- 05.05.2025
5 Maji – Dita Ndërkombëtare e Mamive
Me rastin e Javës Ndërkombëtare të Infermierisë më 5 maj shënohet Dita Ndërkombëtare e Mamive nën moton: "Mamitë - kritike në çdo krizë".
Dita Ndërkombëtare e Mamive shënohet në të gjithë botën që nga viti 1992 dhe ka për qëllim ngritjen e ndërgjegjësimit rreth profesionit të mamisë dhe promovimin e këtij profesioni. Mamia është një nga profesionet më të bukura, më të përgjegjshme dhe më humane, ndërsa numri më i madh i tyre e shënojnë festën e tyre më 5 maj në vendet e tyre të punës.
Dita Ndërkombëtare e Mamive i kushtohet njohjes së rolit qenësor që luajnë mamitë në sigurimin e kujdesit gjithëpërfshirës gjatë shtatzënisë, lindjes dhe periudhës pas lindjes, duke ofruar mbështetje, edukim dhe ekspertizë mjekësore, duke e mbështetur shëndetin dhe mirëqenien e nënave, foshnjave dhe familjeve, duke avokuar për të drejtat shëndetësore të grave dhe duke e ulur shkallën e vdekshmërisë së nënave dhe foshnjave. Kjo ditë e thekson rëndësinë e mamive në promovimin e shtatzënive të shëndetshme, fuqizimin dhe informimin e grave për të bërë zgjedhje për kujdesin e tyre, dhe për të theksuar që të gjitha gratë të kenë qasje në shoqërues të kualifikuar gjatë gjithë shtatzënisë dhe lindjes. Kjo ditë është caktuar për ta theksuar rëndësinë që e kanë mamitë për shëndetin e nënave dhe të porsalindurve dhe për ta vënë theksin tek mbështetja dhe njohja më e mirë e profesionit. Është gjithashtu edhe një mundësi për ta ngritur ndërgjegjësimin për sfidat me të cilat përballen mamitë dhe për t’i rritur investimet në shërbimet e mamive në të gjithë botën.
Konfederata Ndërkombëtare e Mamive (ICM) përfaqëson mbi 135 shoqata mamish në më shumë se 115 vende. Dita Ndërkombëtare e Mamive për vitin 2025 shënohet nën moton: "Mamitë - Kritike në çdo krizë".
Nga kjo Organizatë thonë se bota po përballet me një "numër të paparë krizash komplekse", duke përfshirë këtu fatkeqësitë natyrore, konfliktet dhe ndikimet e vazhdueshme të ndryshimeve klimatike. Këto kriza prekin në mënyrë disproporcionale gratë, vajzat dhe njerëzit me diversitet gjinor, duke i ekspozuar ato ndaj rreziqeve në rritje, siç janë ndërlikimet gjatë shtatzënisë dhe dhuna me bazë gjinore, ndërkohë që e kufizojnë edhe qasjen e tyre në shërbimet qenësore shëndetësore. Në këto kohë plot me sfida, mamitë janë kritike. Ata janë të besueshme dhe të parat përgjegjëse në komunitetet e tyre, të cilat mund t'i përgatisin sistemet shëndetësore që të jenë gati për çdo krizë. Ato mund të sigurojnë deri në 90% të shërbimeve shëndetësore për shëndetin seksual, riprodhues të nënave, shëndetin e të porsalindurve dhe adoleshentëve, madje edhe gjatë krizave humanitare. Nga Konfederata Ndërkombëtare e Mamive thonë se edhe me burime minimale mamitë mund të sigurojnë lindje të sigurta, kujdes para dhe pas lindjes, të ofrojnë mënyrë për parandalimin e shtatzënisë, kujdes gjithëpërfshirës për abortin dhe kujdes për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore, ta mbështesin ushqyerjen me gji, të sigurojnë që të porsalindurit të marrin ushqim të sigurt, të pastër dhe të mbrojtur, t’i edukojnë dhe përgatisin komunitetet me njohuritë dhe mjetet që u nevojiten për të qëndruar të sigurta dhe të shëndetshme gjatë emergjencave. Kjo temë është e rëndësishme sepse, edhe pse mamitë janë qenësore për aftësinë e sistemeve shëndetësore për t'u përgatitur dhe për t'u bërë ballë krizave, ato shpesh nënvlerësohen dhe përjashtohen nga planifikimi i gatishmërisë dhe aktiviteteve për reagim. “Ky është momenti për t’i pozicionuar mamitë si punonjëse qenësore shëndetësore, gjë që ato tashmë janë, dhe për të avokuar për përfshirjen e tyre në çdo hap të përgatitjes dhe reagimit ndaj krizave. Që mamitë të mund të reagojnë në mënyrë adekuate, sistemet shëndetësore gjithashtu duhet të kujdesen që ato të jenë të sigurta dhe të përgatitura me trajnimet, mjetet dhe burimet që u nevojiten për të shpëtuar jetë dhe për t’i mbrojtur të drejtat në mjediset më sfiduese.”
Vendi i mamisë është në prag të jetës, ku emocionet intensive njerëzore, shpresa, malli, frika, forca dhe qëndrueshmëria e mahnitshme fizike lejojnë që në jetë të vijë një qenie e re. Të jesh pjesë e çastit më të lumtur të një nëne, të një familjeje, është një privilegj dhe nder i madh. Ky privilegj dhe nder u përket mamive. Lindja e çdo foshnje është një histori më vete, shikimi i një nëne të lumtur, të kënaqur dhe të buzëqeshur, është lumturi dhe privilegj më i madh të jesh pjesë e atyre çasteve. Është një mrekulli të jesh pjesë e asaj lumturie dhe e atij momenti magjik.
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe partnerët e saj globalë çdo vit e kthejnë vëmendjen ndaj rëndësisë së mamive në procesin e mirëseardhjes së foshnjave të reja në këtë botë dhe në të njëjtën kohë për kujdesin për nënat e reja gjatë dhe pas lindjes.
Kur flasim për të gjitha gjërat e mrekullueshme që i bëjnë mamitë, është me rëndësi të kemi parasysh faktin se ka një mungesë gjithnjë e më të madhe për mami, sidomos në vendet në zhvillim!
Kjo do të thotë se ka shumë sfida, ndërsa shumë mami përballen me mungesë mbështetjeje, me status të ulët dhe paga të ulëta. Mamitë shpëtojnë miliona jetë çdo vit. Që nga viti 1990 bota ka shënuar një rënie të vazhdueshme të vdekshmërisë foshnjore dhe të nënave. Një nga arsyet kryesore për këtë është sepse gjithnjë e më shumë gra po marrin kujdes obstetrik të kualifikuar. Mamitë janë pjesë integrale e çdo procesi në maternitet, e puna e tyre nuk është aspak e lehtë, ndërsa numri i mamive të punësuara në vendin tonë është shumë dekurajues.
Sipas Raportit të Burimeve Njerëzore pranë Institutit të Shëndetit Publik, në vitin 2023 në organizatat shëndetësore në Republikën e Maqedonisë ka pasur gjithsej 700 mami të punësuara, nga të cilat 118 mami me arsim universitar, 18 mami me arsim të lartë dhe 564 mami me arsim të mesëm profesional.
Kjo do të thotë që mamitë janë nën presion të vazhdueshëm sepse përpiqen të kryejnë shumë detyrime njëkohësisht.
Meqenëse mamitë janë të lidhura drejtpërdrejt me shëndetin e nënave të ardhshme dhe pasardhësve të tyre, është me shumë rëndësi që të tërhiqet vëmendja e publikut ndaj rolit të tyre të madh në të gjithë sistemin shëndetësor, si dhe të mbështeten politikat dhe iniciativat që promovojnë qasje në kujdes obstetrik të kualifikuar, veçanërisht në komunitetet e që janë të pakënaqura. Kjo datë duhet të shërbejë si shkas për t’i njohur mamitë për përpjekjet e jashtëzakonshme që ato i bëjnë në profesionin e tyre, por edhe për t'u bërë thirrje të gjitha organeve qeveritare dhe ministrive kompetente që t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm për mbrojtjen e këtij profesioni dhe për të punësuar sa më shumë mami të kualifikuara. Sistemet shëndetësore duhet të sigurojnë fonde më të mëdha për shërbimet shëndetësore të nënave dhe të porsalindurve.
Dita Ndërkombëtare e Mamive e kthen vëmendjen ndaj madhësisë së kontributit të tyre në funksionimin dhe forcimin e strukturës së familjes dhe komunitetit.
Falënderojmë mamitë për të gjithë kontributin e tyre në çastet më të rëndësishme të jetës sonë!
Referenca:
Instituti i Shëndetit Publik, Raporti për kuadrin 2023
https://mk.wikipedia.org/wiki/
https://www.daysoftheyear.com/days/international-midwives-day/
https://www.safeabortionwomensright.org/news/international-day-of-the-midwife-5-may-2025/
Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve