditës Botërore Pa Duhan Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me OBSH-në do të mbajë një konferencë ku do të marrin pjesë Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Drejtuesi i Zyrës së OBSH-së në Maqedoni, si dhe zëvendësministri i shëndetësisë së Maqedonisë, ku do të prezantohen të gjitha faktet e rëndësishme që kanë të bëjnë me aktivitetet e sivjetme në luftën kundër përdorimit të duhanit dhe drejtimet në të cilat do të zhvillohet fushata.

Prandaj, më 31 maj, le t'u themi jo manipulimeve të industrisë, le t’i zbulojmë të vërtetat që fshihen pas produkteve që reklamohen si "moderne" dhe të punojmë për të krijuar një brez të lirë nga varësia. Le ta shfrytëzojmë këtë ditë për t'u informuar, për t'u bashkuar dhe për të bërë një zgjedhje për shëndet më të mirë, një mjedis të pastër dhe një të ardhme më të mirë pa duhan.